Palestinezët vrasin 4 persona në Tel Aviv
4 të vdekur dhe 6 të plagosur. Është ky bilanci i një sulmi me armë zjarri në një zonë të populluar komerciale në qendër të Tel Avivit, që kishte si autorë dy shtetas palestinezë. Sipas autoriteteve izraelite, sulmet ndodhën në dy zona të ndryshme të tregut të Saronës pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe zyrave qendrore të ushtrisë.
Policia bëri të ditur se agresorët ishin nga Yatta, një fshat palestinez pranë qytetit të Hebronit, në Bregun Perëndimor. Të dy ata janë në ngarkim të policisë dhe njëri po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në spital. Menjëherë pas ngjarjes, e cila ndodhi rreth orës 21:30 minuta, ndërsa njerëzit po relaksoheshin në baret dhe restorantet e zonës, Izraeli njoftoi se i kishte pezulluar lejet e hyrjes 83 mijë palestinezëve. Grupi islamik Hamas vlerësoi atë që e quajti “një akt heroik”, por nuk e mori përsipër autorësinë e sulmit.
Pamjet televizive shfaqën turma njerëzish që po largoheshin nga vendngjarja dhe ambulancat që po mbërrinin atje. Një grua tha për një televizion izraelit se kishte qenë duke festuar ditëlindjen e djalit të saj kur kishte dëgjuar të shtënat dhe se kishte kuptuar menjëherë se bëhej fjalë për një sulm terrorist. Shefi i Policisë së Tel Avivit, Chico Edri e cilësoi këtë si një incident mjaft serioz terrorist, por hodhi poshtë zërat për një agresor të tretë në arrati.
Autoritetet thanë se rojet e sigurisë kishin penguar hyrjen e autorëve në kompleks duke parandaluar kështu një tragjedi edhe më të madhe pasi zona ishte e mbipopulluar. Kryeministri Benjamin Netanjahu e cilësoi këtë si një krim barbar dhe terrorist: “Një tragjedi edhe më e madhe u parandalua falë veprimit të vendosur të qytetarëve, forcave të sigurisë dhe policisë. Ne do të marrim të gjitha hapat e nevojshme për të sulmuar agresorët dhe për të mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje”.
Sulmet palestineze janë shtuar ndjeshëm që prej vitit të kaluar, edhe pse gjatë muajve të fundit situata ishte qetësuar disi.