Teater

Një “Rigoletto” plot nostalgji

Opera “Rigoletto” do të hapë sezonin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit më 21 janar. Vepra vjen nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, i cili e vendos për herë të tretë në skenë këtë vepër, por këtë herë nën një koncept krejtësisht të ri. Nën dirigjimin e Maestro Manuel Busto, “Rigoletto” vjen në një version modern për të treguar se akoma sot “…asgjë s’ka ndryshuar në marrëdhëniet mes të fortit dhe viktimës së pafajshme dhe pushtetit e korrupsionit…Në fund pushteti i ndëshkimit nuk do të bjerë mbi të korruptuarin por mbi viktimën e tij”. Në role kryesore do të rikthehet Linda Kazani, soprano e talentuar shqiptare që vazhdon aktivitetin e saj në Austri, Zana Abazi, soprano nga Kosova, si dhe solistja e TKOB, Ramona Tullumani. Në rolin e Rigoletto-s do të kemi baritonin Gotcha Abdulaze si dhe Ylber Gjini, dhe në rolin e Dukes do të jetë Jenish Ysmanov, tenori i cili interpretoi edhe tek “La Boheme” në dhjetor të 2015. Për regjisorin Gurakuqi, kjo është një vepër e rëndësishme. “Në ansamblin e madh të veprave që kam vënë në skenë, opera ‘Rigoletto’ zë një vend të veçantë jo se është një kryevepër e repertorit verdhan, por sepse ajo lidhet me dy faza të jetës sime artistike si regjisor. Në vitin e largët 1994, do ta vija për herë të parë në skenë, 30 vjet pasi e kish bërë im atë Luigji, dhe me këtë vepër, do të bënim për herë të parë në historinë e teatrit një turne të suksesshëm njëmujor në Itali me një produksion operistik”, thotë ai. Në vitin 2005, drejtoria e Teatrit Kombëtar vendosi ta kthente sërish në skenë produksionin e vitit 1964 me regji të babait të tij, Luigj Gurakuqi. Por duke qenë se në atë periudhë Gurakuqi ishte i sëmurë, shfaqjen do ta vinte në skenë i biri. “Shfaqjen e vendosa unë në skenë dhe kështu në atë skenë u ngjitëm të dy babë e bir për herë të fundit, pasi pas disa muajsh ai ndërroi jetë”, thotë regjisori. Por tashmë, këtë herë “Rigoletto” do të vijë në një koncept krejtësisht të ri, sipas tij. “E vendos tani në skenë këtë vepër për herë të tretë, por tashmë me një koncept të ri duke e sjellë atë në kohët moderne për të thënë se asgjë s’ka ndryshuar në marrëdhëniet mes të fortit dhe viktimës së pafajshme dhe pushtetit e korrupsionit në marrëdhëniet e dyzuara të nënshtrimit ndaj të pushtetshmit, në marrëdhëniet e fshehta të pushtetit me krimin, në marrëdhëniet e dhimbjes së thellë të prindit me fëmijën, në marrëdhënien midis njeriut dhe Zotit. Në fund pushteti i ndëshkimit nuk do të bjerë mbi të korruptuarin por mbi viktimën e tij”, thotë Gurakuqi. Këtë rikthim të Rigoletto-s ai ia dedikon të atit. “Këtë vënie që ia dedikoj babait tim me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij”, thotë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button