Një tragjedi dashurie, ul perden e teatrit
Teatri Kombëtar mbyll sezonin artistik 2015-2016
“Romeo dhe Zhulieta” vepra me regji të Predrag Miki Manojllovic, e cila bëri bashkë në një skenë artistët shqiptarë dhe serbë, në një tragjedi dashurie, është vepra e fundit që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar për këtë sezon. Vepra e Shekspirit nuk ishte vetëm një performancë artistike, por dhe një mesazh për dy vendet, të cilët duhet të hapin një kapitull të ri mes tyre, duke shtuar urat e komunikimit. Për sa u përket shfaqjeve të sezonit ishte regjisorja Driada Dervishi ajo që mbylli perden e prodhimeve të teatrit me “Sonte do të luajmë pa tekst” nga Pirandello, një vepër që u prit mirë nga publiku. E shkruar në Berlin në vitin 1929, “Sonte do të luajmë pa tekst” është pjesa e tretë e trilogjisë, pas “6 personazheve” dhe “Secili sipas qejfit së tij”. Kjo komedi e mbështetur në një nga novelat e Pirandellos “Lamtumirë Leonora”, përfshin problematikat e një sërë raportesh si ai: dramaturg – regjisor, regjisor – aktor, aktor – publik. Për regjisoren Dervishi e gjithë vënia në skenë e kësaj vepre ishte një sfidë, pasi kishte të bënte me një vepër të ndërtuar brenda një konflikti thelbësor, (që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve. Pirandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij: teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilogjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion. Në këtë vepër interpretuan aktorët Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Licaj, Marsel Rupi dhe me pjesëmarrjen e Yllka Mujos. Regjisorja Dervishi është një ndër regjisoret më aktive vitet e fundit, me angazhimet e saj në teatrin “Aleksandër Mosiu” në qytetin e Durrësit. Këtë sezon u rikthye në teatër dhe regjisori Kastriot Çipi i cili ngjiti në skenë veprën “Mallkimi i fukarenjve” të dramaturgut Sam Shepard. Në qendër të kësaj drame ishte drama e një familjeje amerikane për mbijetesë. Vepra do të rikthente në teatër sërish në dy role pranë njëri-tjetrit aktorët Yllka Mujo dhe Artan Imami. Një baba i dehur, një nënë e rraskapitur, një vajzë adoleshente që rebelohet dhe një djalë idealist… Ishte kjo tabloja e familjes Tejt, në dramën “Mallkimi i fukarenjve”, që regjisori Çipi zgjodhi t’ia besonte aktorëve Yllka Mujo, Genti Deçka, Gëzim Rudi, Esela Pysqyli, Vasjan Lami, Laert Vasili, Ervin Bejleri, Artan Imami, Gert Ferra dhe Besmir Bitraku. Në këtë dramë, dramaturgu Sam Shepard balancon komedinë e zezë dhe satirën ngacmuese në pamjen e një familjeje për të mbajtur frymën gjallë. Këtë sezon u rikthye në skenë pas gati 27 vjetësh komedia “Zbutja e kryeneçes” nga Shekspir. Nën regjinë e Elma Dorezit kjo komedi gazmore, spikati për interpretimin e dy aktorëve kryesorë Helidon Fino dhe Gladiola Harizaj. Në skenën e Teatrit Kombëtar komedia “Zbutja e kryeneçes” ishte vënë më 1988, me regji nga Fatos Haxhiraj.
Ndërsa vepra që hapi sezonin ishte “Tri motrat” e Çehov nën regjinë e Hervin Çulit. Gjuha dhe eleganca e Çehov erdhi për herë të parë e plotë në skenën e teatrit përmes një shfaqjeje të gjatë, ku u angazhuan edhe dublantë. Vepra ishte hera e parë që ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar gati 115 vjet nga koha që Çehov e shkroi.
Komedia, apo drama e trishtuar me elemente komedie rrëfen jetët e tri motrave Prozorov. Olga, Masha dhe Irina digjen nga dëshira për t’i ikur qytetit të vogël rus dhe të kthehen në Moskën ku janë rritur. Ata që hyjnë në orbitën melankolike të tri grave janë ushtarakët si Dr. Çebutikin dhe kolonel Vershinin, të cilët janë aty më shumë për t’ia vështirësuar jetët motrave, veçanërisht kur masha dhe Vershinin nisin një lidhje të palogjikshme. Në fund asnjë nuk shkon në Moskë dhe vepra mbyllet me një rreth vicioz nga ku personazhet nuk dalin dot, bashkë me tragjeditë, trishtimet dhe dashuritë. Në këtë vepër u angazhuan emra të njohur si Bujar Asqeriu, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Gert Ferra, Helidon Fino, Gladiola Harizaj, etj.