Një ish-diplomat amerikan pranon se ka punuar si agjent i Kubës
Një ish-diplomat amerikan i tha një gjykatësi federal të enjten se do të pranojë fajësinë për akuzat se ka punuar për dekada si agjent sekret për Kubën komuniste, një zgjidhje e papritur e shpejtë e një çështjeje që prokurorët e kishin quajtur një nga tradhtitë më të rënda në historinë e Shërbimit të Huaj të Departamentit të Shtetit.
Prokurorët dhe avokati i ish-diplomatit 73 vjeçar Manuel Rocha thanë se marrëveshja për pranimin e fajësisë përfshin një dënim, për të cilin është rënë dakord, por ata nuk zbuluan detaje të tjera në një seancë në gjykatë që u mbajt të enjten. Ai do të kthehet në gjykatë më 12 prill, kur është planifikuar të zyrtarizojë pranimin e fajësisë dhe të marrë dënimin.
“Jam dakord”, tha zoti Rocha, me pranga në duar dhe këmbë, kur u pyet nga gjykatësja Beth Bloom nëse dëshiron të ndryshojë deklarimin e pafajësisë. Prokurorët, në këmbim, ranë dakord të heqin dorë nga 13 akuza, përfshirë ato për transferime të paligjshme të parave dhe dhënien e deklaratave të rreme.
Seanca e shkurtër nuk hodhi dritë të re mbi pyetjen që ka rezultuar e pashpjegueshme që nga arrestimi i zotit Rocha në dhjetor: Çfarë bëri ai saktësisht për të ndihmuar Kubën ndërsa punonte në Departamentin e Shtetit për dy dekada? Ai ka shërbyer si ambasador në Bolivi dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në ambasadat në Argjentinë, Meksikë, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Seksionin e Interesave të Shteteve të Bashkuara në Havanë.
“Ambasador Rocha”, siç preferonte të quhej ai, ishte i njohur në mesin e elitës së Majemit për stilin e tij aristokratik, pothuajse mbretëror, që përshtatej me nivelin e tij të lartë të arsimimit në universitetet më të mira të Amerikës. Pas largimit nga Departamenti i Shtetit ai punoi si këshilltar special i komandantit të Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara dhe së fundmi si një mbështetës i fortë i ish Presidentit Donald Trump dhe i vijës së ashpër ndaj Kubës, një personazh që miqtë dhe prokurorët thonë se zoti Rocha e adoptoi për të fshehur besnikërinë e tij të vërtetë.
Peter Lapp, i cili mbikëqyri operacionet e FBI-së kundër Kubës midis viteve 1998 dhe 2005, tha se nga zgjidhja e shpejtë e çështjes përfiton jo vetëm zoti Rocha, por edhe qeveria, e cila do të mësojë shumë rreth depërtimit të Kubës në qarqet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Zakonisht në rastet e kundërzbulimit, i pandehuri akuzohet për spiunazh. Por zoti Rocha u akuzua për krimet më të vogla të veprimit si agjent i huaj, të cilat mbartin dënime maksimale nga pesë deri në 10 vjet burg, duke e bërë më të lehtë për prokurorët dhe zotin Rocha që të arrijnë një marrëveshje.
“Është një zgjidhje e favorshme për të dyja palët”, tha zoti Lapp, i cili drejtoi hetimin ndaj zonjës Ana Montes, zyrtarja më e lartë amerikane e dënuar ndonjëherë për spiunazh për Kubën. “Ai merr një shpërblim të konsiderueshëm dhe mundësinë për të parë përsëri familjen e tij dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të kryejnë një vlerësim të plotë të dëmit që nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e tij.”
Por marrëveshja u kritikua nga komunitetin kuban dhe disa ekspertë ligjorë që thanë se dënimi ndaj tij mund të jetë shumë i lehtë.
“Çdo dënim që e lejon atë të shohë përsëri dritën e ditës nuk do të ishte drejtësi”, tha Carlos Trujillo, një avokat në Majemi që ka shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë administratës së Presidentit Trump. “Ai është një spiun i një armiku të huaj që u ka rrezikuar jetën amerikanëve.”
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.