Bota

Turqia ofrohet për koordinim me Rusinë, Davutoglu: Të shmangim krizën NATO-Rusi

Rusia ka bërë të ditur se ka marrë një ofertë ndihme nga Turqia për të koordinuar më mirë aktivitetet e sulmeve ajrore, që kanë të bëjnë me çështjen e Sirisë dhe ISIS-it.

Zhvillimi i fundit vjen pas një rritjeje të theksuar të tensioneve, pasi Turqia akuzoi Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore.

Të martën, Moska njoftoi se avionët e saj ishin ngritur në rreth 20 fluturime gjatë operacionit të saj në ndihmë të ushtrisë siriane. Kremlini pranoi gjithashtu se ishte futur për pak kohë dhe gabimisht në hapësirën ajrore turke.

Megjithatë, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov mirëpriti idenë e bashkëpunimit me Turqinë.

“Do të ishte kënaqësi të flisnim me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, me të cilët do të mund të diskutonim të gjitha aspektet teknike, në mënyrë që të paktën të mund të shmangim keqkuptimet që mund të lindin, teksa forcat tona ajrore përmbushin detyrat e dhëna nga kryekomandanti në Siri”.

Ushtria ruse publikoi të tjera pamje gjatë së martës, të cilat – sipas saj, – tregojnë atë që ata e përshkruajnë si “transferim i armatimeve nga terroristët pranë qendrave të banuara nga civilë në Siri”.

Gjithsesi, NATO ende ka dyshime mbi qëllimet e fushatës ajrore të Moskës dhe refuzon të pranojë thjesht si një gabim inkursionin rus në hapësirën turke. Aleanca atlantiko-veriore bëri të ditur se Rusia mund të jetë duke shënjestruar xhihadistët e ISIS, por po godet gjithashtu edhe zonat e rebelëve sirianë dhe po neglizhon vdekjet e civilëve nga sulmet e tyre.

NATO pretendon se ka raporte të një grumbullimi të qenësishëm të ushtrisë ruse, si me trupa tokësore edhe me forca detare, pranë bazës së saj Latakia, në Siri.

Ndërkaq, kryeministri turk Ahmet Davutoglu deklaroi të mërkurën se nuk dëshiron që konflikti në Siri të kthehet në një krizë mes Rusisë dhe NATO-s, as në një grindje mes rusëve dhe turqve. Megjithatë Turqia, si një vend anëtar i aleacës, nuk do të bëjë kompromise mbi kufijtë apo hapësirën ajrore të saj, tha Davutoglu gjatë një fjalimi televiziv nga Stambolli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button