Shqipëria dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në shëndetësi, marrëveshje për modernizimin e diagnostikimit mjekësor
Shqipëria dhe Italia kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për modernizimin e shërbimeve shëndetësore, me fokus në mjekësinë nukleare, radiologjinë intervenuese dhe trajnimin e specialistëve.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, memorandumi i mirëkuptimit është nënshkruar në Milano ndërmjet Poliklinikës së Milanos dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë.
Marrëveshja parasheh një program pilot 12-mujor, përmes të cilit synohet shkëmbimi i përvojave dhe njohurive profesionale, zhvillimi i kërkimit shkencor dhe zbatimi i standardeve moderne në diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, dhe presidenti i Poliklinikës së Milanos, Marco Giachetti, transmeton Telegrafi.
Një nga objektivat kryesore të këtij bashkëpunimi është përmirësimi i vazhdimësisë së trajtimit të pacientëve, nga diagnostikimi deri te terapia dhe përcjellja pas trajtimit, duke shmangur fragmentimin e shërbimeve shëndetësore.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe radiologjisë intervenuese, e cila mundëson kryerjen e procedurave mjekësore përmes ndërhyrjeve minimale, si biopsitë e orientuara, trajtimi i tumoreve të vogla dhe procedurat për trajtimin e sëmundjeve vaskulare.
Po ashtu, në kuadër të marrëveshjes parashihet avancimi i diagnostikimit përmes teknologjisë PET/CT, e cila kombinon imazherinë anatomike me analizën e aktivitetit metabolik të indeve.
Kjo metodë ka rëndësi të veçantë në diagnostikimin e sëmundjeve onkologjike, identifikimin e rikthimit të tumoreve dhe vlerësimin e efektit të trajtimeve.
Sipas drejtuesve të projektit, bashkëpunimi do të përfshijë edhe trajnimin e personelit shëndetësor shqiptar, zhvillimin e protokolleve të përbashkëta klinike dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet ekipeve mjekësore të dy vendeve.
Ministrja Klodiana Spahiu ka theksuar rëndësinë e krijimit të një sistemi ku pacientët të kenë qasje në shërbime të koordinuara, me standarde moderne të cilësisë dhe sigurisë.
Ndërkaq, drejtuesit e Poliklinikës së Milanos e kanë cilësuar marrëveshjen si një mundësi për zhvillim të ndërsjellë, duke vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare përvojën dhe ekspertizën e specialistëve italianë.
Marrëveshja 12-mujore përbën fazën e parë të bashkëpunimit, ndërsa në të ardhmen parashihet mundësia e zgjerimit të tij edhe në fusha të tjera të kërkimit shkencor, inovacionit teknologjik dhe organizimit spitalor./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.