Norvegjia, atje ku në disa zona shkollat mbyllen vetëm në -50°C
Fenomen
Në Karasjok klima nuk është më ajo e dikurshmja, favorizuese, por banorët janë mësuar tashmë: fëmijët shkojnë në shkollë pa asnjë problem. Vetëm kur temperatura shkon -50°C, këshillohet që askush të mos dalë nga shtëpia
Kohët e fundit klima nga anët tona ka qenë e ndryshueshme. Në këto muaj dimri kemi përjetuar ditë të cilat dukeshin si pranverore, por papritur edhe ditë tepër të ftohta. Ajo që po alarmon shumë vendin tonë dhe fqinjët, janë përmbytjet.
Me forcë të pabesueshme dhe përbuzje për jetën njerëzore, natyra muajt e fundit është “hedhur” kundër disa qyteteve italiane dhe më gjerë, pasi lumenjtë e fryrë kanë shkatërruar çdo gjë. Për fat të keq, ndonjëherë nuk ka mjaftuar as koha për të marrë masat e duhura.
Alarmet për të njoftuar njerëzit që të mos dilnin nga shtëpitë kanë qenë të shpeshta. Me siguri edhe në qytete të tjera të botës, zyrat, ndërtesat publike dhe shkollat mbesin të mbyllura deri në qetësim të situatave të ndryshme që shfaq nëna natyrë. Por në Norvegji, kjo gjë ndodh vetëm kur temperaturat e jashtme zbresin poshtë -50 gradë celsius!
Norvegjia është shteti europian i ndodhur më në veri të saj. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 400 kilometrash katrorë, por është shteti i dytë më pak i populluar në Europë. Pavarësisht se e ndodhur pranë Rrethit Polar Arktik, klima në bregdet është mjaft e butë, falë ndikimit të rrymës së ngrohtë të Gjirit. Situata është krejtësisht e ndryshme në rrethina. Zinxhiri i blloqeve skandinave të Alpeve, bllokon temperaturat e buta duke gjeneruar temperatura që në dimër zbresin nën 20 gradë Celsius, siç ndodh shpesh në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë.
Por në këtë komb ka qytete në brendësi të saj më të nënshtruara ndaj temperaturave të ashpra. Për shembull, kështu ndodh në veri të këtij shteti, në Karasjok. Në këtë rajon, klima është tepër ekstreme: në dimër regjistrohet nën -40 gradë Celsius, ndërsa në verë regjistrohet deri në 30 gradë.
Në këtë vend kujtohet veçanërisht një dimër, ai i vitit 1988, kur temperaturat shkuan nën 51 gradë Celsius. Për ne shqiptarët, është e pamundur të dalësh jashtë nga shtëpia kur termometri shënon nën 2 gradë Celsius. Por ja që fëmijët e qytetit të Karasjok-ut lejohen të mos shkojnë në shkollë vetëm kur i ftohti vërtitet rreth -50 gradë celsius.
Një rregull ky i diktuar nga inspektori i shkollave. Menaxheri i njërës prej shkollave thotë me krenari se, kurrë nuk i ka mbyllur dyert e ndërtesës arsimore nëse jashtë nuk ka pasur një temperaturë të tillë, e konsideruar si e duhura për të mbyllur shkollën. Ai thotë gjithashtu se nxënësit mund të zgjedhin vullnetarisht, nëse përballë temperaturave të ngjashme, të shkojnë ose jo në shkollë.
Vetëm shoferi i autobusit të shkollës është i justifikuar që mos shërbejë në ditët më të ashpra të dimrit. Por si ka mundësi? “Autobusi mund të përballojë temperaturat deri në -40 gradë, poshtë kësaj temperature ekziston rreziku që motori i tij të bllokohet dhe nëse në atë moment fëmijët janë duke u transportuar, përgjegjësia për secilin prej tyre do të bjerë mbi shoferin”, shpjegon drejtori i shkollës së Karasjok.
Mund të ndodhë në fakt që shumë prej nxënësve të mos jenë prezentë në klasë, duke pasur nevojë për autobusin për të shkuar në shkollë. Gjatë atyre ditëve, për ata pak që paraqiten, mësimet zhvillohen në mënyrë të barabartë, por me një ritëm më të qetë, më të ngadaltë, në mënyrë që nxënësit që mungojnë, mos të mbesin prapa në mësime.
Mësuesit i këshillojnë gjithmonë ata të cilët qëndrojnë në shtëpi në ditët më të ftohta të dimrit, që të përfundojnë shpejt me detyrat. Si personeli ashtu edhe fëmijët e shkollës janë mësuar gjithmonë me këtë klimë dhe e dinë mjaft mirë se si të përshtaten me kohën e keqe. Për këtë vit, parashikimi i motit për ditët e ardhshme për zonat pranë qytetit të Karasjokut, do të jetë mjaftueshëm i butë: për të gjithë javën e ardhshme, temperaturat do të variojnë rreth -20 gradë Celsius. Duket se nxënësve të këtij vendi dimri do t’u shkojë shumë mirë!