Ekonomia

Pabarazia në të ardhurat në Europë në rritje, e njëjta tendencë dhe në Shqipëri

Por, ndërsa në Europë, rritja e pabarazisë është e lidhur kryesisht me papunësinë, në Shqipëri papunësia, të paktën zyrtarisht është ulur dy vitet e fundit, duke zbritur nga 17% në rreth 14.5%. Ekspertët në Shqipëri ia dedikojnë rritjen e pabarazisë elementeve të tilla si informaliteti, korrupsioni, apo paratë e siguruara në mënyrë të jashtëligjshme, që po pasurojnë me shpejtësi një pjesë në kurriz të pjesës tjetër…

Pabarazia në të ardhurat është rritur në rreth dy të tretat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian kryesisht për shkak të nivelit të papunësisë në rritje që nga fillimi i krizës. Në të njëjtën kohë, pabarazia në BE është rritur si rrjedhojë e ngecjes së procesit të konvergjencës së të ardhurave në mes të vendeve europiane – sipas një raporti të ri të Eurofound, të publikuar sot, i cili ka matur të ardhurat dhe modelet e punësimit në Evropë para dhe pas recesionit të Madh.

Raporti ka kryer një studim të plotë të pabarazisë në të ardhura gjatë viteve të Recesionit të Madh, që filloi në vitin 2008-2009, dhe është bazuar në të dhënat e të ardhurave për 2005-2013. Ai paraqet një perspektivë të gjerë të BE-së për këtë çështje dhe ofron një pamje të përditësuar të pabarazive sipas burimeve të ndryshme të të ardhurave. Rezultatet tregojnë se pabarazia e të ardhurave në BE ka rënë kryesisht para vitit 2008, e nxitur nga një proces i fortë i konvergjencës së të ardhurave midis vendeve të Europës – por Recesioni i Madh e ndaloi këtë prirje dhe nxiti rritjen e pabarazisë lart si për BE-në tërësi dhe në të gjithë shumicën e vendeve.

Studimet e mëparshme kanë theksuar zgjerimin në diferencat e pagave si arsyen kryesore pas trendit afatgjatë të rritjes së pabarazisë në të ardhurat e disponueshme, vërejtur në shumë vende europiane; megjithatë ky raport identifikon papunësinë dhe rënien në të ardhurat e punës të lidhur me papunësinë, si arsyen kryesore që ka çuar në rritjen e pabarazive në të ardhurat e disponueshme të familjeve vitet e fundit.

Ndikimi i Recesionit të Madh në pabarazitë në të ardhurat e disponueshme të familjeve nuk ka qenë i kufizuar në shtetet anëtare të reja apo vendet e Mesdheut, por ka ndikuar edhe në shtetet më të vjetra anëtare dhe vendet veriore europiane që kanë qenë tradicionalisht më të barabarta, të tilla si Gjermania, Suedia dhe Danimarka. Megjithatë, politikat e shtetit të mirëqenies kanë arritur të zbusin shkallën e rritjes në një numër shtetesh anëtare.

Raporti tregon se kriza ka ulur mesatarisht të ardhurat reale të disponueshme në pothuajse të gjitha vendet europiane, edhe pse në shkallë të ndryshme.

Edhe në Shqipëri u rrit pabarazia

Raporte të tjera ndërkombëtare kanë theksuar se edhe në Shqipëri, pabarazia është rritur vitet e fundit.

Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur.

Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithëpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithëpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka pasur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te pakica.

Por, ndërsa në Europë, rritja e pabarazisë është e lidhur kryesisht me papunësinë, në Shqipëri papunësia, të paktën zyrtarisht është ulur dy vitet e fundit, duke zbritur nga 17% në rreth 14.5%. Ekspertët ia dedikojnë rritjen e pabarazisë elementeve të tilla si informaliteti, korrupsioni, apo paratë e siguruara në mënyrë të jashtëligjshme, që po pasurojnë me shpejtësi një pjesë në kurriz të pjesës tjetër. E dhëna më e fundit, që vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme është edhe më trishtuese. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë . Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Një mesazh dekurajues ky për këdo që ka shpresuar se talenti, aftësitë dhe dëshira për të punuar e për të ecur përpara një ditë do të shpërblehen, pa pasur nevojën e përkatësive partiake, apo mbështetjeve të dukshme e të padukshme të politikëbërjes e vendimmarrësve…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button