“Nuk kisha ku të shkoja, duroja për fëmijët”, historia e gruas që përjetoi dhunën në familje
Për vite me radhë, jeta e saj u shndërrua në një përballje të vazhdueshme me dhunën, alkoolin dhe pasigurinë. E fejuar për gati dy vjet dhe më pas e martuar, ajo tregon se problemet nisën që në fillimet e martesës, kur bashkëshorti nisi të konsumonte alkool, të largohej për ditë të tëra nga shtëpia dhe të mos kontribuonte ekonomikisht për familjen.
Në rrëfimin për gazetarin Xhensil Shkëmbi, gruaja tregon se përveç kujdesit për fëmijët dhe punëve të përditshme të shtëpisë, i duhej të përballej edhe me dhunën fizike dhe mungesën e mbështetjes ekonomike.
“Kur kthehej, vinte i pirë. E pyesja ku kishte qenë, por nuk më jepte shpjegime. Ai nuk sillte lekë në shtëpi, asgjë. Unë përpiqesha të mbaja familjen. Kisha lopën, katër-pesë dhi dhe gomarin. Kisha vetëm pensionin e vjehrrës dhe asistencën”, rrëfen ajo.
Pavarësisht dhunës, për një kohë të gjatë nuk arriti të largohej nga bashkëshorti. Arsyeja ishte mungesa e një strehe dhe frika se nuk do të kishte ku të çonte fëmijët.
“Kam dashur ta lë, por nuk e lashë, sepse nuk kisha ku të shkoja. Nuk kisha mbrojtje dhe nuk kisha ku t’i çoja fëmijët. Mendoja se më mirë të qëndroja me burrin dhe fëmijët”, tregon ajo.
Situata u përkeqësua me kalimin e kohës. Gruaja kujton edhe një episod të rëndë dhune, pas të cilit vendosi të merrte fëmijët dhe të largohej drejt qytetit. Aty, përballë frikës së fëmijëve dhe sjelljes së bashkëshortit, vendosi të kërkonte ndihmën e policisë.
“Kur i pa fëmijët në qytet, ata po qanin dhe kishin frikë. Unë atëherë nuk durova më dhe njoftova policinë”, rrëfen ajo.
Sot, ajo thotë se gjendja e familjes është më e mirë. Ka arritur të gjejë punë dhe e konsideron këtë një mundësi të rëndësishme për të rindërtuar jetën e saj dhe për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë.
Megjithatë, pas gjithë viteve të vështira, pengu i saj mbetet koha e humbur dhe fakti që nuk arriti të largohej më herët nga një marrëdhënie e dhunshme.
“Kam vuajtur shumë gjatë jetës sime. Nuk duhet të kisha pritur kaq gjatë. Duhej të kisha marrë një vendim shumë më përpara, që në fillim të martesës”, shprehet ajo.
Në fund të intervistës, ajo ka edhe një mesazh për gratë e tjera që përjetojnë dhunë dhe që, për shkak të frikës, turpit apo mungesës së mbështetjes, zgjedhin të heshtin.
“Të bëhen të forta për veten e tyre dhe të mos durojnë kaq shumë. Jeta nuk është lodër, por është jetë. Të mos lejojnë që të tjerët t’ua marrin jetën”, apelon ajo.
Intervista:
Gazetari: Të lutem, më trego historinë tënde. Kur ndodhi martesa jote dhe kur ndodhi shuplaka e parë?
E intervistuara: Unë u fejova me mblesëri. Qëndrova shumë kohë e fejuar, gati dy vjet. Ai nuk vinte as për festa. Vinte vetëm kur kishte interes, kur kërkonte lekë ose kur kishte nevojë për diçka. Pas dy vjetësh u martuam.
Pas martesës, gjërat nuk ndryshuan. Ai vazhdonte të pinte alkool. I thosha të mos pinte, por ai largohej për dy-tre ditë dhe nuk vinte në shtëpi. Nuk e dija ku shkonte dhe ku rrinte. Kur kthehej, vinte i pirë. E pyesja: “Ku ishe?”, por ai nuk jepte shpjegime dhe vazhdonte të largohej.
Unë merresha me punët e shtëpisë dhe përpiqesha të mbaja familjen. Kisha lopën, katër-pesë dhi dhe gomarin. Të ardhurat ishin të pakta. Kishim vetëm pensionin e vjehrrës dhe asistencën.
Ai bëhej gjithnjë e më keq. Nuk rezistonte dot pa alkool, qoftë edhe për një ditë. E pyesja pse pinte, ndërsa ai më thoshte se ishte vetëm një gotë. Por nga një gotë bëheshin tre ose katër dhe pastaj fshihej për të vazhduar të pinte.
Nuk sillte lekë në shtëpi, nuk sillte asgjë. Unë përpiqesha të përballoja gjithçka dhe të kujdesesha për fëmijët.
Gazetari: Gjatë kësaj kohe të godiste?
E intervistuara: Më ka goditur. Ka ndodhur edhe në Vlorë, në fshat. Kam dashur ta lë, madje kam njoftuar edhe të tjerët, por nuk e lashë, sepse nuk kisha ku të shkoja. Nuk kisha mbrojtje dhe nuk kisha ku t’i çoja fëmijët.
Mendoja se më mirë të qëndroja me burrin dhe fëmijët, sepse nuk kisha një mundësi tjetër. Unë bëja çdo punë që të mund të mbaja fëmijët. Nuk kisha mbështetje të mjaftueshme. Prindërit kishin frikë dhe situata ishte shumë e vështirë.
Një ditë mendova se mund të ndryshonte diçka. Unë punoja në Maqedoni dhe i thashë se do të iknim për të punuar atje. Por nuk ikëm. Ai i prishi lekët dhe u kthye përsëri në mëngjes, i pirë.
I thosha: “Është ora tetë-nëntë. Unë jam ngritur, kam punët e shtëpisë dhe fëmijët”. I kisha ngritur fëmijët dhe i thashë të ngrihej edhe ai që të punonim. Por ai u ngrit përsëri në gjendje të dehur, iku dhe më tha: “Po më pe mua, mos…”.
Gazetari: Të godiste edhe para fëmijëve? Po fëmijët, i ka goditur ndonjëherë?
E intervistuara: Mua më godiste, por fëmijët jo. Vetëm një herë ka ndodhur një situatë shumë e rëndë, kur ai ishte i dehur dhe më goditi shumë. Fëmijët nuk më panë në atë moment. Ata e shihnin kur pinte, sepse atëherë ai nuk kishte fare kontroll.
Më pas mora fëmijët dhe i çova në qytet. Edhe ai ndodhej në qytet dhe ishte i pirë. Kur pa fëmijët, shkoi t’i pyeste. Ata po qanin dhe kishin frikë. Unë atëherë nuk durova më dhe njoftova policinë. Policia ndërhyri dhe më ndihmoi.
E intervistuara: Sot familja është mirë. I lutem Zotit të mos më marrë mendjen derisa të rris fëmijët. Pastaj le të ndodhë çfarë të ndodhë. Gjithçka e kam bërë për fëmijët.
Tani kam gjetur edhe punë. Jam shumë e kënaqur dhe falënderoj Zotin që më ka dhënë mundësinë të punoj. E vlerësoj shumë këtë mundësi.
Gazetari: Cili është pengu më i madh i jetës tënde?
E intervistuara: Që kam vuajtur shumë gjatë jetës sime. Nuk duhet të kisha pritur kaq gjatë. Duhej të kisha marrë një vendim shumë më përpara, që në fillim të martesës. Por mendoja për fëmijët. Ai i tillë ishte.
Gazetari: A është kjo një mesazh që u jep edhe grave të tjera? Pra, ka gra që sot mund të ndodhen në vendin tënd, që u vjen turp të flasin, u vjen turp të dalin në fshat, u vjen turp të tregojnë historinë e tyre. Gra që nuk kanë ku të shkojnë dhe kanë nevojë për një mesazh shprese. Çfarë do t’u thoje?
E intervistuara: Të bëhen të forta për veten e tyre dhe të mos durojnë kaq shumë. Jeta nuk është lodër, por është jetë. Të mos lejojnë që të tjerët t’ua marrin jetën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.