Panariti: Rreziku nuk ka kaluar, të mërkurën presim reshje të mëdha dhe përmbytje
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti njoftoi sot se rreziku në zonat e përmbytura nga reshjet dhe lumenjtë nuk ka marrë fund ende. Ditën e mërkurë, meteorologët ndërkombëtarë kanë njoftuar se priten reshje të dendura dhe përmbytje të tjera në jug të vendit tonë, ndaj, banorët e evakuar nuk duhet të rikthen në asnjë mënyrë në banesat e tyre.
Ministri po ashtu njoftoi se mbi 3 mijë ha tonë janë në ujë dhe bujqësia dhe blegtoria e zonave të prekura janë goditur. Por, Shqipëria do të bëjë një vlerësim të këtij dëmi dhe do t‘ia paraqesë faturën, Bashkimit Europian, për të përfituar edhe ajo si vendet e tjera nga Fondi i Solidaritetit.
Z.Panariti, sa është njolla e zonave të përmbytura dhe sa mund të zgjerohet harta?
Flasim për 3000 ha të përmbytur në qarkun e Fierit dhe Vlorës dhe kemi edhe në Gjirokastër. Nëse situata të mërkurën do të përkeqësohet, një lajm ky që vjen nga stacionet meteorogjike ndërkombëtare, që kanë lidhje satelitore, ne duhet të shfrytëzojmë këto periudha pauzash të reshjeve për të marrë masat. Ne duhet të bllokojmë daljen e ujit mbi rezervuarët, që mund të na shembin argjinaturat dhe të biem dakord me specialiastët për derdhjen graduale të ujit nga HEC-et. Duhen një kompleks masash, që të përmbajmë me të gjitha mjetet, furinë e ujërave për të ndalur masën e dëmit.
Si paraqitet situata e dëmeve sot dhe çfarë pritet të ndodhë?
Neve tashmë do të duhet të bëjmë një vlerësim të dëmeve dhe të gjësë së gjallë, një faturë kjo do të duhet për t’ia vënë në dispozicion BE-së me qëllimin për të përfituar dhe shqipëria nga fondet e solidaritetit, për të lehtësuar dëmet e shkaktuara në bujqësi. Prioriteti im dhe i ministrisë në këto momente është të mbajmë në efiçentë të plotë, rrjetin e kullimit dhe hidrovoreve, me qëllim që uji të pompohet.
Po në blegtori, si është gjendja?
Për dëmet është e parakohshme të bëjmë bilance, por kemi dëmtime masive në blegtorinë, pasi qindra kokë bagëti janë kapur në befasi dhe nuk kanë pasur mundësii të largohen. Kemi pasur edhe kërcënim të jetës së barinjve, po u bë e mundur të shpëtohen. Po ashtu, kemi pasur probleme me shpendarinë dhe dëmtim të tyre për vezë e mish. Ndërsa në stallat e lopëve nuk kemi probleme, se ato janë në distancë sigurie nga shtretërit e lumenjve. Ne po hartojmë një listë të saktë të dëmeve kur të mbyllet emergjenca, pasi nuk jemi ende në përfundim. Shpresoj që paralajmërimet të mos dalin, por jemi njoftuar se priten stuhi dhe reshje të bollshme.
A keni ndonjë apel për banorët?
Së pari, të evokuarit të mos tentojnë të kthehen në banesa duke menduar se rreziku ka përfunduar. Nuk ka përfunduar rreziku, periudha e alarmit. Të mos tentohet të rikthehen edhe pse ka pauza të shirave. E keqja nuk ka kaluar. Priten deri të mërkurën reshje të bollshme, lumenjtë do vazhdojnë të fryhen. Atje ku ka ndodhur evakuimi duhet të mobilizohemi t’i garantojmë njerëzve vende strehimi dhe më kryesore, të heqim pengesat në kanale që janë krijuar nga mbledhja e inerteve.
(ar.sh/BalkanWeb)