Panariti: Brenda dy javësh mbyllim dëmshpërblimin e dëmeve në bujqësi
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u shpreh sot se, brenda dy javësh parashikohet të përfundojmë operacionin e kompensimit të dëmeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, për të gjithë fermerët, bizneset e të cilëve u prekën nga përmbytjet që përfshinë jugun e vendit, në fillim të muajit shkurt, nga përkeqësimi i motit.
Në një intervistë telefonike për median, ministri Panariti tha se, shpërndarja e ndihmave po vazhdon me ritëm të përshpejtuar dhe po bëhet zëvendësimi i bagëtive të dëmtuara krerë për krerë në çdo familje fermerësh që janë dëmtuar nga përmbytjet.
Kreu i bujqësisë që ndodhet në terren dhe po inspekton shpërndarjen e ndihmave, tha se kompensimi do të vazhdojë edhe për gjedhët, shpendët e kosheret e bletëve që janë dëmtuar. Deri tani, tha ministri Panariti, janë shpërndarë mbi 1000 krerë bagëti, ndërsa po vazhdon puna edhe për kompensimin e të gjitha bagëtive.
“Jemi të vendosur të kryejmë edhe ringritjen e serave”, tha ministri Panariti, duke shtuar se, do të ndërtojmë të gjitha serat e dëmtuara nga përmbytjet, duke përdorur teknologji edhe më të mirë se më parë.
Do të kompensohet çdo dëmtim që është shkaktuar nga përmbytjet në sektorin rural, tha Panariti.