Pagat e magjistratëve? KLGJ e KLP dolën nga binarët! Opozita gabon sepse…
Nga Edmond Spaho
Po ndjek reagimet e përfaqësuesve të opozitës për problemin e pagave të sistemit të drejtësisë.
Reagimet e tyre janë ultimative, qeveria menjëherë të fillojë të paguajë nivelin e pagave që miratoi KLGJ dhe KLP, madje të njoftohen sa më parë ndërkombëtarët në Tiranë dhe kudo në botë, për këtë goditje të rëndë që po i jepet reformës në drejtësi.
Qëndrime të tilla janë qesharake dhe dëmtojnë më shumë vetë opozitën.
Jo për çdo gjë që bën qeveria, opozita duhet të dalë kundër.Rasti i pagave të sistemit të drejtësisë është rasti tipik kur vetë sistemi i drejtësisë ka dalë nga binarët.
Jo vetëm për nivelin e pagave që kërkojnë, më shumë se Presidenti i Republikës, por për veprimet që ndërmorën.
Ku bazohet KLP dhe KLGJ që rritën pagat e tyre? Çfarë thotë ligji?
Ligji thotë që pagat e sistemit të drejtësisë propozohen nga ekzekutivi dhe miratohen nga Parlamenti.
Përse KLGJ dhe KLP shkelën ligjin? Apo se për pagat e tyre ligji lejohet të shkelet? Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?
I ngarkoi ekzekutivit dhe Parlamentit të caktojnë pagat e sistemit të drejtësisë si pjesë e sistemit të pagave në Republikën e Shqipërisë.
Pra asgjë më shumë se çfarë thotë ligji aktual, por që qeveria dhe Parlamenti vonuan zbatimin e tij.
Opozitën nëse e shqetëson fakti që ka kaluar afati i miratimit të pagave, duhet ta kishte ngritur këtë çështje para se të mbyllej sesioni i shkuar Parlamentar. Sepse për këtë është opozita në Parlament dhe jo për të prishur seancat me shkak e pa shkak.
Të kërkosh urgjentisht diçka që nuk mund të bëhet pa u mbledhur Parlamenti, është të bësh zhurmë kot sepse nuk zgjidh asgjë.
Opozita duhet të shkëputet nga qëndrimet sipërfaqësore, e të “bërit” politike për të “bërë” politikë, duke bërë në të vërtetë vetëm zhurmë e dëm vetes.
Nëse opozita dëshiron të rrisë ndjeshmërinë e qytetarëve për çështjet që shtron, ajo duhet të shkëputet një herë e mirë nga modeli aktual i kakofonisë dhe zhurmës, të zbresë me këmbë në tokë dhe të propozojë zgjidhje të vërteta e të realizueshme.
Me qëndrime të tilla opozita nuk ka fituar në të shkuarën dhe nuk do fitojë në të ardhmen, madje as votën e palës së interesuar, pale me dashamirësinë e tyre.
Nuk ndodh në asnjë vend të botës që opozita të kundërshtojë çdo gjë që bën maxhoranca, për faktin shumë të thjeshtë që edhe maxhoranca, megjithëse mund të bëjë shpesh herë gabime, ajo kur propozon zgjidhje për një problem, mendon edhe për interesin e zgjedhësve dhe fatin e saj politik.
Prandaj të dashur miq të opozitës, ndërroni qasje, hiqni dorë nga qëndrimet që nuk na kanë çuar gjëkundi por na kanë lënë 13 vjet në opozitë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.