“Pajisja përgjuese e SHIU-t është djegur”
Prokuroria dyshon se ish-zyrtarët, për të fshehur përgjimet, dogjën serverin 1.5 mln euro
Nga Sokol Çobo
Pajisja përgjuese e Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), aq shumë e diskutuar nga partitë politike, është djegur qëllimisht. Ky është dyshimi i Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur një hetim pas kallëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila pretendonte se me urdhër të Arben Imamit apo Ylli Zylës, janë përgjuar politikanë dhe diplomatë. Madje, kishte dyshime edhe për çmimin e blerjes së kësaj pajisjeje, prej 1.5 milionë eurosh. Megjithatë, nga verifikimet e para rezultoi se kjo pajisje ishte “djegur” disa herë, qëllimisht apo jo, kjo mbetet për t’u verifikuar. Punonjësit e SHIU-t kanë deklaruar se djegia është bërë në mënyrë aksidentale, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Disa muaj më parë, në prokurori është paraqitur edhe ish-shefi i SHIU-t, Ylli Zyla, i cili ka dhënë shpjegime për prishjen e aparaturës apo edhe për çmimin e blerjes, ndërsa ka thënë se gjithçka është bërë sipas procedurave.
Hetimet për “djegien”
Hetues të njësisë Task-Forcë të Prokurorisë së Tiranës, kanë sekuestruar prej muajsh pajisjen përgjuese të SHIU-t, duke tentuar t’i bëjnë edhe disa ekspertime. Madje, fillimisht kanë kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet e huaja, por në fund vendosën se ekspertimi do të bëhej në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme. “Kemi marrë informacione se një pjesë e serverit të pajisjes përgjuese të SHIU-t është djegur. Në këtë server duhet të ruheshin të gjitha përgjimet e kryera nga ky shërbim. Kallëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes thotë se me këtë pajisje janë përgjuar disa politikanë të majtë, gjatë kohës që kanë qenë në opozitë. Madje, edhe diplomatë. Por, këqyrjet e para nuk kanë gjetur asnjë gjurmë dhe kërkuam ndihmën e laboratorit”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Të njëjta burime sqarojnë se përse kanë kërkuar ekspertimin apo edhe letërkëmbimet e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. “Kërkuam ekspertimin e kësaj pajisjeje, për të parë se çfarë gjurme ishte lënë në të. Nga të dhënat, çdo pajisje përgjuese lë gjurmë çdo numër që përgjon, si datën e fillimit të përgjimit. Por, serverët e kësaj pajisjeje iu dorëzuan hetuesve të shkrumbuar. Kemi pak gjasa për të gjetur ndonjë gjurmë të këtyre përgjimeve. Ndërsa në serverët e zëvendësuar nuk ka ndonjë gjurmë. Aktualisht po hetojmë në dy drejtime, djegien e qëllimshme dhe atë aksidentale, kjo edhe si pasojë e dëshmive të zyrtarëve që janë pyetur. Ata kanë thënë se pajisja lihej 24 orë në korrent dhe ndonjë luhatje e energjisë elektrike mund të ketë shkaktuar edhe djegien”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
Ndërkohë, më parë, hetuesit e çështjes mblodhën dokumente nga shërbimi, që detyrat i ka pasur vetëm të “përgjojë” ushtarakët, por nisur edhe nga informacionet e publikuara, ka përgjuar edhe persona të tjerë, jashtë funksionit. Kallëzimi penal i Kodhelit është bërë me emra, ndaj paraardhësit të saj, Arben Imami, dhe për shefin e SHIU-t, Ylli Zyla, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, si dhe shkelje të Kushtetutës.
Pajisja e përgjimit është ekspertuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe ajo nuk ka gjetur ndonjë gjurmë të këtyre përgjimeve. Hetuesit e çështjes pohojnë se deri në këtë fazë nuk mund të vendosin për përgjegjësitë penale të Imamit e Zylës dhe do të duhen prova të tjera për të vërtetuar nëse ka elemente të veprës penale.
Blerja dhe përgjimet
Krahas përgjimeve të eksponentëve të opozitës së djeshme dhe ndaj diplomatëve të huaj në Shqipëri, do të verifikohet edhe çmimi i blerjes së pajisjes përgjuese. Në bazë të dokumenteve të referuara në prokurori, në shkurt të vitit 2011, ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar blerjen e pajisjeve të përgjimit me vlerë 1 586 000 euro nga Izraeli. Sipas procedurave, SHIU ishte i detyruar që të vinte në dijeni organin e akuzës për nevojat e tij, pasi çdo përgjim, pa marrë më parë lejen e prokurorisë, cilësohet i paligjshëm. Nga ana e saj, opozita e atëhershme vijonte akuzat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për përgjimin e deputetëve të saj. Për shkak të largësisë, jo më shumë se 100 metra nga selia qendrore e Partisë Socialiste, kjo pajisje u tha se është e aftë të interceptojë dhe bllokojë të gjitha thirrjet hyrëse dhe dalëse për personat që ndodhen në zyrat e PS-së. Ekspertët u shprehën se kjo pajisje është e lëvizshme dhe mund të pozicionohet kudo ku kryhen operacione sekrete. Mësohet se ajo është përdorur në misione në Kosovë dhe Afganistan. Pajisjet, sipas të dhënave, u blenë në Izrael dhe, referuar akuzave të opozitës së atëhershme, në Ministrinë e Mbrojtjes, gjendeshin tri pajisje të tilla.
Si u fshi serveri i kamerave të Kryeministrisë më 21 janar
Djegia me dashje apo aksidentale e pajisjes përgjuese të SHIU-t, nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur në Shqipëri. Precedenti më flagrant u shënua gjatë demonstratës së 21 janarit 2011. Katër persona u vranë me armë zjarri dhe shumë të tjerë u plagosën, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, afërsi të godinës kryeministrore. Kamerat e sigurisë të këtij institucioni mund të kishin fiksuar autorët e vrasjes, që mbanin veshur uniformën e Gardës së Republikës. Prokuroria kërkoi këto pamje, madje edhe me shkresa zyrtare. Por, Këshilli i Ministrave nuk i vuri në dispozicion këto pamje, me argumentimin se pamjet ishin fshirë. Nën akuzë u vu shefi i IT-së në Kryeministri, gjatë asaj kohe, por më vonë ai fitoi pafajësinë, pasi nuk u provua kopjimi dhe fshirja. Akuza mori në dispozicion vetëm disa pamje të datave 22 dhe 23 janar 2011, madje edhe pamje të datës 19 apo 20 janar, por kurrë nuk pa pamjet e ditës së demonstratës, të cilat mund të ishin çelësi për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nën akuzë mund të viheshin zyrtarët që urdhëruan të qëllohet ndaj turmës apo edhe ekzekutuesit.