“Palimpsest” rikthen në skenë thesare të muzikës shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50
“Palimpsest” solli në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, një mbrëmje kushtuar kujtesës dhe trashëgimisë sonë muzikore.
Pianistja dhe ideuesja e “Palimpsestit”, Ardita Bufaj, ktheu në skenë një pjesë të çmuar të krijimtarisë shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50, përmes interpretimeve të saj, të sopranos Maida Resulbegoviç, baritonit Armando Likaj dhe pianistes së ftuar Norena Gaxha.
Në një postim në rrjetet sociale, TKOB vlerësoi veçanërisht pianisten Ardita Bufaj, e cila përmes konceptit artistik, hulumtimit arkivor dhe mbledhjes së partiturave, bëri të mundur rikthimin e këtyre veprave në vëmendjen e publikut.
Aktiviteti erdhi në kuadër të Netëve të Muzikës Shqiptare
“Palimpsest” i rizbuloi publikut një repertor të hershëm të trashëgimisë sonë muzikore. Kjo ishte hera e parë që u prezantuan ëpartitura të këngëve qytetare shkodrane, të harmonizuara nga prof. Antonio Muçi, ( repertor për soprano – piano) katër valle pianistike me motive nga Shqipëria e Veriut, të kompozitorit Muharrem Xhediku, si dhe këngë nga Koço Uçi, krahas përpunimeve muzikore të Çesk Zadesë dhe Ramadan Sokolit.
Koncerti “Palimpsest” u realizua me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në kuadër të festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.