OKB në Ditën për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave: Fol, beso të mbijetuarat dhe kërko drejtësi
“Të garantojmë drejtësinë, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”, kjo është thirrja që bëjnë Kombet e Bashkuara në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në mbarë botën, duke prekur një në tri gra, gjatë jetës së tyre. Megjithatë, për shumë prej të mbijetuarave, drejtësia mbetet e paarritshme. Shumë prej tyre përballen me pengesa për të denoncuar dhunën, për të përfituar mbrojtje dhe mbështetje, apo për të vënë autorët përpara përgjegjësisë.
Pavarësisht përparimit në hartimin e ligjeve dhe politikave, hendeku mes angazhimeve ligjore dhe realitetit me të cilin përballen të mbijetuarat mbetet i madh. Frika, stigma, diskriminimi dhe reagimi i pamjaftueshëm i institucioneve vijojnë t’i pengojnë gratë dhe vajzat të kërkojnë drejtësi.
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave shënon nisjen e një fushate 16-ditore aktivizmi, fushate e cila përmbyllet në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor.
Fushata i drejtohet opinionit publik me thirrjen: “Fol! Besoji të mbijetuarat! Kërko drejtësi!”.
OKB inkurajon gjithkënd të sfidojë heshtjen dhe stigmën, të bëhet palë me gratë e mbijetuara si dhe të kërkojë vënien e agresoreve para drejtësisë.
Fushata thekson se dhuna ndaj grave dhe vajzave ndodh në të gjitha mjediset: në shtëpi, në vendin e punës, në hapësirat publike dhe në internet. Këto forma të dhunës shpesh ndërthuren dhe përforcojnë njëra-tjetrën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.