Kryeartikull

Një reformë e vonuar për një sistem në krizë

Ilir Yzeiri

ilitr-yzeiri-1-200x300Ka disa kohë që Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor ka paraqitur raportin e parë për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ky raport iu dërgua në fillim institucioneve të arsimit të lartë publik dhe jopublik në Shqipëri, të cilat, disa prej tyre, për hir të së vërtetës, në disa raste, patën një reagim të shpejtë, nervoz dhe e atakuan draftin ballas. Pati në shtyp edhe deklarata kolektive që hartoheshin në emër të institucioneve brenda fakulteteve apo degëve të caktuara të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Natyrisht, është e drejta e gjithsecilit, qoftë ky institucion apo individ, që të japë mendime dhe të diskutojë një draft aq më tepër kur ai prek drejtpërdrejt interesat e atyre që janë shprehur, qoftë duke e rrëzuar atë, qoftë duke e kritikuar pjesërisht. Mendoj se nuk do të ishte e frytshme përfshirja në një debat mes kolegësh për të marrë pozicionin e ithtarit apo të kontestatorit. Ajo që më ka bërë përshtypje qysh në fillim kur jam njohur me këtë draft është se ai, për herë të parë synon t’i rrokë të gjitha shqetësimet që janë vënë re në këto vite në lidhje me arsimin e lartë në Shqipëri. Nga kjo pikëpamje, ai duket se është përpjekur të bëhet zëdhënës i opinionit të shqetësuar intelektual që në gjithë këto vite ka ngritur zërin për gjendjen aspak të mirë të arsimit të lartë në Shqipëri. Të gjitha problemet që ka listuar ky program, po të vërehen me kujdes, janë fryma e përbashkët që ka përshkuar në gjithë këto vite qëndrimin e përgjithshëm të opinionit publik në vendin tonë, i cili, në shumë raste, i ka shprehur qartë dhe hapur shqetësimet për degradimin e këtij sistemi. Në këtë pikë, të gjithë janë në një mendje që duhet ndërhyrë në këtë sistem.

Deklarata e nevojës

Në draftin që përmenda listohen, siç e thashë, të gjitha problemet që ka arsimi i lartë shqiptar, publik dhe jopublik, duke u rimarrë kronologjikisht në kohë dhe situata e këtyre njëzet e ca vjetëve, paraqitet me të gjithë problematikën e shfaqur. Gjithë opinioni publik ka qenë në një mendje që zgjerimi i arsimit të lartë pa asnjë kriter ka çuar në një gjendje absurde. Në raport përmendet një e dhënë skandaloze përmes një tabele, sipas së cilës Shqipëria ka numrin më të madh të Institucioneve të Arsimit të Lartë për 1 milion banorë në Europë. Shqipëria ka gjithsej 59 institucione të Arsimit të Lartë, nga të cilat 15 publike dhe 44 private. Numri i studentëve ka ardhur duke u rritur jashtë çdo parashikimi dhe në qoftë se në vitin 2004-‘05 kishte 63 257 studentë, në vitin 2011-‘12 ky numër arriti në 160 839. Kjo rritje, thuhet në raport, erdhi për disa arsye, nga të cilat, si më kryesoret, hartuesit përmendin pranimin pa asnjë kriter dhe shtimin e numrit të studentëve me kohë të pjesshme. Paradoksi është se vetëm rreth 25% e këtij numri studion në arsimin e lartë privat, pjesa më e madhe, siç shihet studion në atë publik. Drafti ka vënë re me të drejtë dhe një fakt tjetër që është kostoja e një studenti. Shqipëria shpenzon më pak se cilido shtet tjetër në Europë për një student dhe shteti shqiptar shpenzon për arsimin e lartë më pak se të gjitha vendet e rajonit. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 38 milionë euro për studentët e sistemit publik ose rreth 460 euro për çdo student. Ndërkaq, Rumania apo Bullgaria shpenzojnë 4 deri 5 herë më shumë dhe Portugalia apo Spanja 8 deri në 10 herë më shumë për të mos përmendur pastaj vende të tjera më të zhvilluara. Drafti nuk kërkon që të kufizohet numri i studentëve, përkundrazi ai parashikon që ky numër mund të rritet, por ai duhet trajtuar me më shumë dinjitet dhe pranimet në shkollat e larta duhet të jenë më dinjitoze. Për këtë, ky raport i parë i Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë, ka prekur jo vetëm procesin në dalje, por edhe atë në hyrje. Në këtë draft thuhet se ndoshta edhe arsimi parauniversitar, pra sistemi i sotëm 5+4+3 mund të rishikohet dhe për pranimin në shkollat e larta duhet vendosur një kriter. Propozimi i tyre është mesatarja, që në vitin e parë mund të jetë 6. Ndërkaq, hartuesit kanë vënë re me të drejtë se shumë profesione të mbyllura, pra ato profesione që edhe vende të tjera i kanë me kuota të kontrolluara, në Shqipëri u shpërthyen dhe institucionet private sidomos u përfshinë në një aventurë që la një gjurmë të dukshme në njollosjen e sistemit, sidomos atëherë kur degë të tilla si farmaci, stomatologji, juridik etj., u bënë programe studimi në shumë institucione private të arsimit të lartë. Në këtë draft janë prekur të gjitha shqetësimet që kanë sot universitetet sa u takon programeve të studimit, kurrikulave, akreditimit dhe cilësisë.

Financimi, molla e sherrit

Në fillim, kur drafti sapo ishte hedhur për diskutim, problemi i financimit u shpall si ana jo shumë e qartë e tij dhe dikush u shty deri atje sa të shpallte që hartuesit e tij kishin dashur të ndihmonin institucionet private të arsimit të lartë. Kjo mund të jetë çështje kuptimi i njëanshëm ose çështje keqkuptimi. Personalisht e kam lexuar disa herë këtë raport dhe kapitujt që merren me financimin janë më inovatorët dhe aty duket se hartuesit e këtij drafti kanë qenë më këmbëngulës dhe më të qartë. Drafti i ri kërkon një transformim rrënjësor të mënyrës së financimit të universiteteve dhe me atë që është propozuar aty të krijohet përshtypja se hartuesit e këtij drafti kanë bërë kujdes që në këtë pjesë të raportit të jenë të qartë dhe të japin sa më shumë informacion. Ideja kryesore është që të ndahet ana akademike me atë administrative dhe financimi i universiteteve të bëhet sipas standardeve, cilësisë dhe performancës që ata shfaqin në tri drejtime, përkatësisht në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe inovacion. Raporti në këtë kapitull ka propozuar ndërtimin e disa organizmave të reja si fjala vjen Agjencia Kombëtare e Financimit dhe sektori menaxherial që do të zbresë deri në njësinë bazë që është departamenti. Ky draft për herë të parë nxit dhe frymëzon të aftët. Pra shteti merr përsipër që të krijojë instrumente financimi për ata që kanë ide, vullnet dhe talent. Puna e tyre më në fund, siç thuhet këtu, do të vlerësohet dhe do të mbështetet financiarisht. Për herë të parë çdo, departament do të ketë buxhetin e tij dhe nuk do të ndodhë siç ndodh sot që, për të prerë një biletë që të marrësh pjesë në një veprimtari shkencore jashtë vendit, duhet të bësh dhjetë lloj kërkesash që të hapet një tender online dhe të shkosh ta marrësh biletën në Sarandë, sepse kështu mund të qëllojë. Pjesa më e debatuar ka qenë ajo e institucioneve private. Në draft thuhet qartë që shteti nuk do të financojë drejtpërdrejt arsimin e lartë, por do ta bëjë këtë me anë të Agjencisë Kombëtare të Financimit. Shteti financon mësimdhënien, ndërsa të tjerat financohen me grante, pra kërkimi shkencor, inovacioni. Drafti i ka zgjidhur tashmë edhe çështjet e të ardhurave nga universitetet, të cilat janë të lira të krijojnë fonde edhe nga marrëveshjet me biznesin për shërbime të ndryshme. Taksa e regjistrimit do të ketë një tavan, por çdo universitet mund ta vendosë atë sipas nevojave të veta. Shteti do të ndihmojë studentët që nuk kanë të ardhura dhe do të mbështesë ata të ekselencës. Sa u takon universiteteve private, në draft thuhet shkoqur se ato janë të lira që të veprojnë ose duke ruajtur statusin që kanë ose mund të shndërrohen në fondacione jofitimprurëse dhe në këtë rast atyre u njihet vetëm pronësia, ndërsa e gjithë veprimtaria tjetër barazohet me atë të universiteteve publike, sepse arsimi i lartë shpallet si një e mirë publike. Ndërkaq, qoftë universitetet private që duan të mbeten të tilla, qoftë ato që duan të shndërrohen në fondacione, mund të konkurrojnë për të fituar grante nga financimi i shtetit.

Keqkuptimi me pronën dhe kapitalizmin

Në Shqipëri ka një keqkuptim të madh për ekonominë e tregut. Forma e egër e regjimit komunist që kishte si themel të saj shtetëzimin dhe urrejtjen për pronarët dhe pronën private ndjehet edhe sot. Personalisht gjithmonë i kam mbështetur sipërmarrësit privatë dhe gjithmonë e kam çmuar punën e tyre. Kam menduar vetëm këtë fakt. Si arrijnë ata që të sigurojnë rrogat për katër apo pesë të punësuar që kanë. Po si ia bëjnë ata që kanë të punësuar qindra vetë? Në një klimë të tillë të egër, kur ekonomia private identifikohet me krimin dhe me hajdutërinë, të bësh biznes në Shqipëri është heroizëm. Nga kjo pikëpamje, personalisht e përshëndes atë pjesë të këtij drafti që i llogarit edhe universitetet private si pjesë e së mirës publike. Vetëm se hartuesit e tij kanë pasur parasysh që të vendosin kritere të qarta dhe të rrepta për t’i sjellë këto investime në hullinë e cilësisë së kërkuar dhe të marrë fund koha kur ato, në mungesë totale të çdo rregulli, ishin kthyer në disa raste në ofiçina të prodhimit të diplomave. E para, drafti parashikon që në universitet, qoftë ai privat apo publik, nuk mund të hyjë kushdo. E dyta, sistemi me kohë të pjesshme do të mbyllet urgjentisht dhe e treta sistemet master dhe doktoraturë do të rikualifikohen nga fillimi. Të gjitha këto janë një përpjekje për ta dobësuar pjesën e paligjshme të funksionimit të universiteteve private. Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë se krahas dëmit që mund të kenë shkaktuar disa universitete private edhe universitetet publike nuk kanë mbetur prapa. Filialet e tyre të hapura në çdo skaj të vendit janë një imitim i shëmtuar i etheve për ta bërë arsimin e lartë një sport banal dhe për të pajisur me diplomë gjithkënd që mjafton të ecë me dy këmbë. Po ashtu, në draft thuhet qartë se edhe universitetet rajonale duhet të riformatohen dhe duhet të ndjekin nevojat e rajoneve ku ushtrojnë veprimtarinë. Ndoshta këtu, autorët e kanë tepruar me klasifikimin e tyre, duke krijuar në letër një hierarki që në realitet nuk ekziston. Universitetet me status të veçantë nuk përcaktohen nga vendi ku ndodhen. Pra nëse janë në Tiranë janë automatikisht të tillë. Kjo hierarki mund të kryhet vetëm pas një rankimi rigoroz.

Po tani çfarë do të bëjmë?

Duket se me këtë paraqitje që unë bëra për lexuesit e mi, punët në arsimin e lartë mund të zgjidhen lehtë. Fatkeqësisht, unë jam skeptik sepse në traditën e qeverisjes shqiptare ka një ndryshim të madh midis asaj që shkruhet në letër dhe veprimit që duhet të nxisë një dokument, një ligj apo një platformë. Në edukatën e qeverisjes shqiptare moszbatimi i ligjit, mosrespektimi i asaj që është shkruar ndihet si një gjë normale dhe në jetën publike shqiptare të gjithë bëjnë atë që duan dhe askush nuk bën atë që duhet. Nga kjo pikëpamje sikur sot të zbatohet ligji aktual i Arsimit të Lartë, ne do të kishim një pamje krejt tjetër të këtij sistemi. E para nuk do të mund të kishim kaq shumë universitete private vetëm po të ishte zbatuar ligji për hapjen e tyre, që sanksionon se që të hapet një program studimi, ai më parë duhet të akreditohet, të miratohet nga struktura të Ministrisë dhe se vetëm për të hapur një departament duhet të kesh të paktën dy profesorë. Mirëpo ky ligj, jo vetëm që nuk është respektuar, por është shkelur vazhdimisht. Universitetet janë të tejmbushur me të paaftë që nuk kanë respektuar afatet e kualifikimit dhe nuk kanë asnjë lidhje me shkollën e lartë. Askush nuk i largon këta dhe askush nuk e ndien veten në provë. Ndaj personalisht nuk e shoh të vështirë të evidentosh problemet, të përpiqesh t’i zgjidhësh ato, të hartosh më në fund edhe një ligj të qartë e të plotë që kërkon shndërrimin rrënjësor të këtij sistemi. Të gjitha këto bëhen. Por bëhen në letër. Unë nuk jam optimist se dikasteri i sotëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me performancën e paraqitur deri tani, mund ta zbatojë këtë platformë. Qofsha i gabuar!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button