Film

Një film për homoseksualët shqiptarë në Sarajevë

02022014-4-279x320Hapi siparin dje Festivali XX i Filmit në Sarajevë / Tre regjisorë të rinj shqiptarë, Gentian Koçi, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami, pjesëmarrës në garën e madhe ndërkombëtare. Regjisori Isa Qosja, më 19 gusht jep premierën e filmit më të ri, “Tri dritare dhe një varje”

Edicioni XX i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë ka hapur siparin dje me një ceremoni ashtu siç i takon një jubileu. I ndarë në tri pika të ndryshme, festivali e ka kthyer Sarajevën në një qytet arti. Kineastë nga e gjithë bota dhe adhurues të filmit kanë zbritur në qytet për të jetuar tetë ditët e filmit (Festivali nisi më 15 dhe përfundon më 23 gusht). Shqipëria prezantohet në këtë festival me dy prodhime të tre regjisorëve të rinj. Regjisori Gentian Koçi është përzgjedhur ndër 14 projektet më premtuese për rajonin, për vitin 2014 në Cinelink, gjatë ditëve të Festivalit të Sarajevës, me skenarin për filmin me metrazh të gjatë “Dita zë fill”. Historia flet për një dramë intime që zhvillohet në një apartament, në mjedisin urban periferik të Tiranës. Historia zhvillohet rreth tri personazheve, dy grave dhe një djali të vogël njëvjeçar, dhe tregon përpjekjet e një nëne të re për të mbajtur me zor vendin e punës. Kjo histori, sipas Koçit, flet për kompromise të heshtura që secili prej nesh i bën në përballjen me mbijetesën. Në seksionin e dokumentarit më të mirë, është përzgjedhur dhe “SkaNdal” me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit. Dokumentari me skenar të Xheni Karajt dhe Kristi Pinderit tregon për lëvizjen homoseksuale në Shqipëri. Dokumentari do të shfaqet nesër dhe në 63 minuta përshkruhen 5 vjet. Është historia e djemve dhe vajzave që duhet të dilnin mbi tabutë e shoqërisë për të pranuar hapur homoseksualitetin e tyre. Përtej historive personale, dokumentari tregon dhe se si është zhvilluar kauza e këtij komuniteti në Shqipëri, një kauzë e cila ka qenë e mohuar, shqetësimet dhe ato çfarë ka ndodhur në vite. “Gjatë gjithë punës, sfida kryesore ishte si të realizojmë një dokumentar që të frymëzojë komunitetin”, është shprehur Karaj. Dokumentari “SkaNdal” konkurron jo vetëm për trofeun kryesor që është “The Heart of Sarajevo”, por edhe për disa çmime të tjera të rëndësishme të këtij eventi me më shumë se 100 mijë vizitorë, siç është çmimi “Human Rights Award”, për disa çmime që akordohen nga “Al Jazeera”, dhe për “EDN Talent Grant”. Pas shfaqjes së dokumentarit, në datën 17 gusht do të organizohet një debat në “DocuCorner”, një formë kjo interaktive mes të rinjve dhe regjisorëve që synon të ngjallë debat dhe diskutime. Këtë vit, festivali u ka kushtuar një hapësirë të veçantë të drejtave të njeriut, ku një program i tërë filmash me temë nga të drejtat e njeriut do të shfaqet në ekranin e madh. Përveç Shqipërisë, që këtë vit konkurron me dokumentarin “SkaNdal”, janë plot 20 vende të botës pjesë e së njëjtës garë. Ceremonia e hapjes së Festivalit Jubile u zhvillua dje në Teatrin Kombëtar të Sarajës, ku u shtrua dhe tapeti i kuq. Përgjatë 9 ditëve, publiku do të shohë 246 filma që konkurrojnë sipas sesioneve të ndryshme. “Zemra e Sarajevës” u nda dje për dizajnuesen Agnes B. dhe regjisorin Gael Garcia Bernal në ceremoninë e hapjes së festivalit. Në natën finale të ndarjes së çmimeve të festivalit, regjisori Danis Tanoviç do të nderohet me kupën “Zemra e Sarajevës”. Tre filma u prezantuan në ditën e parë, të edicionit XX të festivalit. Kinemaja meksikane do të ketë një vend nderi gjatë ditëve të festivalit. Më 19 gusht, në skenën e festivalit do të jetë premiera e filmit më të fundit të regjisorit Isa Qosja, “Tri dritare dhe një varje”, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Filmi tregon historinë e Lushes, një mësuese fshati, e cila i tregon në një intervistë një gazetareje të huaj se është dhunuar bashkë me tri gra të tjera të fshatit gjatë luftës në Kosovë. Si pasojë, burrat e fshatit kërkojnë largimin e saj nga fshati, pasi i ka turpëruar. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të filmit në Ballkan.

Kosova, përgatitet për “Oskar”

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë publike dje emrat e jurisë që do të përzgjedhin filmin kosovar, i cili do të shkojë në garën e çmimeve “Oskar” për kategorinë e filmit më të mirë të huaj. Juria kryesohet nga aktorja e njohur Arta Dobroshi, regjisorja Blerta Zeqiri, dramaturgu Jeton Neziraj, artisti Albert Heta, aktori Alban Ukaj dhe kameramani Sylejman Kllokoqi. “Ky është moment historik për popullin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë tonë që kemi mundësi të nominojmë një film për ‘Oskar’. Ndihem shumë e nderuar që jam presidente e komitetit selektues nga Kosova. Shumë urime Kosovë”, është shprehur Dobroshi. Kjo juri do të përzgjedhë deri në datën 20 shtator filmin kosovar që do të promovohet në SHBA përmes “European Film Promotion”, ku Qendra Kinematografike e Kosovës është anëtare.

Më 6 gusht, QKK-ja ka ftuar të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin për filmin më të mirë të huaj “Oskar”, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit. Të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur për shtatë ditë rresht në kinematë kosovare nga tetori 2013 deri në shtator 2014 dhe që i plotësojnë kushtet e tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”. Në muajin korrik, “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, që ndanë çmimet “Oskar”, e ka njoftuar Qendrën Kinematografike të Kosovës se nga ky vit ka të drejtë të propozojë një film për konsiderim për çmimin në kategorinë e filmit të huaj. Ky njoftim erdhi pas aplikimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës këtë vit dhe pas përmbushjes së kritereve të akademisë dhe lobimit ndërkombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button