Ekonomia

OSHEE: Koncepti menaxherial, i orientuar nga rezultatet dhe eficienca

Intervistë me z. Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Rezultatet e deritanishme në uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve kanë krijuar një bazë të shëndoshë financiare që kompania, më në fund pas shumë vitesh agoni, të fillojë zbatimin e një plani të mirëfilltë investimesh për përmirësimin e rrjetit, duke bërë të mundur në vitet në vazhdim realizimin e një furnizimi normal me energji ndaj konsumatorit, thotë z. Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në një intervistë, ku flet për performancën e kompanisë.

Si do ta vlerësoni ecurinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë?

Shoqëria OSHEE vinte nga një periudhë administrimi të përkohshëm 2013 – 2014, ku me gjithë disa përmirësime të vogla, nuk u arritën rezultatet e pritshme. Në korrik 2014, qeveria shqiptare arriti të zgjidhte me konsensus mosmarrëveshjen me shoqërinë CEZ a.s, dhe në tetor 2014, 100% e aksioneve të shoqërisë kaluan në pronësi të shtetit shqiptar, duke bërë të mundur dhe ndryshimin e emrit të shoqërisë nga CEZ Shpërndarje sh.a., në “OSHEE” – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a.
Me kalimin 100% të aksioneve në pronësi të shtetit shqiptar, menaxhimi dhe strategjia e shoqërisë OSHEE u bënë pjesë e strategjisë kombëtare që qeveria është duke ndjekur në të gjithë sektorët, përfshirë këtu sektorin e energjisë, pjesë e të cilit është kjo shoqëri.
Masat e marra gjatë vitit 2015 ishin pjesë e Planit të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë, të miratuar nga qeveria shqiptare, të cilat ishin të domosdoshme për realizimin e tre objektivave kryesore që OSHEE ka aktualisht, siç janë:
a) reduktimi i humbjeve në rrjet
b) rritja e arkëtimeve
c) sigurimi i një furnizimi normal të energjisë
Rezultatet e aksioneve të ndërmarra gjatë vitit 2015 i kaluan të gjitha pritshmëritë, ku që prej 3-mujorit të parë 2015, shoqëria arriti për herë të parë të ketë një rezultat financiar pozitiv, që prej krijimit të saj në vitin 2007.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, shoqëria ka mundur të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, duke bërë të mundur kalimin nga një situatë humbjesh të njëpasnjëshme të regjistruara në vitet e mëparshme, të fillojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të akumuluara prej shumë vitesh.
Disa prej rezultateve domethënëse që shoqëria arriti gjatë 2015-s mund të përmendim:
•Uljen e humbjeve në nivelin e 31.34%, nga 37.81% që ishin në 2014, apo 44.7% në vitin 2013 (e përkthyer në rezultat financiar një reduktim humbjeje prej 24.9 milionë eurosh vetëm nga ky fakt)
•Rritjen e arkëtimeve në nivelin e 65.7 miliardë lekë, nga 49.7 miliardë në 2014 dhe 38.3 miliardë lekë në vitin 2013.
•Kjo bëri të mundur që OSHEE të paguajë në kohë furnitorët e saj sidomos ata dy më kryesorët, KESH dhe OST, në nivelin e 104% të faturave të vitit 2015, nga 57% të paguar gjatë 2014-s, ose 10.5 miliardë lekë më shumë.
•Rezultat financiar pozitiv, për herë të parë që prej krijimit të shoqërisë, duke regjistruar një fitim prej 11.5 miliardë lekësh nga aktiviteti i shoqërisë (pa përfshirë të ardhurat e jashtëzakonshme).
Ky fitim erdhi si rezultat i disa faktorëve kryesorë siç ishin:
•rritja e të ardhurave nga energjia me 7 miliardë lekë ose 16% më shumë;
•ulja e shpenzimeve për energjinë me 3.8 miliardë lekë, si rezultat i uljes së humbjeve, si dhe blerjes së energjisë nga importi me çmim më të ulët;
•reduktimi i shpenzimeve operative me 4 miliardë lekë, ose 37% më pak, pavarësisht intensitetit të lartë të punës dhe rritja e fuqisë punëtore gjatë 2015-s.
Totali i borxheve të OSHEE, për herë të parë pas shumë vitesh rritje, u ul në fund të 2015-s me 10.6 miliardë lekë, nga një rritje e borxheve prej 5 miliardë lekësh gjatë 2014-s dhe një rritje prej 19.3 miliardë lekësh gjatë vitit 2013.
Rezultatet e deritanishme në uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve kanë krijuar një bazë të shëndoshë financiare që kompania më në fund pas shumë vitesh agoni, të fillojë zbatimin e një plani të mirëfilltë investimesh për përmirësimin e rrjetit, duke bërë të mundur në vitet në vazhdim realizimin e një furnizimi normal me energji ndaj konsumatorit.

Si ka qenë ecuria e deritanishme e vitit 2016 dhe pritshmëritë deri në fund të vitit?

Përveç situatës emergjente afatshkurtër, me të cilën OSHEE u përball gjatë vitit 2015, shoqëria vazhdon edhe gjatë vitit 2016 të ndjekë një politikë agresive për sa i përket realizimit të tre objektivave të sipërpërmendur.
Konkretisht, gjatë 6-mujorit të parë të 2016-s, OSHEE vazhdoi reduktimin e humbjeve me -3.33% krahasuar me 6-mujorin e parë 2015, duke i zbritur ato në nivelin historik të 28.96%.
Për sa u përket arkëtimeve, ato rezultojnë në nivele mjaft të kënaqshme, duke tejkaluar dhe pritshmëritë për këtë periudhë me 1.4 miliardë lekë më shumë se parashikimi.
Deri në fund të vitit 2016, OSHEE parashikon reduktimin e humbjeve në nivelin e rreth 28%, si dhe tejkalimin e Planit të Arkëtimeve.
Sa i takon rezultatit financiar, OSHEE pret të regjistrojë për të dytin vit radhazi, fitim i cili parashikohet në nivelin e 7 miliardë lekëve, ose rreth 2.7 miliardë lekë më shumë se parashikimi.
Përveç sa më sipër, OSHEE po ecën me një plan mjaft agresiv investimesh, i cili ka filluar prej 6-mujorit të dytë të vitit 2015 ku u realizuan 3 miliardë lekë investime, dhe gjatë vitit 2016 këto investime parashikohen të jenë në nivelin rekord historik prej 9.5 miliardë lekësh.
Këto investime kanë sjellë menjëherë efektet e tyre në reduktimin e humbjeve në rrjet, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit.

Në raport me dy vite më parë, treguesit financiarë të kompanisë janë përmirësuar ndjeshëm. Cilat kanë qenë arsyet kryesore?

Më sipër janë përmendur treguesit kryesorë të përmirësuar gjatë vitit 2015–2016, si dhe disa shpjegime mbi këta tregues. Por nëse do të analizonim me kujdes gjendjen mjaft të rënduar në të cilën ndodhej shoqëria, sidomos para vitit 2014, vlen të theksohet që arsyeja kryesore e ndryshimit rrënjësor të situatës financiare të OSHEE është vendosmëria e qeverisë shqiptare.
Ishte kjo vendosmëri që filloi prej vitit 2014 me zgjidhjen e konfliktit me palën çeke, dhe vazhdoi me ndryshimin rrënjësor në konceptin e menaxhimit të shoqërisë, duke dhënë njëkohësisht një mbështetje të jashtëzakonshme në zbatimin e strategjisë së rimëkëmbjes së kësaj shoqërie në aktivitetin e saj të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Nëse do të flisnim për strategjinë afatshkurtër të ndjekur gjatë 2015–2016, mund të përmendim si arsye kryesore konceptin menaxherial të ndjekur gjatë kësaj periudhe, i cili ka qenë i orientuar vetëm mbi baza arritje rezultatesh dhe rritje eficence të kompanisë, duke minimizuar në maksimum veprimet joefektive dhe joeficente në dëm të aktivitetit të shoqërisë, duke sjellë kështu një mentalitet të ri për një kompani shtetërore në Shqipëri.
Ky stil menaxhimi ka bërë të mundur që çdo qelizë e OSHEE të ketë targete të mirëpërcaktuara në drejtim të objektivave, të cilat kanë sjellë që shoqëria të regjistrojë gjatë kësaj periudhe rezultate historike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button