Ekonomia

OSHEE: Nga 37 miliardë lekë humbje, fitimi 2.1 miliardë lekë

cdelaIntervistë me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela.

Për tremujorin e parë 2015, OSHEE ka deklaruar se ka dalë me një fitim prej 2.1 miliardë lekësh, për herë të parë që prej 2009-s, nga 37 miliardë lekë humbje në 2012-n, 26 miliardë lekë po humbje në 2013-n, që u reduktua në 2.1 miliardë lekë në 2014-n. Humbjet në rrjet gjithashtu janë reduktuar; ka filluar shlyerja e detyrimeve të prapambetura, ndërsa investimet pritet të zgjerohen ndjeshëm. Kompania parashikon, që humbjet në vitin 2019 pritet të shkojnë në 15.2%. Me fillimin e vitit 2016, detyrimet e prapambetura do të ulen ndjeshëm dhe pas vitit 2020 do të mund të shlyhen përfundimisht. Në këte intervistë të posaçme, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela flet lidhur me performancën e kompanisë që drejton dhe planet për të ardhmen.

Zoti Çela, OSHEE ka konfirmuar planin për një ulje të humbjeve me 5% në vit deri më 2018, por a është mjaftueshme kjo masë për të mbuluar kostot? Nëse jo, sa për qind duhet të rritet çmimi që të barazohet me kostot?

Prej gati dy vitesh, qeveria e ka bërë transparente situatën e rëndë financiare në sektorin energjetik dhe borxhet që shkonin mbi 1.1 miliardë dollarë. Paralelisht me masat e marra, qeveria ka miratuar Strategjinë e Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit Energjetik. Sipas këtij dokumenti, tanimë zyrtar, jepen parashikime konkrete dhe objektiva fikse për t’u arritur nga secili prej aktorëve të sektorit, ku përfshihet dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Strategjia parashikon se sektori do të ketë gjithnjë e më pak nevojë për mbështetjen buxhetore, deri në vitin 2018, kur parashikohet që të realizohet kthesa dhe të dilet nga kolapsi financiar. Objektivi për uljen me 5% në vit të nivelit të humbjeve në rrjet, paralelisht me rritjen e ndjeshme të arkëtimeve nga faturat korente, do të bëjnë të mundur që në vitin 2018 të kemi humbjet në parametrat e pranueshëm, krahasuar dhe me vendet e tjera. Ka natyrisht edhe një plan konkret për uljen e ndjeshme të kostove operative që lidhen me shpenzimet administrative të shoqërisë. Përmes projektit të financuar nga Banka Botërore do të mund të kryhen një sërë investimesh të domosdoshme, ndërsa vetë OSHEE ka planifikuar me fondet e saj investime të konsiderueshme në rrjetin e shpërndarjes. Investimet dhe sidomos përmirësimet teknologjike do të ulin më tej humbjet, të cilat në vitin 2019 pritet të shkojnë në 15.2%.

Shifrat tregojnë se detyrimet e OSHEE i kalojnë 500 milionë eurot, në çfarë viti pritet të zerohet?

Duhet thënë se, me gjithë përmirësimin e ndjeshëm, detyrimet e prapambetura e tejkalojnë sot 3 herë kapitalin aksioner të shoqërisë. Ulja e humbjeve ka pasur një ecuri shumë të kënaqshme edhe në raport me parashikimin, përmirësimi i arkëtimeve ka kaluar të gjitha parashikimet e shoqërisë. Gjatë 3-mujorit të vitit 2015, janë arkëtuar rreth 19.7 miliardë lekë nga 13.2 miliardë lekë të planifikuara ose 149%. Shtimi i likuiditetit ka rritur aftësinë paguese të kompanisë, e cila po shlyen të gjitha shpenzimet korente, duke filluar edhe me uljen e detyrimeve të prapambetura. Detyrimet ndaj kompanive të importit të energjisë, për 3-mujorin e parë, u ulën me rreth 1.9 miliardë lekë. Shoqëria do të investojë rreth 10 miliardë lekë brenda vitit në përmirësimin e rrjetit, nga të cilat rreth 6.6 miliardë lekë do të jenë nga burimet e brendshme, çka do të pengojë uljen e menjëhershme të detyrimeve. Me fillimin e vitit 2016, detyrimet e prapambetura do të ulen ndjeshëm dhe pas vitit 2020 do të mund të shlyhen përfundimisht.

Sa miliardë lekë do të jenë shpenzimet e kompanisë këtë vit më shumë se të ardhurat dhe me çfarë do të mbulohet ky deficit?

Shpenzimet e këtij viti nuk do të jenë më të mëdha se sa të ardhurat. Të mos harrojmë gjithashtu se kompania mundi të realizojë së fundi një 3-mujor me fitim, për herë të parë të paktën që prej vitit 2009. Për 3-mujorin e parë u regjistrua një fitim prej 2.1 miliardë lekësh, i cili pritet të rritet në 3-mujorët në vazhdim.

Ku do të përqendrohen investimet këtë vit?

Tanimë të gjithë e dinë se kemi trashëguar një rrjet tejet të amortizuar, një vjetërsi gati 40-vjeçare. Flasim për një rrjet gati të kalbur, ku në plot raste konsumatorët janë përballur me ndërprerje pikërisht për shkak të kësaj situate. Në shumë zona, rrjeti nuk është në gjendje të përballojë ngarkesën dhe sjell rrjedhimisht defekte e mungesë të furnizimit me energji. Mjafton t’ju përmend rastin e zonës së Kombinatit në Tiranë, një rajon me gati 100 mijë banorë që furnizohet nga një nënstacion. Çelësat e këtij nënstacioni janë prodhuar më shumë se 70 vjet më parë!! Po! Janë 100 mijë banorë, furnizimi i të cilëve me energji elektrike varet nga një aparaturë e ndërtuar në vitet ‘30, pra në kohën e Zogut. Në këtë situatë, është e kuptueshme se ndërhyrja me investime është më se emergjente. Jemi angazhuar se viti 2015 do të shënojë një pikë kthese edhe në drejtim të ndërhyrjes në rrjet. Ku do të fokusohemi?! Aty ku humbjet janë më të mëdha, aty ku rrjeti si në linja, shtylla, nënstacione e kabina është më i degraduar. Natyrisht, nuk do të ketë investime të shpërndara pa logjikë, por do të kryhen në ata sektorë/objekte ku janë kryer analiza dhe ka një konkluzion mbi efektshmërinë e ndërhyrjes. Do të ketë investime edhe të karakterit strategjik, sidomos në aspektin e zhvillimit të turizmit, duke ngritur kapacitete të forta përgjatë bregdetit. Për të qenë më i drejtpërdrejtë, dua të them se plani i investimeve për vitin 2015 është parashikuar të kryhet në dy drejtime: Së pari, investime me fondet e OSHEE-së me vlerë të parashikuar rreth 5.2 miliardë lekë; dhe së dyti, investime me fondet e Bankës Botërore dhe OSHEE me vlerë të parashikuar 4.4 miliardë lekë. Investimet që i përkasin vetëm OSHEE-së do të fillojnë që në muajt e ardhshëm ndërsa investimet me fondet e Bankës Botërore janë në fazën e procedurave të tenderimit dhe do të nisin implementimin në 3-mujorin e katërt të vitit 2015. Investime që do të vazhdojnë sipas planit për tre vitet e vlefshmërisë së projektit të rimëkëmbjes së sektorit energjetik, hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Te kjo pjesë kemi avancuar, duke hapur procedura prokurimi për rreth 15 milionë dollarë investime në Tiranë dhe Durrës, dy qendrat me konsumin më të lartë të energjisë në vend. Sa u takon investimeve në ndërtim nënstacionesh, ato do të fokusohen në ndërtimin e nënstacionit 110/20 kV Tirana Qendër, ndërtimin e nënstacionit 110/35/20 kV TEC Kombinat, si dhe një sërë nënstacionesh, duke nisur me Gjirokastrën, etj. Besoj se përmes këtyre investimeve do të rritet ndjeshëm kapaciteti për përballimin e ngarkesës në rritje në zonat që mbulohen duke përmirësuar edhe cilësinë e furnizimit. Do të krijohet mundësia për zgjerimin e rrjetit shpërndarës nëpërmjet ndërtimit të linjave të reja të tensionit të mesëm. Linja këto që në mënyrë direkte dhe indirekte do të ndikojnë në uljen e humbjeve teknike, si pasojë e mirëkonfigurimit dhe rishpërndarjes së ngarkesave në rrjet, por edhe nëpërmjet zëvendësimit dhe fuqizimit të rrjetit ekzistues tepër të amortizuar e jashtë çdo kushti teknik. Investimet në nënstacione do të rrisin jetëgjatësinë e tyre, do të ndikojnë në uljen e numrit të defekteve dhe do të përmirësojnë cilësinë e furnizimit për së paku 40 mijë abonentë. Në lidhje me investimet në ndërtim/rikonstruksion rrjeti të Tensionit të Mesëm, ato parashikojnë ndërtim fiderash të rinj 20 kV; ndërtim kabinash të reja 20 kV; rikonstruksion rrjeti e kabinash ekzistuese, si dhe kalim të rrjetit 6/10 kV në rrjet 20 kV. Në këtë kategori investimesh është për t’u përmendur ndërtimi i rrjetit të Tensionit të Mesëm në zonën e Bathores, atë të Paskuqan-Babrrusë por edhe fiderat e rinj dalës nga nënstacioni TEC Kombinat. Do të kryhen edhe një sërë investimesh të tjera në ndërtim dhe rikonstruksion rrjeti të Tensionit të Mesëm, të shpërndara këto kryesisht në rajonet Tiranë, Durrës dhe Fier. Këto ndërhyrje prekin më shumë se 90 km linjë të Tensionit të Mesëm 20 kV, 140 kabina transformimi 20/0.4 kV dhe 25 000 abonentë. Duke u ndalur në investimet e zonës së Jugut, dua të them se në Sarandë do të zgjerohet rrjeti 20 kv, nga Turizmi në drejtim të Kanalit të Çukës. Në Vlorë do të ndërtohen dy nënstacione të reja, përkatësisht në Orikum e Himarë, si dhe do të shtrohet rrjeti 20 kv, investime që bëhen në bashkëpunim me KFW. Investim tjetër është ai i zgjerimit të rrjetit 20 kv Himarë – Orikum dhe Orikum – Radhimë me fondet e Bankës Botërore. Duke mbetur në zonat bregdetare, në Golem të Kavajës do të rikonstruktohet nënstacioni i Golemit dhe në Shkodër e Lezhë do të rikonstruktohen disa nënstacione. Për ta mbyllur, prej këtyre investimeve që do të kryejmë, vlerësohet se do mund të kemi një ndikim direkt me uljen me 4 pikë përqindje të nivelit të humbjeve.

Sa familje ka ende që paguajnë pa matës, pra aforfe? Po biznese ka?

Numri i konsumatorëve pa matës rezulton të jetë rreth 31,900, nga të cilët rreth 1,500 janë konsumatorë jofamiljarë. Këto shifra përfaqësojnë 2.6% të totalit të konsumatorëve, ndërsa kategoria Privat rezulton të përfaqësojë 1% të numrit total të privatit që arrin në rreth 147 mijë. Ekziston dhe një kategori klientësh që kanë matës të dëmtuar/apo që i dëmtojnë qëllimisht, duke prishur ekranet apo thyerje të tyre dhe që evidentohen gjatë procesit të faturimit. Ky numër arrin në 10 mijë matës. Duhet të kuptohet qartë se faturimi afrofe është zgjidhje e kushtëzuar, e cila në plan afatgjatë e dëmton edhe vetë kompaninë. Jemi të angazhuar dhe shpresojmë se në fillimin e vitit 2016, çdo konsumator do të jetë i pajisur me matës dhe nuk do të ketë më faturim afrofe.

Ligji i ri për energjinë që u miratua në Kuvend parasheh sekuestro të pasurive të paluajtshme për borxh 150 mijë lekë për bizneset. A ka gati OSHEE mjetet e nevojshme për zbatimin e këtij angazhimi dhe a duhen burime njerëzore shtesë?

Barra hipotekore vendoset me qëllim që të sigurohet ekzekutimi i detyrimit, pra që të kufizohet mundësia e klientit debitor që të tjetërsojë sendin pa ekzekutuar detyrimin përkatës. Ky mjet ekzekutimi është parashikuar në Kodin e Procedurës Civile dhe në këtë kuptim, furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, vendos barrën hipotekore. Më pas, iniciohen procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, sepse fatura e konsumit të energjisë është titull ekzekutiv. Nëse përmbaruesi i angazhuar në këtë proces nga Furnizuesi, arrin që të vjelë detyrimin nëpërmjet pasurive dhe aseteve të tjera të debitorit, atëherë furnizuesi heq këtë barrë hipotekore. Në këtë kuadër, OSHEE në funksion të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ligji, ka përshtatur mënyrën e organizimit të njësive të saj organizative, duke mbajtur në konsideratë faktin që procesi i vendosjes së mjetit të sigurimit do të shoqërohet me atë të shërbimit përmbarimor.

Zoti Çela, në një kohë që OSHEE dhe policia janë në vijim të një aksioni të ashpër që po çon në burg edhe qytetarët, nuk shohim të njëjtin angazhim nga kompania për më shumë transparencë me ecurinë e gjendjes financiare dhe perspektivën?

Nuk e di nga e keni krijuar këtë konstatim, pasi në gjykimin tim nuk qëndron! OSHEE nuk fut njeri në burg. Askënd! Në zbatim të ligjit, energjia elektrike e konsumuar duhet paguar, në të kundërt klientit i ndërpritet furnizimi, pasi është debitor. Energjia elektrike nuk të rikthehet pa paguar detyrimet, dhe ligji në këtë pikë është i qartë, sikurse janë të përcaktuar qartazi në Kodin Penal edhe sanksionet për ndërhyrjet në rrjet dhe kush e vjedh energjinë. Ndonëse është abuzuar shumë politikisht, askush nuk ka përfunduar në burg për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e energjisë. Në burg ka përfunduar ai që ka konsumuar vepër penale të ndërhyrjes në sistemin e matjes dhe vjedhje të energjisë elektrike. Është detyrë e Policisë së Shtetit për të luftuar çdo vepër penale, dhe në rastin konkret vjedhja e energjisë elektrike përbën një vepër penale. Në lidhje me transparencën, besoj se ju, pra mediat, e dini më mirë se kushdo tjetër se sa aktive ka qenë OSHEE në lidhje me pasqyrimin e shifrave, rezultateve financiare. Kemi krijuar një traditë, e cila nuk ekzistonte më parë: dalja çdo muaj në konferenca të posaçme në lidhje me rezultatet. Ka pasur komunikime të vazhdueshme me median, prezencë të gazetarëve edhe gjatë kontrolleve që ushtrohen në terren. Ndoshta në konstatimin tuaj i referoheni planit të investimeve, i cili u bë publik vetëm pak kohë më parë. Gjithsesi, duhet të kuptoni se vendosja e objektivave për realizimin e investimeve nuk ka qenë proces i lehtë. Po investohet për herë të parë pas shumë vitesh. Janë mbi 500 milionë dollarë investime që i mungojnë në vite sektorit. OSHEE ka kryer një sërë analizash, konsultimesh, edhe me partnerë të huaj, para se të vendoste se ku do të investonte. OSHEE synon që çdo qindarkë e investuar të jetë eficente dhe të përkthehet në rezultat konkret. Kompania është në procesin e rimëkëmbjes, financat po marrin së fundmi frymëmarrje, ndaj dhe ne duam që fondet e vendosura në dispozicion të investimeve të menaxhohen me rigorizitetin që duhet.

Si paraqitet situata me arkëtimet dhe aktmarrëveshjet? Keni vendosur së fundmi disa skema të reja, cilat janë ato?

Sapo kemi mbyllur muajin prill, me arkëtime të realizuara në vlerën e rreth 5.2 miliardë lekëve. Kjo shifër, në raport me periudhën e kaluar dhe planin është pozitive dhe duhet të them se kemi tejkalim të parashikimit. Në lidhje me nivelin e humbjeve, kjo e dhënë kërkon ende kohë të gjenerohet, por besojmë se edhe në këtë zë e kemi arritur objektivin. Ecuria e deritanishme ka qenë pozitive, me nivel humbjesh që reduktohet çdo muaj në disa pikë përqindje. Objektivi është që deri në fund të vitit, humbjet mesatare vjetore të jenë 32%, nga mbi 45% që ishin në 2013. Si 4-mujor, arkëtimet janë afro 24 miliardë lekë, kur për të gjithë vitin 2015 kemi objektiv të mbledhim 54 miliardë lekë. Pra, duket qartë ecuria pozitive. Tregues me rëndësi është edhe niveli në përqindje i arkëtimeve, niveli i arkëtueshmërisë së faturës koherente për abonentët familjarë ka arritur 83% dhe për konsumatorët privatë është në nivelin 86% për të njëjtin hark kohor. Vitet e mëparshme, nivelet e arkëtueshmërisë varionin 61-63% të faturës koherente, e cila në vetvete ishte shumë e ulët si pasojë e humbjeve. Në lidhje me aktmarrëveshjet, shoqëria OSHEE e gjykon si mjaft të rëndësishme vijueshmërinë e raportit dhe lidhjes me klientin. Kemi një portofol debie që kërkon trajtim të kujdesshëm, të analizuar mirë dhe për këtë shkak, OSHEE sipas rastit, prezanton paketa lehtësuese për klientët debitorë. Në skemën e parë që përfundoi më 31 mars, hynë në aktmarrëveshje rreth 300 mijë abonentë debitorë, ku më shumë se 65% prej tyre e paguan menjëherë detyrimin duke përfituar ulje me 80% të kamatëvonesës. Pjesa tjetër, po e paguan me këste mujore 2,500 dhe 1,000 lekë krahas faturës korente. Skema lehtësuese që përfundoi më 31 mars shënoi 300 mijë abonentë familjarë që firmosën aktmarrëveshje. Nisur nga kërkesat e shumta dhe fakti se ende janë 200 mijë abonentë familjarë që për arsyet e tyre objektive nuk kanë pasur mundësi të firmosin aktmarrëveshje, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të riaktivizojë këtë skemë lehtësuese edhe për një periudhë dymujore deri më 15 korrik 2015. Përveç politikave që ndjek qeveria për trajtimin social dhe ekonomik të familjeve në nevojë, OSHEE zbaton, nga ana saj, disa skema lehtësuese të pagesës me këste të detyrimit, e shtrirë kjo edhe për debitorët e kategorive të tjera. Pas skadimit të afatit të ri dymujor të riaktivizimit të skemës lehtësuese, do të kalohet për zbatim skema normale e pagesës me këste, si për familjet, ashtu edhe për biznesin. Për familjet, skema do të jetë e ndarë në 4 kategori afatesh, në varësi të shumës së detyrimit, kurse për bizneset, kësti i pagesës dhe afati varet nga linja e furnizimit. Vetëm gjatë muajit prill, kur u fut në zbatim skema normale, u regjistruan 4 mijë aktmarrëveshje me debitorët familjarë dhe 8 mijë me biznesin.

Së fundmi, pas trajtimit të çështjes nga Autoriteti i Konkurrencës, për praktika jokonkurruese, cilat janë masat që ka marrë OSHEE? Po në lidhje me procedurat e reja që zhvillohen me KESH për blerjen e energjisë elektrike? Cilat janë rezultatet?

Autoritetit i Konkurrencës po vazhdon hetimin e tij të thelluar duke marrë në analizë procedurat për të gjithë vitin 2014. Nga ana e kompanisë OSHEE është treguar gatishmëria e plotë për ofrimin e asistencës dhe të gjithë dokumentacionit të kërkuar për zbardhjen e këtij hetimi. Ndërkohë, gjatë periudhës janar – prill 2015 janë zhvilluar procedurat e nevojshme për sigurimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në përputhje me legjislacionin në fuqi. Është rritur pjesëmarrja e subjekteve tregtare që kanë marrë pjesë në këto procese. Niveli i lartë i transparencës, shoqëruar me pjesëmarrjen fizike të vetë përfaqësuesve të firmave gjatë procesit të hapjes së ofertave, si dhe publikimi në web-in e OSHEE-së të njoftimeve përkatëse për fillimin e procedurave e shpalljen e rezultateve, kanë rritur konkurrencën. Kjo ka sjellë përfitimin e çmimeve për njësi më të ulëta se viti i kaluar për të njëjtën periudhë blerje (rreth 8 milionë euro për periudhën 4-mujore) si dhe përfitueshmëri nga negociatat mesatarisht 700.000 euro për procedurë mujore. Nga marrëveshja e nënshkruar me KESH-in është mundësuar që OSHEE ta blejë energjinë shumë më lirë se sa e blinte nga tregtarët, duke qëndruar te çmimi i Bursës së Hungarisë. Kjo nënkupton miliona euro të kursyer vetëm në javët e fundit. Ndërkaq, KESH nga ana e vet, ka pasur gjithashtu një rezultat pozitiv me shtim të ardhurash, pasi ka shitur energjinë më shtrenjtë se sa mund t’ia blinin tregtarët. Duke qenë se të dyja kompanitë janë publike, efekti i përbashkët pozitiv ndikon në të gjithë performancën e sektorit energjetik, duke rritur likuiditetin dhe duke përmirësuar gjendjen financiare.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button