☀️
Tiranë 7°C · Kthjellët 12 April 2026
S&P 500 6,817 ▼0.11%
DOW 47,917 ▼0.56%
NASDAQ 22,903 ▲0.35%
NAFTA 96.57 ▼1.33%
ARI 4,787 ▼0.64%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1717 EUR/GBP 0.8713 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4128 EUR/TRY 52.3148 EUR/JPY 186.55 EUR/CAD 1.6205 EUR/USD 1.1717 EUR/GBP 0.8713 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4128 EUR/TRY 52.3148 EUR/JPY 186.55 EUR/CAD 1.6205
₿ CRYPTO
BTC $71,814 ▼ -1.55% ETH $2,225 ▼ -0.94% XRP $1.3343 ▼ -1.46% SOL $82.6400 ▼ -2.49%
S&P 500 6,817 ▼0.11 % DOW 47,917 ▼0.56 % NASDAQ 22,903 ▲0.35 % NAFTA 96.57 ▼1.33 % ARI 4,787 ▼0.64 % S&P 500 6,817 ▼0.11 % DOW 47,917 ▼0.56 % NASDAQ 22,903 ▲0.35 % NAFTA 96.57 ▼1.33 % ARI 4,787 ▼0.64 %
EUR/USD 1.1717 EUR/GBP 0.8713 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4128 EUR/TRY 52.3148 EUR/JPY 186.55 EUR/CAD 1.6205 EUR/USD 1.1717 EUR/GBP 0.8713 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4128 EUR/TRY 52.3148 EUR/JPY 186.55 EUR/CAD 1.6205
12 Apr 2026
Breaking
Opinion

Pakënaqësitë për emërimet dhe shkarkimet e Kryeministrit Rama

Nga PETRO DHIMITRI

Partia Socialiste trashëgon nga mëma e saj një disiplinë shembullore. Në diktaturë ajo, mund të them, ishte disiplinë nga frika e persekutimit. Për një kundërshtim ose mendim ndryshe mund të përfundoje edhe në qeli si armik i Partisë dhe i popullit. Sot, në kushtet e demokracisë, disiplina e socialistëve është më pranë të vërtetës. Nuk i persekuton ose i burgos njeri. Kjo nuk do të thotë se midis tërë atyre socialistëve, sidomos të forumeve drejtuese, të mos ketë hatërmbetje ose pakënaqësi. Janë simptoma normale njerëzore që, deri sivjet, edhe po t’i kishin pasur, ata kurrë nuk i kanë nxjerrë në pazarin mediatik. Kjo situatë më kujton një bisedë midis Gramoz Pashkos dhe Gramoz Ruçit që ishin kryetarë të grupeve parlamentare të PD dhe PS-së: “Ti je i qetë se të gjithë deputetët i ke ushtarë, ndërsa ata të mitë janë të gjithë gjeneralë!” Me këtë shprehje Pashko donte të thoshte se në PD secili deputet bën si i thotë mendja e vet, pa menduar fare për disiplinën partiake. Pasojë negative e konstatimit të Pashkos është gjendja e sotme e mjeruar e PD-së që ngjan më shumë si një shportë me karavidhe sesa një parti e organizuar dhe drejtuar mirë.

Po le të kthehemi te heshtja e socialistëve. Ata nuk ishin mësuar që në postet drejtuese kryetari i tyre si me shkop dirigjenti të emëronte edhe njerëz pa qenë anëtarë të asaj partie. Kurrën e kurrës! Po të mos ishe komunist, as anëtar i kolegjiumit të një gazete si “Bashkimi”, organ i Frontit Demokratik, nuk mund të caktoheshe?! Ishte i pari Fatos Nano, kryetari që theu rregullin e ngurtë të emërimeve në poste drejtuese të njerëzve pa qenë socialistë, pa dhënë as edhe një kontribut për arritjet e saj. Ai ftoi nga Parisi piktorin e talentuar Edvin Kristaq Rama dhe në 1998 e emëroi Ministër të Kulturës dhe Sporteve. Shumë u çuditën, shumë rrudhën edhe buzët. Dy-tre socialistë që mund të ëndërronin atë post u bënë të pakënaqur. Ishte një pakënaqësi e ndrydhur brenda vetes. Nuk u bë objekt i shprehjes së mllefit në media. Rezultoi që Fatos Nano kishte zgjedhur njeriun e duhur. Pas dy vjetësh e caktoi kandidat për Bashkinë e Tiranës. Gjeti tamam njeriun që nisi të transformonte Tiranën. Edhe bota e vlerësoi punën e tij. Katapultimi tjetër befasues i Nanos ishte kur Arben Blushin nga kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” e përzgjodhi dhe e caktoi sekretar të Partisë Socialiste?! Arbeni ishte gazetar dhe shkrimtar i talentuar. Edhe pse pa teserën e PS-së në xhep, ai e caktoi në atë post. Ishte i bindur se kishte për të sjellë frymë të re në parti. Edhe për këtë rast ai nuk gaboi. Edhe pse janë vetëm dy raste, ato dëshmojnë që Fatos Nano donte ta transformonte atë parti duke i dhënë një frymë më liberale. Çudia më e madhe ndodhi kur pikërisht pas largimit të tij, ishin po Rama dhe Blushi që kandiduan për postin e Kryetarit të PS-së. Fitoi Rama. Blushi u tërhoq nga politika për të vijuar me sukses krijimtarinë letrare dhe gazetarinë.

Kush ishte Rama për shqiptarët? Një artist që u përfshi që në orët e para në lëvizjen studentore kundër PPSH-së. Normalisht ai duhej t’i bashkohej PD-së. Doli i zhgënjyer kur pa se në dhomën e drejtuesve të partisë antikomuniste të sapolindur, gjysma ishin anëtarë besnikë të PPSH-së si Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko (me nënën sekretare të Komitetit të Partisë të Tiranës), Eduard Selami, Genc Ruli dhe të tjerë që nuk i di mirë, ishin të gjithë të lidhur ngushtësisht me diktaturën. Kjo ishte arsyeja që Rama nuk u bashkua me ta. Si zog shtegtar u nis drejt të panjohurës së Parisit. Nuk heshti. Jo. Me penën e tij të shkëlqyer botoi shumë shkrime te “Koha Jonë” që kritikonin ashpër veprimet aspak demokratike të komunistit, gjoja demokrat, Sali Berisha. Edhe ato mund të kenë qenë një shtysë serioze e Nanos për të afruar Edi Ramën në PS. Ky njeri, sapo u zgjodh kryetar, e thelloi edhe më tepër nismën e Nanos për t’u ofruar poste drejtuese personave pa teserën e partisë, njerëzve të shquar në fusha të ndryshme. Në mandatin e parë, me guxim ai emëroi 4-5 ministra jopartiakë. Në qeverinë Rama 2 vetëm 2. Në të tretën 3. Në kabinetin e tanishëm janë 6 ministra, që nuk kanë dhënë as edhe një kontribut për PS-në. Këta përbëjnë 37.5 për qind të kabinetit të tij.

Me këtë hapje kaq të gjerë PS-ja ka shtuar numrin e njerëzve shumë të kualifikuar që i bëjnë nder vetes, partisë dhe Shqipërisë. Emra si Mirela Kumbaro, Ogerta Manastirliu, Prof. Doktor Evis Sala, Milena Harito, Lindita Nikolla, Delina Ibrahimaj, Frida Krifca etj. përmenden me respekt për punën e tyre të palodhur. Me këto emërime Rama ka shtuar radhët e partisë me njerëz me vizion dhe përkushtim. Nga të gjithë të përzgjedhurit e tij jopartiakë, vetëm njëri, Arben Ahmetaj, e preu në besë, sepse preferoi të pasurohej duke vjedhur dhe jo t’i shërbente partisë dhe popullit që i besoi. Kjo përzgjedhje e guximshme është shenjë e pjekurisë institucionale, duke sjellë në fusha të ndryshme ekspertizë profesionale. Përveç kësaj duhet thënë se populli u beson më shumë profesionistëve sesa politikanëve, disa prej syresh edhe të dalë boje.

A ka krijuar hatërmbetje apo pakënaqësi brenda radhëve të socialistëve emërimi si ministra nga Kryeministri Rama i njerëzve pa qenë anëtarë të PS-së? E vërteta e pashprehur e tyre në media është se po. Kjo për disa arsye. Anëtarët e partisë ndihen të anashkaluar. Në strukturat vendore mendojnë se puna e tyre nuk po shpërblehet. Disa nga elita drejtuese e shikojnë si dhurim posti njerëzve pa më të voglin kontribut në parti. Përgjithësisht deri tani këto kanë qenë pakënaqësi të ndryme në vetvete, thonë shkodranët. Përjashtim bën rasti i Erion Braçes që doli hapur kundër caktimit të Ogerta Manastirliut si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Mos vallë kjo ishte një lajthitje e radhës e zotit Kryeministër?

Nano ka bërë të njëjtin veprim me Ramën. Pra, nuk është gjë e re. Edhe në Evropë në disa vende kryetarët e partive i caktojnë kandidatët dhe nuk quhet shkelje e demokracisë, ndonëse kur anëtarësia voton kandidatin si në Itali, Francë, Spanjë, Portugali, sidomos për qytetet e mëdha, është modeli demokratik më i mundshëm. Ka vende që për këto poste organizojnë primare brenda partisë. A ka për të hedhur Rama një hap përpara për një model edhe më të përparuar në përzgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës?! Kjo varet nga ndërgjegjja e tij. Është detyrë kryesore e çdo kryeministri kudo në botë që të zgjedhë ministrat me të cilët ka për të realizuar programin e partisë që drejton. Persona për të cilët ai ka besim në besnikërinë e tyre, në aftësitë organizative dhe drejtuese të tyre. Për këtë zgjedhje ai mbështetet në njohjet personale si dhe nga të dhënat që i japin instancat e partisë. Për këto emërime në asnjë vend nuk kërkohet që t’i vendosin asambletë ose forumet e partive. Janë e drejtë ekskluzive e kryeministrit. Ama kapja si me grep peshku i specialistëve ose personaliteteve pa parti është diçka shumë e rrallë në vendet me demokraci të stabilizuar. Në Angli dhe në Gjermani vetëm 5 për qind e ministrave mund të jenë specialistë jopartiakë. Në Francë shpesh presidentët vetëm për ekonominë, kulturën dhe arsimin emërojnë personalitete pa parti. Kjo përqindje në disa shtete të tjera të Evropës shkon në 10, ndërsa si bum ka shpërthyer në ish-vendet socialiste, duke përfshirë edhe Rumaninë, ku përqindja arrin nga 20 deri në 30. Shqipëria, edhe për këtë risi, mban rekordin: 37.5 për qind e kabinetit Rama 4 janë me individë që ai i ka “peshkuar” jashtë intelektualëve dhe specialistëve të shumtë të PS-së. Pse kjo rendje për intelektualë të shquar jopartiakë për t’u dhënë atyre poste drejtuese? Sepse në vendet e ish-demokracive socialiste intelektualët e zhgënjyer nga politika preferuan të mos marrin pjesë në asnjë parti politike. Në përgjithësi kooptimi i njerëzve të shquar është praktikë shumë pozitive si për partitë që i emërojnë, ashtu edhe për shtetin, ndërkohë që pretenduesit partiakë për ato poste mbeten shumë të pakënaqur.

Kjo lloj pakënaqësie, ose ta themi ndryshe ky shkak për prishje të unitetit “monolit” të PS-së, a po e dëmton drejtimin e Edi Ramës? Po t’i shtojmë kësaj edhe mënyrën se si ai i shkarkon të përzgjedhurit e vet (si shembull po marr shkarkimin e ministres së Jashtme, zonjës Elisa Spiropali, vetëm pa mbushur as 6 muaj në atë detyrë), problemi bëhet edhe më serioz. Tani për tani nuk ka të ngjarë që PS-ja të katandiset si një shportë me karavidhe. Kjo nuk do të thotë që Rama mos t’i vërë gishtin kokës, sidomos për shkarkimet. Nuk ka pse një kryeministër që në një anë ngrihet me të drejtë për t’u thënë ndal prokurorëve që abuzojnë me të drejtën për të arrestuar njerëzit nën hetim, duke mbrojtur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, dhe në anën tjetër pushon pa dhënë as edhe një shpjegim, qoftë në atë dikaster ose në forumet e partisë, kur shkarkon një ministre. E dimë që edhe shkarkimi është e drejtë ekskluzive e detyrës së tij. Është një proces që ndodh kur Kryeministri humb besimin te ai person, ama nuk duhet të ndodhë kurrë pa një analizë serioze. Aq më tepër kur ministrja është një nga zërat më të fuqishëm të PS-së. Edhe si ministre, për aq pak kohë sa punoi, përmes ekraneve të emisioneve televizive, e pamë tejet aktive, sidomos për takimet me homologët e vendeve evropiane. Shkarkimi i saj na kujton shprehjen brutale të “gjoja” deputetes Jozefina Topalli që në Parlament përsërit dëshirën e saj për të kapur këtë ose atë deputet për zhelesh. Jo, kurrë jo! Kuadrot me vlera të kujtdo partie meritojnë të trajtohen me respekt edhe kur i shkarkojnë. Janë ato kuadro që e kanë ngritur partinë në nivelin e sotëm dhe nuk është as e kulturuar, as e hijshme të mënjanohen tak-fak. Në të vërtetë edhe në demokracitë e Evropës ka shkarkime ministrash. Një pjesë e mirë e tyre janë mënjanuar për moral. Të tjerë për gabime të rënda apo skandale të ndryshme. Kryeministrat nuk e kanë praktikë t’ia bëjnë të njohura publikut shkaqet e shkarkimit. Arsyet dalin qartë në parlamentet e vendeve të BE-së që kanë një rol të madh. Ato mund të thërrasin ministrin në interpelancë, madje mund t’i kërkojnë llogari edhe Kryeministrit. Në disa vende ka ndodhur që nga presioni parlamentar ministri ka dhënë dorëheqje. Në Shqipëri, derisa PS ka 83 mandate, roli i Parlamentit për të kërkuar llogari thuajse nuk ndihet. Në këto kushte i mbetet si Asamblesë, ashtu edhe Kryeministrit e Kryetarit të PS-së, Edi Ramës, të gjejnë një zgjidhje që plasaritja aktuale e unitetit të tyre mos të thellohet. Derisa ata janë parti që po qeverisin vendin, është në të mirë të Shqipërisë të jenë shumë të bashkuar dhe të vendosur për të mos lënë as edhe më të voglin shteg për pakënaqësi që lindin nga vendimet e ngutura të këtij apo atij drejtuesi, si dhe të vetë kryetarit të tyre. Të mos harrojnë për asnjë çast pse PD-ja katandisi si një shportë me karavidhe.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.