Kronika

Oficerët e liruar për shkurtim funksioni nuk rikthehen më në polici

Ligji i ri

Në draft është parashikuar bllokimi i ripranimeve

Në nenin 47 të projektligjit thuhet se po u trajtove me pension suplementar nuk rikthehesh në polici

Bledi Gilaj

policia

Punonjësit e policisë, të liruar nga detyra për shkak të shkurtimit të funksionit, nuk mund të rikthehen më në polici. Kjo pengesë është përcaktuar në ligjin e ri të policisë, i cili është dërguar për miratim në qeveri nga ministri Tahiri, duke tentuar kështu që të mos ketë më reforma të thella në strukturat e policisë shqiptare, siç është bërë sa herë ka ndërruar pushteti.

Reforma I

Çështja e lirimeve nga policia për shkak të mungesës së funksioneve organike zë fill në vitin 2005, kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet qendrore dhe erdhi në pushtet. Menjëherë, kjo forcë politike nisi punën për të gjetur hapësirat ligjore, për të rikthyer në detyrë ish-punonjësit e policisë, të cilët prej vitesh kishin dalë në reformë. Duke emëruar ata në detyra të ndryshme, shumë punonjës policie mbetën pa funksione, ndërkohë që mbi supe mbanin grada të ndryshme. Duke mos pasur mundësi emërimi për ta, pasi funksionet ishin zënë nga të rikthyerit, ata dolën në dispozicion.

Reforma II

Por, dy vite më vonë, pikërisht në vitin 2007, qeveria “Berisha” dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë ligjin e ri të Policisë së Shtetit. Pak para se të implementohej ai ligj, i cili është edhe sot në fuqi, ndodhi reforma më e thellë në policinë shqiptare, në të gjithë historinë e saj në vitet e pluralizmit. Mbi 2700 punonjës policie u liruan nga detyrat dhe u nxorën në dispozicion dhe u trajtuan sipas ligjit për pensionet suplementare. Vendet e tyre u zunë nga efektivë të rikthyer rishtas në polici. Emërimi në funksione i drejtuesve të efektivëve të rikthyer solli për ta edhe marrjen e gradave të larta, pasi ligji aktual parashikonte se në momentin e hyrjes në fuqi, punonjësit që mbanin një funksion të caktuar, përfitonin gradën që përshtatej me funksionin. Madje, në vitin 2007, pati shumë veta, të cilët nga punonjës policie ose persona që nuk kishin punuar kurrë në polici më parë, u titulluan oficerë. Ekspertët, atë kohë, e cilësuan si “bathorizimi i policisë”. Kurse të shkarkuarit nga puna iu drejtuan gjykatave dhe fituan gjyqet, por nuk u rimorën në radhët e uniformave blu me pretendimin se nuk kishte funksione të lira për gradat që mbanin.

Reforma III

Por, për gjashtë vite, ky ligj nuk u ndryshua më. Në shtator të vitit 2013, kur u formua qeveria e re, menjëherë nisën të njëjtat lëvizje, siç u bënë në vitet 2005-2007. Të gjithë oficerët e larguar gjatë atyre viteve, mes të cilëve janë shumë drejtorë aktualë policie, u rikthyen në radhët e uniformave blu, duke paraqitur vendimet e gjykatës, të cilat njihen nga ligji aktual. Duke emëruar këta oficerë të rikthyer në funksione drejtorësh, ata që ishin më parë mbetën në dispozicion. Në këto kushte, ata u liruan nga policia dhe trajtohen me pagë kalimtare dhe pas saj, me pension suplementar, siç parashikohet në ligjin aktual të policisë për këto raste. Ka edhe nga ata të liruar me motivacione të tjera, të cilët i janë drejtuar gjykatës për verime të padrejta të kryera nga eprorët e policisë.

Ligji i ri

Deri në këtë pikë, gjithçka ka lëvizur në vijë paralele me ndryshimin e pushtetit, por duket se qeveria ka menduar të frenojë reforma të mëtejshme në polici, pavarësisht nëse vazhdon të jetë në pushtet, apo do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Në draftin e paraqitur në qeveri për policinë mësohet se është shtuar një pikë e veçantë për rikthimet në polici. Pikërisht në nenin 47 të projektligjit janë parashikuar kriteret për rikthimin në polici. Në pikën 1 thuhet se një person mund të rikthehet në polici vetëm nëse ai ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit brenda dy viteve të fundit dhe është liruar nga policia për shkurtim të funksionit në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë. Kjo pikë shpjegon qartë se, nëse të liruarit nga policia nuk rikthehen brenda dy vitesh, ata nuk mund të shkelin më në polici. Kurse në pikën 3 të nenit 47 deklarohet se personi që trajtohet me pension të parakohshëm suplementar ose pension të shërbimit, pavarësisht përcaktimit të pikës 1 të këtij neni nuk rikthehet në polici. Pika 3 e nenit përforcon idenë e moskthimit në polici, pasi punonjësit që kanë mbushur moshën për pension suplementar, trajtohen që në momentin e lirimit të tyre për shkak të pamundësisë për emërimin e tyre. Duke u trajtuar që në ato momente, atëherë ata bien ndesh me ligjin për rikthim. Në këto kushte, të liruarve nga policia, të cilët sipas statistikave nuk rikthehen brenda dy viteve në radhët e policisë, u mbyllet dera përgjithmonë për të shërbyer në radhët e uniformave blu.

 

 

Sindikata e Policisë“Të drejtat e fituara më parë mbrohen me Kushtetutë”

Ndryshimi në ligj për çështjen e ripranimeve në polici është kundërshtuar edhe nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Në një prononcim për “Shqip”, kreu i Sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta, shprehet se kjo bie ndesh me Kushtetutën, pasi askush nuk u mohon të drejtën e rikthimit oficerëve të liruar për shkak të shkurtimit të funksioneve organike. “Punonjësit e policisë janë liruar nga detyra për shkak të pamundësisë që të emërohen në funksione që përputhen me gradat që kanë fituar në vite. Në këto kushte, nëse krijohen vende të lira në polici për gradat që ata mbajnë, pasi askush nuk mund t’ua heqë, atëherë ata kanë të drejtën e rikthimit në punë. Kjo është e drejtë universale dhe mohimi i saj bie ndesh me Kushtetutën, pasi të drejtat e fituara më parë me ligj nuk mund të hiqen nga një ligj tjetër”, shprehet Fishta. Sipas tij, vetë projektligji ka kundërshti sa u përket neneve për rikthimin në polici, megjithëse pranon se janë bërë shumë rregullime të nevojshme, duke normuar disa të drejta të punonjësve të policisë, që më parë ishin parashikuar vetëm me vendime qeverie dhe nuk ishin parashikuar në ligjin themeltar të policisë. Po ashtu, ai shpjegon se për herë të parë janë shtuar shumë përfitime për familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button