Njolla të tejdukshme
ESE
E bukura e grupimit i ngjante eksperimentit njerëzor, karaktere me shumë baza të thjeshta e të grupuara në shtëpinë e fantazive të çamarrokllëkut e të artit, në një provë të gjatë qëndrueshmërie për të hyrë në një marrëdhënie të rregulluar, në një merkato të ngatërruar e të vështirë vlerash
Nga Vladimir Myrtezai
Ishte pothuaj orar dreke kur ndjeva se telefoni im po dridhej. E lashë për një çast pa u përgjigjur, pasi e dija që do të ishte një nga ato kontaktet rutinë të gruas, që bëhej e pranishme në distanca të shkurtra kohe me komandat e saj për punët e familjes; rregullim oraresh, pritja e fëmijëve nga shkolla, herë ndonjë lajm që donte ta ndante në dorë të parë e kështu me radhë. Këto ecejake e mbushnin kohën tonë me një papërtueshmëri të zellshme e me një ngulm që po ta vije në kandar peshonte dashuri për t’u ndier në kohën e tjetrit, ose ndryshe një lloj manie për të zënë në sasi ndarjen e jetës së përbashkët në një hapësirë të caktuar, të përsëritur si vëmendje e fituar.
Telefoni nuk ndalonte të dridhuri. Më në fund vendosa ta hap. Nuk ishte ime shoqe. Ishte Çili, ose Çiljeta, siç e thërrisja në afrimitet; një mik i vjetër nga fëmijëria, me një gjatësi të pandërprerë, gati sa e gjithë jeta ime e deritashme. Çili që shfaqej në liqenin tim të vjetër të mirësive, i dalluar me një të qeshur si me kate, dhe nga një dashuri e pambarimtë për miqësitë e liceut. Çili ishte si një ngërthje e purpurt, ose si kufi kohe që nuk të lejonte të kapardiseshe me kufij të zhbërë vetëndierjesh, pasi ruante në vetvete çelësin e sëndukut ku strukeshin gjërat e shtrenjta të rinisë. Një lloj dëshmitari që të zhbën sapo e dëgjon, ngaqë ka prirjen e çuditshme të të kthejë pas në kohë me një naivitet të përkorë, si vetë e qeshura e tij.
Çiljeta ishte një stacion i rigjetur i përkëdheljes së parë të njeriut për t’u prekur, nga fakti sesa gjatë mund të rronte një miqësi, por edhe nga ajo se në njëfarë mënyre ne tregonim një lloj vazhdueshmërie ndaj vetes, më së shumti ngaqë ishim tipa besnikë dhe të qëndrueshëm në figurën në tretje e largim të vetvetes; por edhe për një fakt të thjeshtë e të konsiderueshëm, që ruanim fshehtazi se ishim ende të gjallët më të mirë, me dobësitë tona me performancën dhe fuqinë për të qenë të dukshëm në miqësi që nuk sosin, por rivitalizohen si shenja të hershme e të reja në kuadër të ripërtëritjes. Të gjitha këto më vardiseshin në mendje dhe sakaq iu përgjigja telefonit.
Çiljeta si gjithnjë e fillon bisedën avash, në një tonalitet të ulët e të kontrolluar. Më dha lajmin se ka ardhur Jeti, një shoqja jonë e liceut, dhe po ashtu ka mbërritur edhe Iliri nga Italia dhe Qerimi nga Bulqiza; po vinte edhe Nue Pepa, gjendej në Tiranë, dhe duhej të drekonim të gjithë së bashku. – Ia ktheva menjëherë se do jem me ju. S’e di pse, por për të gjitha takimet që në origjinë ishin të largëta për nga koha, nuk e kisha fuqinë që t’i refuzoja, dhe kjo për shkaqe të përziera, sa nga kurioziteti, por edhe për shkakun se kishim jetuar për njëfarë kohe bashkë, kohë ndaj së cilës ishim betuar në heshtje se nuk do ta tradhtonim kurrën e kurrës, si një nga gjërat e mangëta e të shtrenjta, të cilat na ripërtërijnë. Për faktin fatlum se të gjitha miqësitë e largëta kishin humbur; të gjitha konfliktet e mundshme nuk se ruanin ndonjëfarë konkurrence në të tashmen, përveç mallit të zvargur dhe kuriozitetit të identifikimit kah ndryshimi që mund ta vërtetonim menjëherë, në shikim të parë. Pra, në një mënyrë a një tjetër nuk kishim se çfarë të ndanim nga fosilet e tretura në kohë, veç përsëritjes së imazhit në projeksione që përpiqeshim t’i bënim të dukshme përmes kujtimeve dhe rrethanave, nga shumë burime e pamje, për të ndërtuar atë lumturi të tejkaluar në fëmijërinë tonë të përbashkët. E vetmja pasuri e padiskutueshme dhe e vënë në provë ishte ai vegim fëmijësh në diellin e largët të kohës, që i jepte gaz dhe harqe përjetimesh baroke këtyre takimeve.
Takimi, më thotë Çiljeta, është nëse të kujtohet te shtëpia e Arian Kuqit, apo te Kalari, siç e thërrisnim njëherë e një kohë. Mu aty e lamë takimin, tek ish-shtëpia e Kalarit, të cilën e kish dhënë me qira, dhe tanimë ishte transformuar në një restorant. U zhyta në lagjen e pjesshme të Tiranës së Re, dhe sillu e sillu e nuk po dalloja asnjë pikë referimi, që të më çonte të shtëpia e Kuqit.
E rimora në telefon dhe i thashë se unë nuk identifikoj asnjë lloj gjurme nga ajo kohë, dhe shtëpia e Kuqit, sikur të ngrihesha nga varri nuk do mund ta dalloja më, dhe për më tepër nuk ndieja ndonjë nuancë territori të dikurshëm. Pas dy-tre komunikimesh arritëm të puqeshim, dhe shtëpia e Kuqit, që ishte kthyer në një barrakone fluturuese me shumë hyrje e dalje, dukej si një fantaksje që më shumë merrte pamjen e atij që e xhestonte si ndonjë gjurmë të kohës, që e kishim njohur ne atë shtëpi. Por, prapë më solli ndër mend një shpleksje irracionale sjelljesh të Kuqit, si një nga personazhet e njohur të asaj kohe, ku ishte kthyer në një pacient grotesk humori; një nga ato përmbajtje të lëbyrura që e mbanin gjallë shoqëritë e rrugës, sidomos duke rrëfyer.
Shtëpia në fjalë qe kthyer në një masiv të maskuar si kaçube nga lulevjerrëset dhe disa dhogave si artefakte të largëta të traditës, shpërndarë si për t’i dhënë pamjen e një taverrne, ku më shumë majiseshe e radheshe jashtë se në vendet brenda. Një hapësirë ku gatuhej hapur e në sytë e klientëve. Një armatë e shformuar familjarësh, duke nisur me babain si trau kryesor i biznesit. Gjithsesi gatuanin shumë mirë. Po nejse, pavarësisht përshtypjes së parë, më shumë kishte rëndësi fakti se do takoja Jetin dhe Ilirin, me të cilët nuk isha parë këtu e tridhjetegjashtë vjet e kusur më parë, dhe kisha një lloj emocioni si të shpërndarë mes përqendrimit për t’i sjellë siç i kisha në kujtesë dhe momentit më të parë të përputhjes së takimit. Sapo u takuam heshtëm për pak, sa të përmblidhnim të papriturën e perceptimit, dhe menjëherë u lëshuam në batuta e të qeshura si dikur në shkollë, të rehatuar e gati të dorëzuar, përveç syve të zvogëluar të Çiljetës, që vakeshin e lotonin lumtur.
Gjithsesi, jeta jonë e atëhershme, e mbrojtur financiarisht nga familjet tona, i ngjante një parajse të sigurt e të papërsëritshme nga çdo shthurje a sistem i ri që paraqitej në lajmet që dëgjonim përditë, dhe të gjitha kujtimet në lloj kishin këtë shkarkesë të shkëlqimtë të parajsës së jetuar, kur nuk kuptonim as edhe një gjë nga vështirësitë e mbështetjes familjare. Nuk se ndienim ndonjë grimcë ere nga shfryrjet alarmante e të tensionuara të politikës. Ne ishim zogjtë e dashurisë prindërore, konservuar në botën e investimit, dhe sapo kishim filluar të ëndërronim si artistë të mëdhenj dhe po ngrehosnim pëlhurën e delirit tonë, që do shpërfaqej gjatë gjithë jetës si një pamundësi e shoqëruar me një adoleshencë të përjetshme.
Pritëm për pak minuta sa na u shtua edhe një tjetër shok, Nuja me vajzën e tij të bukur Kledia, që sapo ishte diplomuar në shkencat e komunikimit. Një tjetër telefonatë një shoku të vjetër, gati i pamasë për nga mungesa – Kujtim Petit, si një tjetër pamje e mallit, pasi gjithherë çlironte pozitivitet, dhe nuk qahej e qurravitej kurrë. Disa njerëz duken si të pandryshuar nga ligji i entropisë, sikur për një moment e kanë ndalur kohën; sikur kanë pushtet të plotë mbi të; me një neps të gëlueshëm për jetën, por në një dallgëzim jo dramatik e në relacione zbehjeje, krejt të avashtë. Supa qëlloi në një përsëdytje bazike e shëmbëllyer me kohët e vjetra… shumë e shijshme. Dalëngadalë po ngroheshim nga gotat e verës dhe biseda po afrohej rrathë-rrathë duke na shpënë në muhabete të hershme e në skicime të njëri-tjetrit përmes një kujtese gropa-gropa, ku herë humbiste e herë ngjizej filli i bisedës. Nga pas banakut kamerierët shihnin të çuditur se nga vinte e derdhej gjithë ai gaz nga tavolina e miqve të sapotakuar. Zhaurima e zërave tonë vagëllonte e ndërprerë si një radio e vjetër, ku herë vinte zëri dhe herë zhdukej nga vrulli i bymyer në moshë e në sjellje çudane, ku tirrej e qeshura e një imcaku; humori dhe batutat e një tjetri, që në goditje të parë të jepte përshtypjen si tiranas denbabaden, që nuk pushonte së hequri si njeriu i pushtuar nga të ardhurit. Ata këmbeheshin me njëri-tjetrin në bisedë, si të kapërcyer, pa takt e finesë, dhe me shpërthime të një dashurie që i bënte si grupim disi prepotentë; por, në një fill të bashkuar si muzikë noprane melodish të njohura, që uleshin e ngriheshin në një ritëm të përkryer. Diçka me hile, që rridhte nga njohje të kahershme, që nuk se kishin nevojë të përktheheshin e të bënin pjesën e mjedisit shpjegues. E vetmja në atë tavolinë që ndihej e painteresuar në këtë bark të zmadhuar miqësie ishte vajza që qëndronte disi në shmang, si vello e lehtë mërzie në një trupëzim të mes-moshuarish që shkëmbeheshin gjithandej në gaz e britma.
Peti ishte krejt në formë dhe kishte zënë bashin e grupit duke sfiduar Nuen (i njohur për qendrën e bisedave), e duke udhëhequr tavolinën e të bashkuarve në një udhë humori disi të mbështjellë në filozofinë e thjeshtë, të të jetuarit pa cicmice karriere, por në një shtresim të ndjerë.
Folëm gjatë për këtë temë si një temë e stërvjetër, mes ndryshimit dhe atyre që nuk kallen në këtë ndryshim. Gjithherë te njerëzit me humor ka disa njolla të padukshme e të nëndheshme, të një depresioni të ngjyrtë, që vjen nga mbikonsumimi apo lumturia e bollshme, sado e thjeshtë në pamje dhe e shkriftë në mirëkuptim. Janë shëmbëllime të një eksperimenti, sikur një njeri ta lësh në erërat e ndryshimit, pa dashur ta ndryshosh, por si një gur kilometrik të kohës, ku të gjithë me radhë vijnë e kolaudohen në sipërmarrjet për kah ndryshimi. Dhe ky fakt i trishtë sipërmerret nga njerëz fort të ndjeshëm, që krijojnë shtratin e duhur për t’i dhënë shkak ndodhisë, vetë asaj që quhej lëvizje. Jo se në thelb janë konservatorë, por kanë lindur me këtë sindromë të pafuqisë së tyre, në një lloj fataliteti të ëmbël, mjaft ngushëllues për ta.
Në këtë metër njerëzor ishte i prerë Peti, krejt i pandryshueshëm, gjithnjë i ri e mallëngjyes. Kishte po atë trup mesatar e të lidhur në një tërheqje elegante e me pak, krejt të padeformuar, ca të lëkundur nga mosha dhe në një status gjysmë të gatshëm të një lloj qytetarie të stampuar nga koha, që e kishim ndaluar këtu e dyzet vjet më parë, që të gjithë ne, me ambiciet tona të përfytyruara romantike e pa asnjë lloj shejtanllëku të rënduar: të thjeshtë, qejflinj, aventurierë, fantazistë e kontrapedalë. Të gjithë sipas mënyrës së tyre kishin krijuar profile jete tashmë, por si grupim që e ndjell spontaniteti njerëzor, fatalë e të shpleksur për nga shpërndarja dhe gjeografitë ardhëse nga kushedi ku.
E bukura e këtij grupimi i ngjante eksperimentit njerëzor, karaktere me shumë baza të thjeshta e të grupuara në shtëpinë e fantazive të çamarrokllëkut e të artit, në një provë të gjatë qëndrueshmërie për të hyrë në një marrëdhënie të rregulluar, në një merkato të ngatërruar e të vështirë vlerash, gjë që nuk se e kapëm dhe as u përpoqëm ta strukturonim me shpërfilljen e madhe të fatit njerëzor dhe me pakujdesinë, ku herë shtendosej talenti e herë arratitë për t’u identifikuar me një gjurmë.
Ishim të ngrohur tanimë nga gotat e hedhura dhe bisedat e gjalla, dhe në krye të të gjithë haresë sonë tërhiqte bisedën i vetëm Kujtim Peti. Sa vinte dhe i zbehej fytyra, në një formë përqendrimi nga truku dhe intrigimi lehtë që e zbukuronte.
Me sa po kuptoja po hynte në planetin e tij, që shkërbohej pak nga pak nga alkooli, që e shihte dhe e banonte vetëm ai. Të gjithë rrotull erdhëm e u zvogëluam, biles filluam të ndiheshim edhe fajtorë, sepse kishim ndjesinë e të ardhurit, e jabanxhiut. Vetëm atij i fekste portreti, si njëherë e dikur, çun tirone safi. Filloi të rrëfente sesi një metaforë e madhe humbte në qytet dhe nuk gjente rrugën e kthimit për në shtëpi, pasi donte të na bënte me lajm se ai e banonte qytetin si një gjë e madhe ku dominonte e panjohura apo protesta e nëndheshme si vetironi e nënvizuar. Aq bukur e rrëfente këtë delir, në gjendje dehjeje, saqë filluam ta kishim zili të gjithë për këtë dimension të pakapshëm, për të dashuruar qytetin e zgjedhur të tij, me historitë dhe elegancën që e kishim kthyer si padashur në një pacient të humbur ëndrrave.
Peti krijonte shpesh vorbulla harrese dhe ndërprerjesh në tregimin e tij, si një personazh që zbriste dendur nëpër humbella vëzhgimin tinëzar mbi dashuritë e thjeshta, që tashmë bridhnin në pavetëdijen e tij si hije të pavdekshme. I qaseshin në mendje danga urbane, që kishin ndryshuar fillin e gjallë të ngjarjeve të jetuara në mënyrë dramatike e në një rënie të beftë, nga shumë pozicione epërsie që shkëlqenin në kaosin e madh, shkrirë e mbuluar me brymë misteri tashmë. Të gjitha të pamjaftueshme e të paafta për t’i prishur strukturën e tij të varfër shëtitëse (një biçikletë si nga Lufta e Dytë Botërore e markës Bianchi, krejt e ndryshkur), si njeriu në ekuilibër me luftëra e trofe dhe një numër të rreshtuar femrash në zë.
Kur po e shoqëroja për në shtëpi, nën një humor thumbonjës më tregoi shtëpinë ku rrija unë, me idenë që vetëm unë dhe ai e meritonim këtë kaos, si njerëz me talent të padiskutueshëm.
Humbi në të kundërt në një busull të re të fantazisë, me dramën e lehtë rënduar mbi supe, që Tirana e tij tashmë ishte e përdhunuar nga sunduesit e rinj, të paformë e pa kurrfarë lidhjeje me të.
Ma bëri me dorë e u largua ngadalë. Ndjeva që në mënyrë të pandërgjegjshme e të pamëshirë e radhisja në gurët e hershëm të atyre viteve që matnin plakjen time. Sado që përpiqesha të ngushëllohesha nga ky takim e të rimerrja efektet e një dashurie krejt të pastër, ndjeva së brendshmi se një jetë krejt e thjeshtë e parake, pa shumë tretje egoje dhe energjish njerëzore, ndoshta do ishte një tjetër udhë që do më qëndronte në kurm fisëm e me bjerrje të pakta të hedhura poshtë e lart.