OMONIA, Dules: Ngri dorëheqjet në administratë, vendimi për koalicionin pas mbledhjes
Pas emërimit të Vangjel Dules në postin e nënkryetarit të Kuvendit, kësaj partie iu dhanë edhe tri poste zv.ministrash
Nga Artemisa Hoxha
OMONIA duket se do të jetë ajo që do të përcaktojë fatin e PBDNJ-së në koalicionin e majtë mazhoritar. Kryesia e OMONIA-s dhe kryetarët e komunave të fshatrave minoritare greke, të mbledhur dje në qytetin e Sarandës, e ka urdhëruar kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, për zyrtarizimin e ngrirjeve të dorëheqjeve të përfaqësuesve të saj në administratë, ndërsa për bashkëpunimin me koalicionin, do të vendoset në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të OMONIA-s. Mbledhja e djeshme erdhi pas miratimit të ndarjes territoriale të Shqipërisë në 61 njësi vendore, ndarje që u kundërshtua për njësinë e Himarës nga aleati i PS-së, Dule, i cili votoi kundër hartës së re. Edhe pse u përfol se pas miratimit të reformës territoriale në seancën e së enjtes kreu i PBDNJ-së do të dilte nga koalicioni i majtë, dorëheqja, nëse do të ketë, duket se do të nisë me dorëheqje të përfaqësuesve në administrata dhe më pas me daljen nga koalicioni. OMONIA mbështet qëndrimin e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa kritikon mosreagimin e deputetëve të tjerë minoritarë. “OMONIA e mbështet pa asnjë ekuivok qëndrimin e z. Vangjel Dule, kryetarit të PBDNJ-së, gjatë diskutimit të projektligjit, si dhe përshëndet deputetin Vangjel Tavo për pozicionimin e tij, njëkohësisht shpreh keqardhjen për qëndrimin e deputetëve të tjerë minoritarë. Kryesia e OMONIA-s rekomandon PBDNJ-në për ngrirjen e zyrtarizimit të dorëheqjeve të përfaqësuesve të saj në poste të larta qeveritare deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të OMONIA-s dhe PBDNJ-së, ku do të vendoset për të ardhmen e bashkëpunimit me koalicionin qeverisës”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Vangjel Dule tha se mbështet qëndrimin e mbledhjes së kryesisë së OMONIA-s, duke e lënë kështu fatin e të qenët në koalicion me PS-në, pezull.
Postet në qeveri
Pas emërimit të Vangjel Dules në postin e nënkryetarit të Kuvendit, kësaj partie iu dhanë edhe tri poste zv.ministrash. Jani Babi, zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Oljana Ifti, zëvendësministre e Mjedisit dhe Alqi Puli, në postin e zv.ministrit të Punëve të Jashtme, janë tre përfaqësuesit e PBDNJ-së në nivelin e dytë të qeverisjes.
Akuzat
Duke e cilësuar shkelje të konventave ndërkombëtare miratimin e reformës territoriale në Parlament, OMONIA paralajmëroi se do të informojë faktorët ndërkombëtarë për atë që ajo e konsideron zhvillime të disfavorshme për minoritetin etnik grek. Sipas OMONIA-s, propozimi për kufijtë administrativë me gjithë amendamentet e përfshira në momentet e fundit, nuk plotësuan asnjë nga kërkesat për Himarën, Lukovën dhe në veçanti për Çukan. “Në përgjithësi, në zonat ku historikisht jeton minoriteti etnik grek në Shqipëri, ka tendenca shkeljesh të konventave ndërkombëtare, të cilat Republika e Shqipërisë i ka ratifikuar. Në mënyrë të veçantë, është shqetësues fakti që atmosfera gjatë diskutimeve në Parlament ishte e tensionuar dhe larg standardeve europiane. Retorika e Kryeministrit në veçanti zbuloi që qeveria vazhdon të mbetet peng e praktikave të shkeljes së të drejtave të njeriut për minoritetet dhe karakterizohet nga mentalitete nacionaliste dhe totalitare të së kaluarës. Kryesia e OMONIA-s dhe të gjitha strukturat e saj, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për informimin e faktorëve ndërkombëtarë të të gjitha niveleve për këto zhvillime të disfavorshme për minoritetin etnik grek në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s.
Fshatrat minoritarë kërcënojnë me protesta, edhe pas miratimit të reformës territoriale
Livadhja, Sopik dhe Vagalat kërcënojnë me referendum, Paloka: Rama ngriti polin grek
Banorët e Livadhjasë, Sopikut dhe Vagalatit kundërshtojnë reformën territoriale, duke paralajmëruar përshkallëzimin e protestave deri dhe në referendum popullor. Tre komunat Livadhja, Sopik dhe Vagalat paralajmërojnë ndjekjen e çdo rruge që ua lejon Kushtetuta, nëse nuk merren parasysh peticionet e dërguara ditë më parë prej tyre institucioneve, ku ata kërkojnë që ndarja territoriale të mos politizohet. Kryetari i Komunës së Livadhjasë, Irodhi Dalani, thotë se të drejtat e tyre do t’i kërkojnë madje deri në Bruksel. Ndërkohë që në një reagim të tij në “Facebook”, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka lëshuar akuza mbi kreun e qeverisë, se me ngritjen e Livadhjasë si njësi më vete po kërkon të krijojë një njësi me grekë, edhe pse aty ka shqiptarë. “Të dashur miq, në mënyrë krejt antikushtetuese, Edi Rama deklaron se në Himarë ka minoritet, kur asnjëherë në 101 vjet histori të shtetit shqiptar, asnjë Kryeministër s’ka deklaruar se në atë zonë banojnë minoritarë. Deklaratat e Edvinit janë tymuese për të fshehur themelimin e Komunës së Livadhjasë, pa kurrfarë zone urbane, me salamandrizimin e fshatrave nga tri rrethe dhe me ngritjen e një poli të ri të grekomanisë, edhe me mbështetjen e disa palo deputetëve me frymëzim ‘antigrek’”, thotë Paloka. Ndërkohë që në një tjetër takim para disa ditësh, ku i pranishëm ishte edhe zv.ministri i Jashtëm i PBDNJ-së, Alqi Puli, përfaqësues të minoritetit grek të komunave Livadhja, Aliko, Mesopotam, Dhivër dhe Finiq kanë propozuar dy komuna minoriteti pa lëvizur kufijtë administrativë, po duke bashkuar Livadhjanë me Alikon dhe Finiq, Dhivër e Mesopotam, si formë bashkie.