Libri

Një grua si Wendy Luers

Me Wendy Luers, në një rrëfim për Çekinë e viteve 1983, kur gruaja e një ambasadori amerikan do të sfidonte komunizmin… dhe artin bashkëkohor sot…

Nga Alda Bardhyli

Wendy Luers ka vendosur në qafë një shall të lehtë plot ngjyra si një tablo kontemporane arti. Gruaja e njohur për festat që bënin bashkë diplomatë dhe njerëz të artit, ish-gazetare e “Vanity Fair”, apo “Amnesty International” për t’u kthyer më pas në një nga femrat më me ndikim në botën e artit vazhdon të besojë te mënyra sesi arti mund të ndryshojë politika. E ulur në bordurën e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku Wendy ishte disa ditë, këtë mars ajo vazhdon të shohë larg…Do kishte dashur ta ndiente diellin e Tiranës vite më parë. Ndoshta atëherë kur flokët i mbante kafe dhe të lidhura fliste me John Updike (shkrimtar i njohur amerikan) mbi komunizmin. Atij gjithnjë i pëlqenin bisedat me të. Ka një forcë në komunikimin me këtë grua, e cila fare thjesht si të jetë duke ndërtuar një telajo të bën pjesë të mendimeve të saj. Wendy do gjithnjë t’ia dalë…Në vitet ’60-’70, ajo do të përkrahte përmes shkrimeve lëvizjet që përfunduan me revolta mbi lirinë e fjalës, apo atë seksuale, të drejtën e gruas. Atëherë San Francisko qyteti ku jetonte i ngjasonte një bote të madhe ku mund të gjeje komunitete nga më të ndryshmit. Me dëshirën e një gruaje që do ta zbulojë shpejt jetën, ajo martohet me një arkitekt me të cilin do të ketë dy fëmijë, martesë që do të përfundojë shumë shpejt në divorc. Gjithçka do të ndryshonte në jetën e saj si gazetare pas takimit me Bill Luers diplomat karriere. Tashmë duke e njohur më mirë jetën, Wendy do të gjente te ky burrë jo vetëm dashurinë, por një pjesë tjetër të sajën tek e cila mund të mbështetej fort. Kur Bill u emërua ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Çekosllovaki, ajo nuk mund ta mendonte se bashkë me valixhet me rroba, fëmijët dhe qentë, ndalesa në Petschek Palace, rezidencën amerikane me 65 dhoma në Pragë do të hapte një tjetër kapitull në jetën e saj. “Ishte dhjetor i vitit 1983 kur mbërritëm në Pragë. Gjithçka ishte errësirë dhe komunizmi ishte në kulmin e tij”, tregon ajo. E lidhur me botën e kulturës Wendy dhe ambasadori Luers e dinin se gjëja e parë që duhet të bënin ishte të takonin njerëzit më të rëndësishëm të kulturës së atij vendi, një pjesë e të cilëve ishin disidentë. “Kjo nuk ishte një ide e qeverisë amerikane, por një ide jona personale e cila kishte të bënte me pikëpamjet tona mbi kulturën. Për fat të mirë ne kishim miq të shumtë nga bota e artit në SHBA, të cilët shumë shpejt do t’i ftonim të vizitonin Pragën, dhe të na ndihmonin për ta bërë të njohur vendin te të huajt”, tregon Wendy. Në Çekosllovakinë komuniste, nga rezidenca e amerikane e cila shihej si hapësira e armikut, Wendy do të niste strategjinë e saj për të depërtuar në zemrën e këtij vendi që ishte kultura. Ajo nuk mund ta mendonte si do të shkonte ky rrugëtim, por e dinte se çdo takim, çdo hapje ndaj një mendimi tjetër do të sillte diçka të re, e cila nesër do të ndihmonte për një Çekosllovaki të çliruar. Ajo nisi t’u shkruante një nga një miqve të saj në SHBA, emra të njohur të kulturës duke i ftuar të rrinin ditë ose javë në rezidencën e saj. Për fat, qeveria çekosllovake do t’i lejonte ata të udhëtonin në Çekosllovaki. “Ne dëshironim t’i ftonim ata të vizitonin Pragën. Ata nuk do të vinin si të ftuar nga Departamenti i Shtetit, por si të ftuarit tanë privatë, pasi ne kërkonim të kontribuonin duke e prezantuar Çekosllovakinë te të huajt. Të njëjtën gjë bëmë me muzetë dhe kuratorët. Ne filluam të selektonim emrat e artistëve të njohur…”, tregon ajo. John Updike, William Styron, Frank Stella, Arthur Miller etj., do të mbërrinin shumë shpejt në Pragë si të ftuarit e çiftit Luers. Wendy ruan shumë kujtime nga ato vizita të paharrueshme të amerikanëve në një vend komunist si Çekia. Një moment i tillë është dhe e diela kur John Updike kërkoi të vizitonte varrin e Kafkës. “Me Updike ishim miq të vjetër, kemi qenë bashkë edhe në Venezuelë, Rusi, ndaj ai iu përgjigj menjëherë ftesës për të ardhur në Pragë. Një të diel, ai kërkoi të shkonim të vizitonim varrin e Franc Kafkës. Të tre bashkë me Billin i cili ngiste makinën u nisëm për te varrezat, por jo me makinën e ambasadës, por private. Kur mbërritëm atje dera e varrezës ishte mbyllur, pasi ishte e diel pushim. Ne i ramë borisë dhe një grua doli në dritare dhe na tha se porta nuk mund të hapet se është pushim e duhet të iknim. Atëherë Bill nxori flamurin amerikan dhe tha se ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara. Sërish ajo nuk e hapi. Kur Bill tha se në makinë ishte John Updike, atëherë ajo na e hapi portën”, tregon Wendy. Pavarësisht skemave të soc-realizmit, John Updike ishte një personazh i njohur për lexuesin çek. Por ideja për të depërtuar përmes artit nuk ishte dhe aq e lehtë. “Ne e dinim që çdo çek që mund të vinte për të punuar në rezidencë ishte spiun dhe që ishim të survejuar gjatë gjithë kohës. Lëvizjet e tim shoqi ishin të kontrolluara, kështu më duhej të veproja unë. Dola nga rezidenca dhe nisa të takoja një nga një artistë të njohur çekë, duke i gjetur aty ku ishin. Ndërkohë, kisha shkuar në Musseum of Modern Arts dhe u kisha kërkuar të më dërgonin katalogë të artit nga galeri dhe muze të ndryshëm dhe këto ua jepja artistëve çekë, për të njohur një pjesë arti të cilët nuk kishin ku ta shihnin”, tregon Wendy. Në shkurt të vitit 1984 vetëm një vit nga mbërritja e saj në Pragë ajo organizon festën e parë në ambasadë, duke i ftuar të gjithë këta artistë që kishte takuar. “Ne i ftuam të gjithë këta njerëz, por nuk ishim të sigurt nëse ata do të vinin, pasi ne shiheshim si armiq. Kishim ftuar gjithashtu edhe nga Ministria e Kulturës, organizata të ndryshme. Ne kishim vënë makinën e ambasadës që të shkonte t’i merrte ata. Pritja ishte në orën 6:00 pasdite. Nuk mund t’i harroj ato minuta teksa prisnim dhe 20 minuta para orës 6:00 ne duhet të mendonim si të shtonim gotat pasi ishim më shumë se 200 njerëz që kishin mbërritur”, thotë Luers. Kjo mbrëmje do të konsiderohej si fillimi i një revolucioni të heshtur që do të çonte më pas në lëvizjet që ndodhën në Çekosllovaki. Tashmë Wendy nuk do të ndalej. Ajo do të udhëtonte kudo nëpër Çekosllovaki për t’i gjetur artistët ku ishin e për t’i takuar dhe për t’i njohur me artin bashkëkohor. Kjo është periudha kur ajo njihet me Vaclav Havel dhe të shoqen Olga, vëllain e tij Ivan Havel dhe të shoqen Dasa. Gjithë kjo lëvizje do të zgjaste vetëm dy vjet e gjysmë, pasi ambasadorit Luers do t’i besohej një tjetër detyrë. “Në vitin 1986 Bill u emërua president i Muzeut Metropolitan të Arteve në Nju Jork dhe ne u larguam nga Çekosllovakia, por nuk mund të ndaheshim lehtë nga ajo çfarë kishim jetuar aty. Ne shkonim shpesh për t’i takuar ata në Pragë, pasi ata nuk kishin viza për të na vizituar ne. Kështu ktheheshim çdo vit në Pragë dhe jepnim një darkë tek ‘The Seven Angles’, në Pragën e vjetër ku ftonim të gjithë miqtë ndër të cilët ishte dhe Havel. Sigurisht ne e dinim që kishim agjentë kudo, por kjo ishte një darkë shumë frytdhënëse”, thotë Luer. Wendy nuk ishte në Çekosllovaki kur ndodhi Revolucioni i Kadifenjtë i cili do të shënonte dhe rrëzimin e komunizmit. Ajo ndodhej në Nju Jork, duke punuar për Organizatën e të Drejtave të Njeriut. “Ne udhëtuam në prag të Krishtlindjeve për në Pragë për të dhënë të njëjtën darkë që jepnim çdo vit për miqtë. Darka u dha më 28 dhjetor 1989, dhe ishte një moment i rëndësishëm për Vaclav Havel, pasi ishte një natë para se ai të bëhej president. Ishte e jashtëzakonshme. Ne po jepnim një darkë për miqtë tanë, që nga e nesërmja do të ishin presidentë apo ministra…”, kujton Wendy. Pas viteve të burgut, Havel ishte me xhinse… Wendy kujton si e veshi presidentin e ardhshëm të Çekisë, njeriun që vazhdon të kujtohet si një nga personalitetet jo vetëm të rezidencës komuniste, por edhe të politikës dhe mendimit. Bill do t’i jepte kollaren, e rroba të tjera me të cilat ai do të shkonte të nesërmen drejt betimit si president. Ceremonia e betimit ishte një emocion që Wendy nuk do ta harrojë asnjëherë. Gjithë bota kishte ndalur sytë në Vladislav Hall në Kështjellën e Pragës, aty ku po shënjohej një etapë e re në jetën e Çekosllovakisë. Ka shumë kujtime nga ky moment, por ai që do të kujtoj është ajo që Haveli e kuptoi që komunizmi ishte kafe, i zymtë dhe gri. Ishte një ceremoni historike. Kostumografi Theodor Pistek, i cili kishte krijuar uniformat që do shoqëronin ceremoninë ishte aty. “Olga dhe Vaclav ishin ulur në karrige pranë altarit të betimit, ndërsa unë me Billin përballë tyre, ku ndodhej dhe ministri i Mbrojtjes, i cili ishte një gjeneral gjatë kohës së komunizmit. Ne të gjithëve na rrodhën lotët, edhe ministrit të Mbrojtjes…”. Më 1 janar të vitit 1990, kryeministri Jan Carnogursky do të ftonte çiftin Luers për drekë në rezidencën e tij në Pragë. Ai do të kthehej nga ajo e do t’i thoshte: “Wendy ne duam që ti të na ndihmosh për ndërtimin e një Çekosllovakie të lirë”. Ajo do të kthehej nga ai e do t’i thoshte: “Si mund ta bëj unë këtë, nuk jam avokate, por njoh dikë i cili do të ishte i nderuar t’ju ndihmonte”. Lloyd Cutler, këshilltari i Carter në Shtëpinë e Bardhë dhe më vonë i presidentit Bill Klinton, ishte njeriu i duhur në këtë moment. Pak kohë më vonë pas sugjerimit të Wendy-t ai do të jepte kontributin e tij në Çekosllovakinë pas rënies së komunizmit. “Lloyd dhe unë u këshilluam me ekspertë amerikanë nga Shkolla e Drejtësisë dhe sollëm ekspertë nga vende të ndryshme të Europës për të dhënë kontributin e tyre për institucionet e reja në Çekosllovaki. Në të njëjtën kohë Billi dhe unë erdhëm në SHBA. Fondacioni Ford na ndihmoi duke sjellë grupe interesi të interesuar për këtë vend, përfshirë këtu dhe George Sorros… Diku në janar të vitit 1990, rreth 50 njerëz të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara u bënë bashkë rreth kësaj kauze. E vetmja gjë që ata kërkonin ishte një pikë kontakti. George Soros i ulur pranë Billit gjatë drekës do të shprehej: “Do t’i jap Wendy-t një zyrë dhe një sekretare”. Ditën tjetër ajo do të merrte një zyrë ngjitur me Soros. Kujton se si shkrimtare kishte punuar gjithnjë e lirë dhe nuk dinte asgjë mbi funksionimin e një NGO-je. Thjesht u ul mbi letra dhe e vetme ndërtoi strategjinë si do t’ia dilte. Kontributi i Wendy-t nuk është vetëm në Çekosllovakinë para dhe pas Revolucionit të Kadifenjtë, një kontribut që e bëri për një vend për të cilin u lidh shpirtërisht. Kontributi i saj është në shumë programe të rëndësishme politike. Në botën e artit, ajo njihet për mbështetjen që i ka dhënë të rinjve, kryesisht dhe përmes programit të rezidencave, nëpërmjet të cilave kanë përfituar dhe disa artistë shqiptarë. Wendy është emëruar nga ish-presidenti Regan në Këshillin Kombëtar të Arteve (1988-1994) dhe është caktuar nga presidenti Bill Klinton si kryetare e përzgjedhjes së programit Fellow të Shtëpisë së Bardhë si dhe është themeluese e projektit “Arti në ambasada”. Anëtare e bordeve me vendimmarrje të rëndësishme, Wendy është pjesë e disa projekteve që operojnë sot në Europë. Gjithë jeta e saj është një kërkim “të një bote më të mirë”, siç shprehet ajo, por dhe një mënyrë për të parë se ka një rrugë përmes së cilës mund t’ia dalësh, ashtu si Wendy ia doli në Çekosllovakinë e errët, vite më parë. Pas udhëtimeve të gjata kthimet e bukura për të tani mbeten vetëm në Nju Jork, aty ku e pret Billi, por dhe familja e madhe me gjashtë fëmijë e dhjetëra nipër e mbesa, të cilët ajo i mban gjithnjë me vete, në një byzylyk me emrat e tyre në dorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button