🌫️
Tiranë 13°C · Mjegull 09 May 2026
S&P 500 7,399 ▲0.84%
DOW 49,609 ▲0.02%
NASDAQ 26,247 ▲1.71%
NAFTA 95.42 ▲0.64%
ARI 4,731 ▲0.42%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1775 EUR/GBP 0.8649 EUR/CHF 0.9152 EUR/ALL 95.5204 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4017 EUR/TRY 53.4245 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.6102 EUR/USD 1.1775 EUR/GBP 0.8649 EUR/CHF 0.9152 EUR/ALL 95.5204 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4017 EUR/TRY 53.4245 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.6102
₿ CRYPTO
BTC $80,853 ▲ +0.92% ETH $2,331 ▲ +1.13% XRP $1.4221 ▲ +0.65% SOL $93.3400 ▲ +1.67%
S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 % S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 %
EUR/USD 1.1775 EUR/GBP 0.8649 EUR/CHF 0.9152 EUR/ALL 95.5204 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4017 EUR/TRY 53.4245 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.6102 EUR/USD 1.1775 EUR/GBP 0.8649 EUR/CHF 0.9152 EUR/ALL 95.5204 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4017 EUR/TRY 53.4245 EUR/JPY 184.48 EUR/CAD 1.6102
09 May 2026
Breaking
Ekonomia

Një monedhë muskulore dhe basti masiv i gazit të lëngshëm

Lajmet Kryesore Nga Vendi Opinion i pavarur

Një monedhë muskulore dhe basti masiv i gazit të lëngshëm

Share Share Icon

Nga Fatos Fico

 

Për një vëzhgues sipërfaqësor, stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë mund të duket si një histori suksesi. Leku shqiptar po forcohet nga dita në ditë, duke thyer rekorde kundrejt Euros dhe Dollarit, e ushqyer kjo forcë nga bumi turistik, remitancat dhe një ekonomi informale e konsiderueshme.

Pas kësaj fasade të një monedhe të fortë fshihet një paralizë strukturore që po ngadalëson zhvillimin. Për një vend në zhvillim, një monedhë e mbivlerësuar nuk është domosdoshmërisht një medalje nderi, më shpesh është një peshë e rëndë që mbyt prodhimin vendas. Siç tregon historia shqiptare, ky nuk është një gabim i ri.

 

Kthim në të kaluarën: Sindroma e Frangës së arit

Po të kthehemi një shekull pas, në epokën e Mbretit Zog, kur Shqipëria adoptoi “frangën e arit” si monedhën e saj — një valutë jashtëzakonisht e fortë, e bazuar mbi standardin e arit dhe e menaxhuar nga Banka Kombëtare e Shqipnisë, e kontrolluar kjo e fundit nga kapitali italian, pasojat qenë fatale për prodhimin vendas.

Asaj kohe, ashtu si sot, ajo dukej si një periudhë e mirë prosperiteti dhe modernizimi. Përmes injektimeve të borxhit të huaj, veçanërisht përmes huasë të SVEA-s prej rreth 50 milionë frangash ari të marrë në vitin 1925, u krijua fasada e një shteti modern.

Paratë u derdhën së pari në infrastrukturë, u ndërtuan rrugë, ura të rëndësishme, si Ura e Zogut mbi lumin Mat, Porti i Durrësit, si dhe godinat monumentale të ministrive që sot përbëjnë qendrën e Tiranës. U krijua kështu ngrehina fizike e një shteti në fillimet e tij, por ky zhvillim i pjesshëm infrastrukturor nuk u shoqërua me aktivitete të reja prodhuese.

Përkundrazi, kjo fasadë e fshihte trupin e vërtetë të ekonomisë reale. Monedha lokale shumë e fortë i bëri importet jashtëzakonisht të lira, duke shkatërruar çdo shtysë për të investuar në punishte apo fabrika vendase. Nga ana tjetër, bujku dhe blegtori shqiptar u përballën me goditje të rënda.

Produktet tradicionale si vaji i ullirit, leshi, duhani apo djathi u bënë të pamundura për t’u shitur jashtë. Tregjet tradicionale fqinje, si Greqia, Italia, ish-Jugosllavia, etj., gjetën alternativa më të lira, sepse vlera e lartë e frangës i ktheu mallrat shqiptare në “produkte të shtrenjta”, vështirë të konkurrueshme me çmimin e kthyer në monedhën shqiptare.

Të dhënat historike të viteve 1928-1930 e ilustrojnë këtë shembull, ndërkohë që tregu vendas mbushej me mallra të huaja importi, prodhimi vendas po tkurrej. Statistikat tregojnë se në vitin 1928, importet llogariteshin në rreth 32.3 milionë franga ari, ndërsa në vitin 1929 ato u rritën ndjeshëm, duke arritur në 38.6 milionë franga.

Gjatë së njëjtës periudhë, eksportet shqiptare kishin ngrirë në rreth 14.6 milionë franga dhe shumë shpejt filluan një rënie të lirë. Në vitin 1930, vlera e eksporteve ra në 12.3 milionë franga ari, duke e rritur dhe më tej deficitin tregtar.

Monedha e fortë stimuloi një rritje të importeve ndërsa asfiksoi prodhimin vendas dhe eksportet, një dëshmi e vjetër se “çimentoja dhe ndërtimi”, apo krenaria me monedhën e fortë nuk sjellin zhvillim pa e mbrojtur prodhimin vendas.

 

 

Sëmundja holandeze dhe “Institucionet ekstraktive”

Sot, historia po rishfaqet përmes Lekut. Eksportuesit shqiptarë, veçanërisht sektori fason dhe ata pak prodhues të mirëfilltë industrialë, po asfiksohen. Çdo qindarkë që Leku fiton në kursin e këmbimit është një taksë e drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë e tyre jashtë vendit.

Por paraliza dhe konkurrenca nuk ndalet te kufijtë, ajo po zhduk me shpejtësi edhe tregun e brendshëm. Kur një euro këmbehej me mbi 120 lekë vetëm pak vite më parë, prodhuesi vendas i ushqimeve apo materialeve kishte hapësirë të konkurronte me produktet e huaja.

Sot, me Euron që ka rënë në nivelet e rreth 95-100 lekëve, importet hyjnë në Shqipëri rreth 20% më lirë vetëm falë efektit të kursit të këmbimit. Kjo bën që produktet e importuara, nga bulmeti europian e deri te materialet e ndërtimit, të nxjerrin nga tregu prodhuesin lokal shqiptar, i cili përballet vazhdimisht me rritje të kostos së punës brenda vendit, por nuk i rrit dot çmimet pa humbur blerësit.

Të dhënat janë alarmante dhe tregojnë një tkurrje masive të prodhimit. Ndërkohë që faturat e importeve kanë kapërcyer nivele rekord rreth 900 miliardë lekë në vit, eksportet kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Sektori i tekstileve dhe këpucëve, që ka mbajtur historikisht barrën kryesore të punësimit industrial në vend, ka qenë viktima e parë.

Mijëra vende pune kanë humbur, dhjetëra fabrika kanë reduktuar kapacitetet me 30-40% dhe shumë biznese të vogla e të mesme fason janë mbyllur përfundimisht sepse kostot në lekë i tejkaluan të ardhurat e tyre në euro.

Ky deindustrializim dhe goditja e punësimit është një formë klasike e “Sëmundjes holandeze”, ku flukset masive hyrëse, në rastin e Shqipërisë, turizmi, patundshmëritë dhe kapitali joformal, mbivlerësojnë monedhën vendase, duke shkatërruar atë pak industri ekzistuese.

Ky deindustrializim thelbësor nuk dëmton vetëm bilancin tregtar, por mban peng të ardhmen e vetë fuqisë punëtore shqiptare. Të dhënat nga INSTAT konfirmojnë një realitet të hidhur: rreth 57.1% e të punësuarve në vend janë ende të angazhuar në sektorë që kërkojnë kryesisht “punë krahu”.

Në këtë fashë, peshën kryesore e mban bujqësia me gati 36.7% të punësimit total. Fermerët po vuajnë një goditje të dyfishtë, nga njëra anë produktet e importit hyjnë më lirë prej Lekut të fortë, dhe nga ana tjetër përballen me një mungesë të theksuar subvencionesh në krahasim me fermerët e rajonit, duke i lënë jashtë loje dhe duke nxitur braktisjen masive të tokave.

Për ta vënë këtë në perspektivë krahasuese, në vendet e Bashkimit Europian, punët manuale dhe fizike janë mesatarisht vetëm rreth 8% deri në 10% të tregut të punës, sipas Eurostat-it. Ekonomitë europiane kanë kaluar në automatizim, teknologji, industri të rëndë të avancuar dhe shërbime me vlerë të lartë.

Fakti që më shumë se një në dy shqiptarë, mbi 670 mijë persona, e sigurojnë jetesën me punën e krahut, në sektorë me produktivitet të ulët, thekson kërkesën e madhe për një industrializim të mirëfilltë. Pa fabrika moderne që automatizojnë proceset dhe ngrenë vlerën e asaj që prodhohet, kjo ushtri punëtorësh mbetet e dënuar me paga të ulëta mbijetese, të pambrojtur nga krizat, dhe kursi i këmbimit.

Por, monedha është vetëm gjysma e ekuacionit. Shqipëria jeton tashmë prej dekadash me atë që ekonomistët Acemoglu e Robinson i konsiderojnë “institucione ekstraktive”. Kapitali i huaj serioz, ai që sjell fabrika, teknologji dhe zinxhirë vlerash, nuk trembet thjesht nga një Lek i fortë.

Ai së pari zmbrapset nga mungesa e shtetit të së drejtës, paqartësia e të drejtave të pronësisë, dhe një mjedis biznesi ku rregullat e lojës shpesh diktohen nga oligarkitë lokale. Në një mjedis të tillë, paratë nuk shkojnë as në kërkim dhe zhvillim, apo në prodhim industrial, por derdhen në blloqe betoni dhe kulla rezidenciale, sektori i vetëm ku prona, edhe pse shpesh e paqartë, përkthehet në fitime të shpejta.

Përtej mjedisit të vështirë të pronësisë dhe shtetit të së drejtës, ky deindustrializim çimentohet edhe nga një sërë problemesh të tjera, të cilat veprojnë si frenues për çdo investim serioz prodhues

  • Kriza e kapitalit njerëzor dhe emigrimi: Largimi masiv i të rinjve dhe profesionistëve ka krijuar mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Asnjë industri moderne nuk mund të ngrihet pa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë të specializuar që tashmë u drejtohen tregut europian.
  • Burokracia dhe kostoja e korrupsionit: Investitorët vendas dhe të huaj përballen shpesh me labirinte administrative, leje të vonuara dhe një kosto joformale që prishin çdo parashikim biznesi dhe dekurajojnë kapitalin e ndershëm
  • Aksesi i kufizuar dhe i shtrenjtë në financim: Sistemi bankar në vend priret të financojë tregtinë, konsumin e shpejtë dhe sektorin e ndërtimit. Nga ana tjetër, kreditimi për makineri industriale, inovacion apo ngritje fabrikash mbetet me norma interesi më të larta dhe kolaterale të vështira për t’u përmbushur
  • Infrastruktura logjistike dhe kostot e energjisë: Pavarësisht investimeve në akset kryesore rrugore, infrastruktura lidhëse për zonat e mundshme industriale, linjat e transportit hekurudhor dhe portual, si dhe tarifat e larta të energjisë për bizneset prodhuese, rrisin artificialisht kostot e operimit, duke e bërë produktin shqiptar edhe më pak konkurrues.

 

 

Basti i gazit: Energjia në kërkim të motorit

Kjo mungesë e theksuar e kapacitetit industrial e bën një zhvillim të fundit gjeopolitik veçanërisht të diskutueshëm — marrëveshjen e saponënshkruar me Shtetet e Bashkuara për Gazin e Lëngshëm Natyror (LNG). Përtej entuziazmit diplomatik, natyra e kësaj kontrate tregtare 20-vjeçare prej 6 miliardë dollarësh, e cila bazohet në parimin take-or-pay, merre ose paguaj, ngre disa pikëpyetje.

Lajmet konfirmojnë se kjo kontratë për furnizimin me 1 miliard metra kub (1 bcm) gaz në vit, u zyrtarizua si një zgjidhje strategjike e kërkuar nga partnerët tanë (SHBA) për të siguruar korridorin energjetik të Ballkanit. Por, ajo që është një fitore gjeopolitike për Uashingtonin, mund të kthehet në një faturë të kripur për Tiranën, nëse motori ynë industrial i ardhshëm nuk përputhet me këtë sasi energjie.

Në një kontratë take-or-pay, blerësi detyrohet të paguajë për sasinë e kontraktuar, pavarësisht nëse e konsumon atë apo jo. Gazi është lënda e parë jetësore për industrinë e rëndë, por edhe nëse e ngremë këtë industri, Shqipëria do të përballet me murin e politikave të gjelbra të BE-së.

Taksonomia europiane e konsideron gazin si karburant tranzicioni, por kuotat falas të karbonit do të zerohen në vitin 2034. Kjo e kthen anëtarësimin në BE në një imperativ mbijetese, nëse mbetemi jashtë, “Taksa e Karbonit” (CBAM) do t’i trajtojë eksportet tona si produkte të një “vendi të tretë ndotës”, duke e bërë gazin një kosto të papërballueshme.

Pa një treg rajonal të sigurt, ku fqinjët si Greqia, Italia e Kroacia kanë vite avantazh me terminalet e tyre LNG të financuara nga BE, i gjithë vëllimi i kontraktuar duhet të konsumohet në tregun e brendshëm.

Për ta vënë në perspektivë: 1 miliard metra kub gaz në vit kërkojnë ngritjen e një ose dy TEC-eve me fuqi totale rreth 700-750 MW që punojnë pa pushim. Ato do të prodhojnë afërsisht 5.8 Teravat/orë (TWh) në vit — një sasi e barabartë me të gjithë prodhimin aktual elektrik të Shqipërisë. Kërkesa kombëtare për energji do të duhet praktikisht të dyfishohet, një nivel që nuk arrihet pa aktivitete të reja dhe me marzhe të larta fitimi.

Disa analistë propozojnë Qendrat e të Dhënave (Data Centers) dhe Inteligjencën Artificiale (IA) si konsumatorët e rinj. Hapat e parë po hidhen, si projekti i konsorciumit izraelit (ADC) për një qendër 32 MW afër Tiranës. Për të mos rënë në grackën e një nihilizmi teknologjik, duhet ndarë qartë nevoja jetike për sovranitet digjital kombëtar nga iluzioni i qendrave globale hyperscale.

Realiteti rajonal na tregon se cilët janë lojtarët e vërtetë,  Kroacia, për shembull, ka plane për një qendër gjigante të të dhënave me kapacitet 1 Gigavat (1,000 MW) — një projekt me vlerë miliarda euro që do të nisë ndërtimin në vitin 2027. Krahasimi është i thjeshtë: projekti kroat është 30 herë më i madh se ai shqiptar, dhe tregon se investimet “hyperscale” që mund të kërkojnë volume masive energjie, si ato të prodhuara nga 1 bcm gaz, po shkojnë drejt vendeve të BE-së me infrastrukturë tashmë të konsoliduar.

Edhe duke supozuar një rritje eksponenciale të kërkesës vendase, Shqipëria ka nevojë për rreth 2 ose 3 qendra të mesme për të mbajtur brenda kufijve cloud-in qeveritar dhe të dhënat bankare. Nevoja jonë legjitime për sovranitet digjital nuk mund të përdoret si alibi për të justifikuar kontratën masive të gazit.

Konsumi i kombinuar i 2-3 qendrave kombëtare rreth 60-100 MW mbetet i pamjaftueshëm për të konsumuar 750 MW që prodhon gazi. Për më tepër, këto qendra kërkojnë energji të pastër hidro për t’u kualifikuar me politikat e gjelbra. Dhe, nëse energjia e pastër e Drinit shkon për procesorët dhe ftohjen e tyre, qytetarit dhe biznesit të zakonshëm ju mbetet faturimi i energjisë së shtrenjtë nga gazi LNG. Kjo skemë e mundshme “privatizon përfitimet” dhe “socializon kostot”, duke shtrenjtuar potencialisht jetesën në emër të teknologjisë.

Basti rëndohet nga parashikimet globale për një “glut” ose mbifurnizim të LNG-së rreth vitit 2030, saktësisht kur hyn në fuqi dhe kontrata. Ndërsa çmimet e gazit në treg do të bien, Shqipëria do të jetë e lidhur me kostot e larta fikse të gazit LNG. I shtohet kësaj edhe hija e Rusisë, gazi natyror i transportuar me tubacione. Përfundimi i luftës në Ukrainë mund t’i shtyjë industritë europiane të rilidhen me rrjetin ekzistues të gazit të lirë rus (jo-LNG).

Shqipëria do të gjendet duke blerë gazin amerikan më të shtrenjtë për shkak të kostove fikse, lëngëzimit, transportit e rigazifikimit, për të respektuar kontratën, ndërkohë që të tjerët do të blejnë gazin e lirë rus apo tjetër në tregun spot. Siç paralajmëron shpesh FMN dhe Banka Botërore, kontrata të tilla take-or-pay mund të shndërrohen shpejt në “borxhe të fshehura” sovrane që rëndojnë direkt mbi buxhetin e shtetit.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Një monedhë lokale e mbivlerësuar, institucione që mbrojnë “status quo”-në, dhe zvarritin inovacionin, angazhime të rënda financiare afatgjata për energji pa pasur aktivitet industrial për ta konsumuar atë, janë përbërës të një recete për stanjacion.

Nëse nuk nisin reforma të dhimbshme strukturore për t’u dhënë mundësi dhe frymëmarrje prodhuesve, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend që konsumon duke importuar ato çfarë nuk prodhon. Dhe ashtu si Mbreti Zog zbuloi se rezervat e arit në bankat e Romës nuk i ushqenin dot fshatarët shqiptarë, liderët e sotëm mund të zbulojnë se depozitat plot me gaz të lëngshëm dhe arkat plot me lekë të fortë, nuk garantojnë një komb me mirëqenie ekonomike.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply Cancel reply

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.