Politika

Pakti detar me Greqinë, prokuroria nis hetimin për “dorëzim territori”

Kallëzimi

Grupi hetimor: Përgjegjësit do të dalin pas dëshmive të ekspertëve

Vendimi për regjistrimin e procedimit penal erdhi pas kallëzimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati

basha-bakojanis+beri+karamanMarrëveshja e detit me Greqinë do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pasi ka dyshime të arsyeshme se janë cenuar rëndë interesat e Shqipërisë. Për këtë arsye, pas studimit të kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme, organi i akuzës ka vendosur të regjistrojë procedimin për veprën penale “Marrëveshje për dorëzim territori”. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, që tashmë ka marrë në dorëzim të gjithë materialin dhe do të thërrasë ekspertët, të cilët firmosën paktin, për të nxjerrë përgjegjësit dhe për t’i dërguar para drejtësisë.

Procedimi penal

Sipas të dhënave, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës shkresën e datës 28 maj 2014 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me procesin e negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, nënshkruar më 29 prill 2009. Në këtë korrespondencë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh dyshimin se ka elemente të veprës penale sipas nenit 210 të Kodit Penal.

“Referuar vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se janë konstatuar shkelje sa i përket procedurës dhe përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, duke passjellë cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, me vendimin nr. 15, të vitit 2010, kjo Gjykatë e ka deklaruar si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Nga sa më lart rezulton se, është i domosdoshëm regjistrimi i procedimit penal për hetimin e kryerjes së veprës penale ‘Marrëveshja për dorëzim territori’ të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal”, deklaruan burime të besueshme pranë Prokurorisë së Tiranës.

Pyetja e ekspertëve

Organi i akuzës shpjegon se për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe veprës penale, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të personave që kanë kryer veprën penale është e domosdoshme kryerja e hetimeve të nevojshme të lidhura me ushtrimin e ndjekjes penale. Një prej këtyre veprimeve do të jetë edhe marrja në pyetje e 11 ekspertëve, të aktivizuar gjatë vitit 2009 për paktin detar, në të cilin Shqipëria humbiste një sipërfaqe detare prej gati 354 miljesh katrorë. Mes ekspertëve që do të thirren për t’u pyetur janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha; kundëradmirali Kristaq Gërveni, në atë kohë me detyrë zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu; drejtori i Çështjeve Juridike dhe Ndërkombëtare Ilir Tepelena; drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë, Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i Sektorit të Hartave Dixhitale.

Përgjegjësit e paktit

Për momentin, prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e njeriut që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis, kjo pasi është ende herët për ta konfirmuar diçka të tillë, pa përfunduar me pyetjen e 11 ekspertëve. Prokuroria vë në dukje se fillimisht, procedimi penal është regjistruar pa të dyshuar konkretë dhe emrat e përgjegjësve mund të dalin vetëm pas kryerjes së gjithë veprimeve hetimore. Nëse Basha do të dalë person i dyshuar për veprën penale, atëherë edhe ai do të thirret nga prokuroria. Në Kodin Penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim cenimin e integritetit të vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

Ministri Bushati

Pak kohë më parë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i bëri thirrje Kryeprokurorit Adriatik Llalla që të nisë hetimet për skandalin e paktit detar të vitit 2009, i firmosur nga qeveria “Berisha” me palën greke. Thirrja e kryediplomatit shqiptar u bë gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, pasi, siç theksoi ai, veç vendimit për rrëzimin e paktit detar nga Gjykata Kushtetuese, grupi i punës, i ngritur nga MPJ-ja, ka konstatuar shumë shkelje gjatë negociatave me palën greke. “Sa u përket nënshkruesve të marrëveshjes, besoj se kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikë ndërkombëtare që konsiderohet e shkelur nga kjo gjykatë dhe mund t’i referohet Kodit Penal. Sa u përket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin, unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, – tha në atë kohë Bushati. Ble. Gi.

Personat që do të pyeten

Ferit Hoxha, ish-Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së

Gazmend Turdiu, ish-drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore

Ilir Tepelena, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale

Ledia Hysi, ish-drejtore e Çështjeve Juridike dhe së Drejtës Ndërkombëtare

Suela Ibrahimi, specialiste në MPJ në çështjet juridike

Enkeleda Mërkuri, specialiste në MPJ në çështjet rajonale

Kristaq Gërveni, ish-komandant i Flotës Detare, ish-zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO

Miranda Zeka, ish-drejtoresha e Institutit Gjeografik të Ushtrisë

Anduel Çauli, përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale në Ministrinë e Mbrojtjes

Ferdinand Berberi, ish-përgjegjës i sektorit të fotogrametrisë në Ministrinë e Mbrojtjes

Krenar Muço, ish-drejtor i Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button