Bota

Papa viziton Kubën pas bisedimeve sekrete diplomatike

Kur Papa Françesku të mbërrijë të shtunën në Kubë, ndryshimet që do të gjejë atje do të jenë të shumta. Madje do të marrë edhe pjesë të meritave për transformimet që ka përjetuar vendi për shkak të përfshirjes së tij në bisedimet sekrete diplomatike për rivendosjen e marrëdhënieve mes ShBA-së dhe Kubës.

Që prej atëherë, ishulli ka lulëzuar nga mundësitë e një epoke të re. Këtë javë, Kombet e Bashkuara njoftuan se presidenti kubanez Raul Castro do të udhëtojë në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo do të jetë vizita e tij e parë në SHBA, në më shumë se gjysmë shekulli.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe ata kubanezë thanë se presidenti Obama mund të vizitojë ishullin komunist vitin e ardhshëm nëse bisedimet mes 2 vendeve për normalizimin e marrëdhënieve do të shënojnë progres. Ndryshimet që kanë përfshirë Kubën e për të cilat Françesku ka dhënë një kontribut të madh, kanë qenë aq dramatike sa detyruan edhe ateistin dhe marksistin Raul Castro të konsideronte rikthimin tek lutjet.

Tashmë, me vizitën e tij, Papa do të përpiqet t’i bëjë edhe një nder të fundit Kubës, duke ndihmuar në heqjen e embargos 53-vjeçare me Amerikën. Këtë e tha zëdhënësi i Vatikanit. Ai do të bëjë gjithashtu thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut në shtetin komunist.

Muajin e kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha se kishte pak gjasa që Kongresi Amerikan të hiqte embargon ekonomike ndaj Kubës, nëse qeveria e Havanës nuk shënonte progres lidhur me të drejtave të njeriut. Papa do të kalojë 4 ditë në Kubë para se të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo është hera e parë gjatë papatit të tij që do të vizitojë të dyja vendet.

Në një videomesazh për popullin kubanez para mbërritjes në vend, Papa Françesku i kërkoi atij të lutej dhe tha se qëllimi i vizitës së tij ishte  forcimi i besimit dhe shpresës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button