Njëqind kate në pak minuta: si e ndryshoi botën ashensori
BBC
Historitë e frikshme të ashensorëve janë të shumta. Ngecja brenda tyre apo vdekja nga asfiksimi kanë ngacmuar vazhdimisht frikën e njerëzve. Një dhuratë për regjisorët e filmave horror, ku një prej tyre është “De Lift”, film holandez në vitin 1983. Si një antidot i kësaj mund të shërbejë filmi “North by Northwest” i Alfred Hitchcock.
Ashensorët u lidhën me fobitë si klaustrofobia dhe akrofobia që kur Elisha Graves Otis paraqiti sistemin e tij të sigurisë së ashensorit në vitin 1853. Duke qëndruar në një platformë të lartë, ai urdhëroi që të pritej litari që e mbante atë me një sëpatë. Përpara se turma poshtë të kishte kohë të ofshante, ashensori mbeti në një lartësi të caktuar. Pas përsëritjeve të shumta, ky demonstrim teatral e bindi botën se ashensorët ishin të sigurt.
Ata kanë ekzistuar për të paktën 2000 vjet – Vitruvius, arkitekt romak i shekullit të parë, përmend një projekt që prej kohës së Arkimedit në vitet 235 para erës sonë, por Otis provoi se ato ishin të sigurta për përdorim të përditshëm.
Ngjitja
Në vitin 1857, u instalua ashensori i parë me avull për pasagjerë në ndërtesën e re E V Haughwout në Broduejin e qytetit të Nju Jorkut. Projektuar nga John P. Gaynor, dyqani që shiste porcelan, qelq dhe argjend reklamoi fasadat e modeluara në stilin e shekullit të 16 të Librarisë së Venecias.
Ndonëse bëhej fjalë për botën moderne, fasadat ishin të përbëra nga giza. Sa për ashensorin, ai ishte privilegj, ndërtesa Haughwout ishte vetëm pesë kate dyqanesh e lartë. Teksa kjo kishte qenë lartësia normale e ndërtesave tregtare dhe të banimit përpara reklamimit të sigurisë së ashensorit, Eder Haughwout e dinte se klientët e tij mbanin radhë të gjata vetëm për të hipur në ashensor.
Qysh atëherë, ashensorët janë lidhur me ndërtesa shumë të larta. Në 150 vitet e fundit, ashensorët janë përhapur me shifra spektakolare. Disa ngjajnë me kuti të errëta, por të tjerë ofrojnë pamje të mrekullueshme. Ngjitja në Kullën Eifel për shembull është një magji më vete.
Otis mundësoi 73 ashensorët që bëjnë ulje-ngritje në ndërtesën Empire State. Ngjitja në majë të qiellgërvishtësit në stilin Art Deco kërkon specifikimet e veta. Ka një kufi për numrin e uljeve dhe ngjitjeve, kjo prej fortësisë së kabllove të hekurit që i mbajnë në punë. Vetëm vitin e shkuar, kompania Kone e Finlandës paraqiti litarët me fibër karboni që janë më të lehtë dhe më të fortë se çeliku. Lançimi i ri do të lejojë ngjitjen në më shumë se një kilometër.
Në majë të botës
Apartamentet në katin më të lartë të ndërtesës kanë marrë një kuptim dhe zhvillim tjetër pas shpikjes së ashensorit. Tani që ngjitja deri në majë është më e besueshme, të pasurit kanë populluar majat e ndërtesave që kanë pamje mahnitëse të qyteteve. Nëse papafingo shërbente njëherë e një kohë si vendi ku rrinin shërbëtorët, tani historia është kthyer së prapthi. Sa më i lartë apartamenti, aq më i lartë edhe çmimi.
Revistat që reklamojnë modelimin e apartamenteve më të larta të ndërtesave kanë shitje marramendëse dhe prodhojnë miliona dollarë çdo vit.
Pa provën e sigurisë së Otis, asnjë prej këtyre s’do të ishte e mundur. Për ata që nuk kanë mundësinë të banojnë në katet e larta, kanë menduar hotelet dhe ndërtesat komerciale. Me ashensorë të tejdukshëm dhe me shpejtësi mbi 60km/h, ndërtesat në Dubai cilësohen si një parajsë më vete për pushuesit.
Shkenca vijon punën e saj për t’i ngjitur ashensorët sa më lart, përse jo një ditë edhe në majën më të thepisur të botës.