Një punim me shumë vlerë për veprën madhore të Kadaresë
NGA SHPENDI TOPOLLAJ
(Rreth librit “Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i Vetmisë së Madhe” të Met Dervishit)
Me botimin e librit “Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i Vetmisë së Madhe” nga ana e autorit durrsak, Met Dervishi, me sa duket, fillon vlerësimi serioz i veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare, parë nga optika të ndryshme dhe gjithmonë duke theksuar antikonformizmin e tij me ato që rëndom quhen norma të realizmit socialist. Është tashmë jashtë çdo dyshimi se Kadareja mbetet përfaqësuesi më i rëndësishëm i letrave shqipe në të gjitha kohërat. Të japësh gjykime për veprën e Kadaresë, është një përgjegjësi jo e vogël, pasi gati – gati duhet të flasësh për një nobelist, ngaqë kandidimi i tij i pashembullt, për marrjen e këtij titulli, e bën të barabartë me ta. Por Met Dervishi, për këtë, i ka si kualitetet e nevojshme profesionale dhe intelektuale, ashtu dhe përvojën e duhur, pasi ka mbi supe një kohë të gjatë si pedagog dhe nga ana tjetër, prej penës së tij kanë dalë një mori shkrimesh dhe librash artistikë që janë pritur me shumë interes nga ana e lexuesve dhe kritika. Ky autor e di mirë se në galerinë e veprave të Ismailit, ka të tjerë libra që flasin ku e ku më qartë për mospajtimin e tij me realitetin e drejtimit të vendit nga një diktator komunist si E. Hoxha. Por, ai ka zgjedhur jo pa qëllim këtë roman, i cili ka pikërisht atë si protagonist dhe si i tillë ka ngjallur plot diskutime, si atëherë kur duhej ta hidhje vallen sipas ideologjisë dhe interesave të partisë – shtet, ashtu dhe tani në demokraci. Madje, këtë punë që atij i ka kushtuar plot dy vjet, ai me shumë të drejtë e ka konsideruar qysh në krye si një studim me karakter shkencor, pra një nga ato vepra që jemi mësuar t’i quajmë akademike. Dhe për ta realizuar sa më saktë dhe sa më bindshëm këtë, Met Dervishi përdor deri diku atë metodën historike krahasuese që njeh shkenca e letërsisë me emrin komparitivizëm. Gjatë shtjellimit të tij në favor të disidencës, së paku estetike të Kadaresë, Dervishi u referohet autorëve seriozë dhe të gjithëpranuar si M. Bachtin i cili teksa flet për romanin monologjik shkruan se në sistemet totalitare, përveç ndërgjegjes normative, ka dhe një kod normativ të receptimit të tekstit letrar, ndërsa për romanin polifonik me përfaqësues rusin Fjodor Dostojevski (1821- 1881) dhe irlandezin kurajoz, James Joyce (1882- 1941), ku përqaset dhe Kadareja, ai ka mendimin se “ideja, mendimi i autorit nuk duhet të ketë në vepër funksionin e ndriçimit të gjithë botës së paraqitur, por duhet të hyjë në to si imazh i njeriut, si orientim ndërmjet orientimeve të tjera, si fjalë ndërmjet fjalëve të tjera, si “bartës i idesë së vet”. Dhe këtu ai arrin në përfundimin se “Kadareja është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij. Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese”. Dhe vazhdon: “…te Kadareja, horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik te Kadareja krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin”.
Sikurse është e kuptueshme, autori Met Dervishi, e fut lexuesin në atmosferën e asaj kohe. Ai pa u zgjatur, përshkruan rreptësinë e kërkesave më së shumti paradoksale të aparatçikëve puthadorë dhe injorantë për letërsinë dhe pastaj ndalet më gjerë te reaksioni që shkaktoi dalja e këtij romani që i botuar me një tirazh shumë të pazakontë, shkoi te lexuesi brenda ditës. Ne jemi dëshmitarë të nxitimit për ta lexuar sa më parë, por edhe të debateve që libri shkaktoi. A kishim ne një lexues të aftë për ta kuptuar atë, sidomos edhe midis rreshtave? Natyrisht që po. Por ashtu sikurse thuhet në librin e Metit, stuhia që u ngrit kundër tij qe e akumuluar prej kohe dhe e orkestruar nga një dorë diabolike. Frederik Shalësi, i ra gongut i pari, pa e ditur se më pas do ta provonte në shpinën e tij dhe të familjes së tij poshtërsinë dhe pabesinë e atij regjimi. Kurse Kadareja, sikur e priste këtë sulm, dhe në pamundësi për t’u mbrojtur, u tregua i qetë në dukje. Veç shpirti i tij dhe i gruas së tij shkrimtare e dinë se ç’kanë hequr duke pritur të trokiste dera. Shqetësimi i tyre lidhej edhe me faktin se ata e dinin më mirë se askush tjetër që komunizmin nuk e donin, për të mos thënë se e urrenin. Ismaili e kishte ngacmuar përbindëshin, e kishte provokuar edhe më parë, dhe ishte i ndërgjegjshëm se edhe pa e bërë këtë, ai regjim nuk e donte, sikurse nuk i donte të gjithë të mençurit, të kulturuarit dhe të talentuarit. Ai nuk mund të mbyllte sytë dhe të flinte i qetë kur shihte se ndonjë prej tyre kishte fituar simpatinë e njerëzve. Duhej adhuruar vetëm një Zot dhe ai ishte rastësisht si Kadareja, po nga Gjirokastra. Ndaj, u tregua “shpirtmadh” dhe e fali. Mu atje në Kombinatin Metalurgjik. Para klasës punëtore. Pasazhe nga fjala e “autoritetit më të lartë të ligjërimit totalitar” plot indulgjencë, hipokrizi dhe mallëngjim për “dorën e ngrohtë të Partisë”, na jep edhe M. Dervishi në këtë libër:
– Kritikat dhe vërejtjet për një vepër letrare duhen bërë me kujdes e me vend dhe të jenë shoqërore.
S’ka më bukur! Para çdo kasaphane, kështu fliste ai që e fshihte nën mbulesat e kuqe të tavolinave të presidiumeve, tamam si sundimtari i Sirakuzës, shpatën e Demokleut.
Dhe më tej:
– Kritika i bën mirë njeriut. Edhe Ismailit si kujtdo i bëjnë mirë këto kritika. Ai, si shkrimtar, me horizont të gjerë kulturor dhe si komunist, do t’i rregullojë të metat e romanit, ndërsa çështja kryesore që është shumë therëse për revizionistët sovjetikë, duhet të mbetet, të mos lëvizë asnjë çikë, se është goditur mjaft mirë.
Tani gjykoni vetë: a ka nevojë ky qëndrim prej Jude për komente? Një gjë nuk e dinte Enver Hoxha; atë që ky gjirokastriti tjetër, nuk ishte si ai oborrtari i Dionis Plakut që për tmerrin e të tjerëve e mbante shpatën e rëndë dhe të lidhur vetëm me një qime kali, mbi kokë.
Nja dy vjet para se të botohej “Dimri…” bota e nderonte A. Solzhenicinin dhe natyrisht që Ismaili e njihte këtë fakt, për të mos thënë se nuk i kishte harruar fjalët e tij se “Këta njerëz që kishin përjetuar në lëkurën e tyre 24 vjet të lumturisë komuniste, e dinin që në 1941-in, atë që askush në botë nuk e kishte mësuar ende: që askund në planet, askund në histori nuk kishte një regjim më mizor, më të etur për gjak dhe në të njëjtën kohë më mashtrues dhe më të rafinuar sesa bolshevikët, regjimi i vetëmodeluar sovjetik.” (Arkipelagu Gulak). Po a nuk ishte deklaruar dhe Shqipëria e tillë? E si mund të pajtohej me mizoritë dhe hiletë e atij regjimi, një njeri i zgjuar si Kadareja? Ja këtë sqaron dhe argumenton Met Dervishi që le të kuptohet se vërtet ai duhej të ruhej nga regjimi, por edhe regjimi nga ana e tij, i trembej atij, aq sa mundohej, duke luajtur si macja me miun që ta mbante nën kontroll. Ismail Kadareja, nuk kishte komoditetin që të fliste kundër hapur e ca më shumë të merrte flamurin e shpëtimtarit, se trutë në kokë i kishte dhe koka edhe atij i dhimbsej, por ai si pakkush e bëri të vetën me shumë zgjuarsi. Në një shtet finok, ai u tregua akoma më finok. Ndaj dhe M. Dervishi flet për tri shkallët e kritikave: atë të masave, atë zyrtaren dhe atë të zyrave, ku kjo e fundit ngaqë ishte dhe e padukshme, ishte më e rrezikshmja. Ai, guxoi dhe u ndesh. U ndesh dhe fitoi. Mbi të gjitha, duke mbetur gjallë. Të jemi realistë: sikur Solzhenicini të mos ishte arrestuar, burgosur e internuar, por të kishte mbetur inxhinier a të merrte grada të larta si oficer artilerie, vallë do kishte marrë mundimin të na jepte një nga veprat më demaskuese të komunizmit? Po të ishte pra dhe ai i pranishëm, sikurse thuhet në roman, në mjedisin ku “Shishet e pijeve, gotat, stolitë e grave, pirunët, dekoratat, lugët, pjatancat, gradat e ushtarakëve, kopsat, të gjitha këto e rishpërndanin shkëlqimin e llambadarëve në dhjetëra xixëllime të vogla, duke stërpikur kudo tejpërtej sallave një pluhur ari”, a do t’i akordohej Nobeli atij? Kadareja, nuk provoi asnjë nga ditët e Ivan Denisoviçit dhe përsëri arriti të na japë qysh në gjallje të përbindëshit vigjilent, këtë libër që edhe pse e kishte, sikurse thamë, vetë atë në qendër, e godiste dhe e dobësonte me dinakëri të hollë letrare. Atë vërtet e mikluan me ndonjë detyrë honorifike, dhe e ftonin në ndonjë pritje në Pallatin e Brigadave, por kurrë nuk u komprometua me sistemin. Për më tepër, e mori si model atë pallat të porositur për mbretër për ta shndërruar në pallat ëndrrash. Këtu duhet ta kërkojmë dhe meritën kryesore të studimit të autorit Met Dervishi.
Në këtë libër Kadareja është parë ndofta nga pozicioni i tij më i pafavorshëm në raport me disidencën. Sikurse e pohon vetë autori, në veprën e tij shumëdimensionale dhe aq të bollshme, ka hapësira që pa u lodhur shumë, të kuptosh neverinë që ai ka për komunizmin. Por Dervishi ka zgjedhur me mençuri “Dimrin e vetmisë së madhe” që pas trukimit nga autori, u bë “Dimri i madh”. Letërsia e ka jetën shumë më të gjatë se jeta e shumë brezave njerëzorë. Mirëpo ata që do ta lexojnë romanin e Kadaresë, shumë vite më pas, hajde t’i vendosin ngjarjet në kohën e tyre. Ja pse librat studimorë rreth tij, do t’u shërbejnë atyre për t’u orientuar drejt. Dhe vetë shkrimtari Met Dervishi, është i ndërgjegjshëm se studimi i tij, sado i thelluar që të jetë, nuk i ezauron të gjitha çështjet dhe pikëpyetjet që do të lindin në të ardhmen. Është kjo arsyeja që ai herë pas here, përsërit sinqerisht fjalët se kjo anë kërkon një studim më vete. Veç s’duhet harruar se ai u jep përgjigje edhe atyre bashkëkohësve që padrejtësisht dhe me tendencë gati antishqiptare, kërkojnë ta quajnë Ismail Kadarenë glorifikuesin e diktatorit. Ai sikur u thotë atyre fjalët që Ciceroni i drejtoi L.S. Katilinës: “Quoskue tandem?”, pra “Deri kur më?” Hija e nihilistëve të rinj si Eugjen Bararovi i Turgenievit, ende sillet rrotull nesh. Atyre u duhet dhënë përgjigje me durim e urtësi, qoftë dhe duke punuar për dy vjet pa ndërprerje, se më shumë sesa të vërtetës dhe Kadaresë, i bëhet një shërbim i vyer vetë Shqipërisë. Duke u ndalur te qëndrimi i disave ndaj Kadaresë, te vepra e tij në përgjithësi dhe te “Dimri…” në veçanti, M. Dervishi sikur na kujton atë thënien e dikujt se “Njeriu i madh ecën para kohës së vet, i mençuri ecën krahas kohës së vet, dredharaku përpiqet ta shfrytëzojë, budallai i zë rrugën”. Mirëpo, si i bëhet sot, kur dalin këta të fiksuar pas “mëkateve” të Ismailit, deri dhe përçmues të talentit të tij fatlum për gjithë shqiptarët, dhe në kuadrin e lirisë së fjalës, duke marrë pozat e një pontifeks maksimus, lëshojnë pa kursim, direkt apo me nënkuptime, vrerin e tyre, herë të dukshëm e herë të nënkuptuar. Se Fredi Shalësat nuk kanë munguar kurrë. Por është edhe për të qeshur dhe për të qarë kur mendon se dikur Kadarenë e akuzonin si anti e sot si pro, për të njëjtën vepër. Është e drejta e tyre që të shprehen si të duan për atë që i bën nder gjithë shqiptarëve, madje edhe t’i vërsulen librit të Met Dervishit, që është marrë vetëm me disidencën estetike të tij, por dua të besoj se vetë ata do dalin të humbur nga ky donkishotizëm aq i njohur dhe qesharak në rrugëtimin e letërsisë botërore. Ismail Kadareja do të mbesë përherë sinonim i kulturës tonë, i emancipimit tonë shoqëror, një kampion i dashurisë për atdhe, një pishtar i ndriçimit shpirtëror edhe gjatë territ të ngrirë komunist, një kultivues i besimit tek e mira, një avokat i shquar i çështjes kombëtare, dhe një mjeshtër i pashoq i emocionit estetik pa klishe e korniza. Dhe ai vazhdon të ecë para kohës së vet, pa u qederosur në bëhesh profet apo jo në fshatin tënd.
Në analizë të fundit, nuk mund t‘i heqim asnjë presje konstatimit të autorit të librit se “… nuk kemi të bëjmë me disidencë vetëm atëherë kur kemi të bëjmë me koka të “prera” nga diktatura”.
Por, krahas punës më se të lavdërueshme të Met Dervishit, sikur të më kërkonte ndokush edhe ndonjë vërejtje për këtë libër, do shtoja se edhe pse ky është një studim i gjatë shkencor, dhe ndoshta i vetmi në llojin e tij, përsëri, terminologjia e përdorur ose leksiku (tërësia e fjalëve që përdor autori në këtë vepër), duhet të thjeshtohej disi, pasi kjo do të shtonte dukshëm radhët e lexuesve. O santa simplicitas!