Një grua në krye të Bashkisë së Tiranës? Kodheli: Qetësohuni, nuk jam unë!
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në një bashkëbisedim me gazetarët e agjencive të lajmeve on line në vend hodhi poshtë mundësinë për të qënë kandidatja femër e propozuar nga Partia Socialiste në krye të Bashkisë së Tiranës.
Meqenëse pak ditë më parë, kryeministri Rama e la të hapur mundësinë se edhe një grua mund të ishte kryebashkiakja e radhës, Kodheli mohon të jetë ajo.
“Qetësohuni, nuk jam unë”, ka thënë ministrja.
E pyetur nëse do ti rikthehej Bashkisë së kryeqytetit, duke u nisur nga eksperienca e saj disavjeçare si nënkryetare, Kodheli sqaron se “Unë nuk iu kthehem më punëve nga të cilat kam dhënë dorëheqjen”.
Ministrja nuk e mohoi që Bashkia e Tiranës ka nevojë të drejtohet nga një njeri që punon fort, ndërsa nuk nguroi të shprehë rezervat e saj për mënyrën se si punohet sot në atë bashki.