OSBE: Mali i Zi forcoi kuadrin për trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit
Mali i Zi në dy vitet e fundit e ka forcuar kuadrin për trajtimin e rasteve të krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit, njoftoi OSBE-ja, siç raporton CdM, me rastin e publikimit të raportit të dytë të projektit rajonal “Monitorimi i gjyqeve — lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.
Ekipi i Misionit të OSBE-së në Mal të Zi gjatë dy viteve monitoroi 1.018 seanca dëgjimore në 61 lëndë dhe mbajti gati 100 takime e konsultime me përfaqësues të sektorit të drejtësisë. Ndër përparimet kryesore, raporti veçon ngushtimin e kompetencave të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe të Departamentit të Specializuar të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, gjë që u mundëson të dy institucioneve t’i përqendrojnë kapacitetet te lëndët më komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas raportit, përparim kanë sjellë edhe miratimi i udhëzimit detyrues për hetimet financiare, forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve, përpjekjet e Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore — veçanërisht në lëndët e pastrimit të parave — si dhe udhëzimet për sanksionet penale dhe menaxhimin e gjyqeve e trajnimet e specializuara për gjyqtarë e prokurorë.
Megjithatë, OSBE-ja thekson se përparimi i arritur duhet të shoqërohet me zbatim të vazhdueshëm të reformave të miratuara. Ndër prioritetet mbeten efikasiteti më i madh në trajtimin e lëndëve komplekse, rritja e numrit të aktgjykimeve të formës së prerë dhe rezultate më të mira në konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me veprimtari kriminale, si dhe përmirësimi i kushteve hapësinore të Departamentit të Specializuar të Gjykatës së Lartë në Podgoricë dhe mbrojtja nga ndikimet e jashtme të papërshtatshme.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Mal të Zi, ambasadori Jan Haukaas, përshëndeti publikimin e raportit dhe tha se pranimi i rekomandimeve të projektit nga institucionet malazeze të drejtësisë përbën një kontribut konstruktiv për reformat. “Kjo tregon se monitorimi i pavarur i gjyqeve, së bashku me dialogun e hapur dhe përkushtimin institucional, mund të sjellë ndryshime pozitive”, deklaroi Haukaas.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.