“Pa kupon, s’ka karburant”, Ministria e Financave sqaron ndryshimin e vendimit
Ministria e Financave është detyruar këtë të mërkurë të sqarojë edhe njëherë të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të hidrokarbureve ndryshimin më të fundit në vendimin bazë mbi kasat fiskale.
Në mbledhjen e 29 prillit të këtij viti, qeveria miratoi një ndryshim në vendimin bazë mbi kasat fiskale, në të cilin u hoq rasti i prishjes së pompave të karburanteve dhe shitja për tre ditë pa lëshimin e kuponave fiskalë.
Më parë, grosistëve dhe shitësve me pakicë u jepej një afat 3-ditor që të shisnin karburant pa lëshuar kupon tatimor, në rast se u prishej kasa. Pas tre ditësh, me rregullimin e kasës, duhet të hidheshin të dhënat në sistem. Nëse defekti nuk rregullohej brenda tre ditësh, ndalohej shitja e karburantit.
Kjo dispozitë, sipas dikasterit të Financave, është keqpërdorur dhe abuzuar nga grosistët, të cilët shisnin shpesh tre ditë pa lëshuar kupon, nën justifikimin e prishjes së kasës.
Ndaj, më 29 prill, Këshilli i Ministrave e ndryshoi këtë pikë duke hequr “3 ditëshin“. Në rast se prishet kasa, ndalohet shitja e karburantit.
“Kur dispenseri ose pajisja fiskale defektohet dhe del nga regjimi automatik, dispenseri nuk mund të punojë dhe subjekti nuk mund të shesë pa kupon tatimor, deri në momentin e asistimit nga shoqëria e autorizuar që ky subjekt ka një kontratë mirëmbajtje.
Koha e gjatë për 72 orë deri në momentin e rregullimit të pajisjes fiskale jepte shkas për abuzim, duke tregtuar karburant pa kupon tatimor.
Shpesh, pajisjet fiskale prisheshin qëllimisht nga subjektet apo teknikët e autorizuar për të tregtuar pa kupon tatimor dhe pa matur sasinë e tregtuar gjatë kohës prej 72 orë.
Me këtë ndryshim tashmë nuk mund të tregtohet karburant pa kupon tatimor dhe procesi i tregtimit të lëngut duhet të ndërpritet kur pajisja nuk funksionon”, vijon më tej sqarimi i Ministrisë së Financave, e cila u bën me dije subjekteve të njihen dhe të zbatojnë aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e tregtimit të hidrokarbureve dhe sidomos në përdorimin korrekt dhe ligjor të kasave fiskale.