OTP Bank: Ristrukturimi i kredisë, turizmi dhe zinxhiri i tij më të goditurit
OTP Bank njoftoi se, ka nisur procesin ristrukturimit të kredive nisur nga emergjenca që ka krijuar pandemia e Covid-19. OTP parashikon se efektet e pandemisë do të jenë afatshkurtra, teksa veçon se sektori i turizmit dhe sektorët i lidhur me të janë më të goditurit. Bledar Shella, Drejtori i Përgjithshëm i Banka OTP Albania tha se ristrukturimi po bëhet për të gjithë sektorët në vështirësi.
A kanë filluar kërkesat nga biznesi për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?
Po, kërkesat për rivlerësim të marrëdhënies së klientit me bankën për produktet Kredi, nisën menjëherë pas publikimit të vendimit të Bankës së Shqipërisë.
A parashikojnë bankat ndikim në afatgjatë të këtij procesi?
Me informacionin që kemi deri tani, ne parashikojmë ndikim të përkohshëm për pjesën më të madhe të klientëve tanë, e lidhur kjo kryesisht me kohëzgjatjen e masave shtrënguese të qeverisë për të përballuar krizën shëndetësore në vend.
Skenari ynë bazë është që aktiviteti ekonomik do të rikuperohet relativisht shpejt në muajt në vazhdim për t’u rikthyer plotësisht në nivelin e parakrizës në fund të këtij viti.
Sigurisht, sektorë të caktuar të ekonomisë do të ndiejnë pasojat e krizës për një periudhë më afatmesme (veçanërisht ato të lidhur direkt dhe indirekt me turizmin), po ashtu edhe segmenti i biznesit të vogël, i cili do të përballet me sfidën e mbijetesës në javët dhe muajt në vazhdim.
Vlerësojmë se bankat në parim duhet të funksionojnë sipas skenarëve të ndryshëm. Për sa i përket OTP Albania, kështu operon. Konstatojmë se pandemia ishte një skenar i ri për çdo industri në botë, por po aq shpejt iu përshtatën kësaj risie negative.
Ajo që duhet të bëjmë tashmë është të operojmë në mënyrë që klientët të mos e ndiejnë në asnjë moment mungesën e bankës, për çdo veprim që ata do të kenë nevojë. Ky është prioriteti i momentit.
Në aspektin e funksionimit të bankës, OTP Albania është bankë shumë solide, e kapitalizuar më së miri, me parametra të monitoruar në kohë reale dhe me proaktivitet po aq imediat. Mbi të gjitha, ne jemi pjesë e OTP Group, që tashmë njihet për qëndrueshmërinë dhe kapacitetin financiar për të përballuar çdo lloj skenari.
Cilët klientë përfshihen? Të gjithë lejohen të kërkojnë këtë trajtim? (Klientë retail, biznes i vogël e biznes i madh)?
Ne nuk bëjmë dallime mes klientëve. Kush është në vështirësi dhe mund ta dëshmojë këtë gjë, ne do t’i japim mbështetjen tonë të plotë në cilësinë dhe kohën e duhur.
A ka filluar procesi i aplikimit?
Siç thamë në fillim, po! Klientët na kanë shkruar direkt pas publikimit të Urdhëresës.
Cilat janë arsyet për aplikim? (ndërprerja e punës me urdhër të qeverisë, ndërprerja e punës për mosplotësim të kushteve të punës, ndërprerja e kontratës për subjektin aplikues)?
Arsyet janë financiare. Nëse nuk vijon burimi i të ardhurave normalisht, ndalon edhe vijimi normal i pagesave. Ajo që pritet.
Biznesi shqiptar, për shembull, është kryesisht i lidhur me import-eksport. Aktiviteti ekonomik ka ndaluar në shumë shtete. Kjo sjell stanjacion.
Nga ana tjetër, brenda vendit shumë industri janë pezulluar, disa nga vendimi i qeverisë në përcaktime industriale, disa nga efekti i karantinimit, regjim i cili ndalon disa kategori popullate të ekspozohen.
Sigurisht, efektet e para vihen re te bizneset dhe të vetëpunësuarit, por në një valë të dytë pritet të reflektohet edhe tek individët e punësuar në bizneset përkatëse.
Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?
Për një pjesë të madhe të bizneseve që kanë kredi bankare, kjo do të thotë kompensim i mungesës së likuiditetit nga stopimi / reduktimi i të ardhurave të aktivitetit. Për disa prej tyre, diçka e tillë mund të jetë kritike për ekzistencën e mëtejshme të biznesit. Për individët, lehtësimin e stresit të momentit. Me rikthimin e situatës në normalitet, klientët do të zgjedhin opsionin e tyre të preferuar për shlyerjen e pagesave të akumuluara gjatë kësaj periudhe.
Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë dakord me të për më shumë se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?
Duhet të jetë e qartë për të gjithë, që është në interesin primar dhe bazik të çdo banke që të lehtësojë ekzistencën dhe prosperitetin afatgjatë të klientëve të saj. Konkretisht, në situatën aktuale, ne jemi fokusuar maksimalisht në akomodimin e nevojave të shprehura nga klientët tanë, por duke shkuar edhe më tej në këshillimin e tyre për sa u përket aspekteve të planifikimit financiar, në përshtatje me kushtet aktuale të vështira, e theksoj të përkohshme. Ne disponojmë të gjithë kapacitetin njerëzor dhe financiar për të qenë në lartësinë e rolit tonë, për përballimin e një goditje të këtyre përmasave, sigurisht brenda kuadrit të paketës dhe mekanizmit të politikave ekonomike që po ndërmarrin autoritetet shtetërore. /MONITOR/