Kronika

Operacioni në Lazarat, gjenden të groposura armë dhe 3 tonë marijuanë

albania_marijuanaPolicia e Shtetit gjatë aksionit të ndërmarrë në Lazarat ditën e sotme ka sekuestruar rreth 3 tonë marijuanë, 88 kallëpe tritoli dhe armë luftarake.

Armët, sasia e madhe drogës e presuar dhe tritoli janë gjetur të groposura në gropat që shërbenin për kultivim të kanabisit në lagjen “Gjoka”, në bahçen e shtetasit K. Buzheri i cili është shpallur në kërkim.

Gjatë ditës së sotme nga kontrollet e ushtruara është bërë i mundur sekuestrimi i 2 tonë e 950 kilogramë mariuane, 1 armë pushkë model, 63, 88 kallëp tritoli dhe 3 bidonë të mëdhenj të mbushur me fishekë mitrolozi të rëndë dhe kallashnikovi. Gjithashtu policia ka sekuestruar 12 krehër fishekësh, 3080 fishekë model 56, 1 makineri për presim të lëndës narkotike dhe 1 makineri për lojëra fati.

Sipas policisë, sasitë e mëdha të drogës, të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse si dhe e sendeve të tjera të kundraligjshme dhe mënyra e fshehjes së tyre bën të domosdoshme vazhdimin e operacionit edhe ne ditët në vijim .

Gjithashtu po sot është zbuluar dhe asgjësuar një sasi shumë e madhe marijuane e fshehur në një cisternë metalike që shërbente për transport uji.

Në vijim të operacionit në orët e para të mëngjesit nga forcat e policisë në Lazarat,u zbulua një banesë ku në bodrumin e saj kishte 9 fuçi plastike të mbushura me marijuanë në formë bohçeje gjithsej 383 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale . Gjithashtu në banesë u sekuestruan edhe dy makineri të lojërave të fatit. I zoti i banesës A. Proko është shpallur në kërkim.

Bilanci i operacionit në Lazarat deri më sot

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe kapjen e një sasie prej 68 ton e 36.937 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim.

Janë gjetur gjithashtu 5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 53 kg e 750 gram lëndë narkotike e dyshuar çokollatë.

Sakaq, rezultojnë të gjetura 4.395 kg farë kanabis sativa dhe rreth 16.8 litër vaj hashashi.

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llamba për ngrohje.

Përveç lëndëve narkotike, policia ka gjetur sasi të konsiderueshme municioni dhe armë.

Deri më sot, forcat e policisë kanë ushtruar kontroll në territoret e mbi 849 banesave dhe në një sërë ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 39 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale , si: për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. Po ashtu është proceduar penalisht dhe Kreu i Komunës Lazarat.

Gjithashtu gjatë operacionit janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë në Lazarat për prodhim dhe shitje të narkotikëve, të cilët janë shpallur në kërkim edhe më pare dhe rezultojnë të dënuar nga gjykatat me vendim të formës së prerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button