Papunësia e të rinjve mbi 55%
Të rinjtë e Kosovës ardhmërinë e vet e shohin jashtë vendit, për shkak të papunësisë, e cila është më e larta në rajon, si dhe për shkak të një pasigurie ekonomike, sociale dhe politike që mbretëron në vend.
Kështu u tha në një konferencë për media të organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), me titull “Papunësia e të rinjve dhe iniciativat filantropike për krijimin e mundësive për ta”, ku u dhanë shifra të ndryshme rreth papunësisë së të rinjve në vend.
Dajana Berisha, drejtore ekzekutive e Forumit për Iniciativa qytetare (FIQ), tha se është një situatë e ndjeshme dhe mjaft kritike për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për të rinjtë. Ajo theksoi se numri i të papunëve në Kosovë është më i larti në rajon.
“Sipas ASK-së papunësia e të rinjve në Kosovë, konsiderohet 55.9 për qind. Nga viti 2011 deri në vitin 2013, 44.10 për qind duke e konsideruar këtë papunësi të rinjve si më e larta në rajon. Vetëm prej janarit e deri në tetor, janë 8 mijë kosovarë të larguar. Shifrat më të larta të papunëve identifikohen tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeç me 55.9 për qind, ku 50.4 për qind janë meshkuj dhe 68.4 për qind femra”, tha ajo.
Por me shifrën e Agjencisë së Statistikave për papunësinë në vend, nuk pajtohet Hafiz Leka, udhëheqës i Divizionit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Ai pohoi se në Kosovë ende nuk ka statistika reale rreth papunësisë. Ai pohon se papunësia tek të rinjtë mbetet 73 apo 74 për qind , e jo 55 për qind siç e ka ASK.
“Po them se nëse i marrim këto dy grup mosha i kombinojmë, neve na del shkalla e papunësisë tek të rinjtë diku 73-74për qind dhe kjo nuk ka asnjë koment as për politikë bërësit, as për faktorin politik që manipulon ose vepron në Kosovë. Dhe normalisht se kjo duhet të jetë brengosëse. Duhet të jetë sfiduese edhe në politikat e tyre edhe në politikat tona”, tha Leka.
Ndërsa, Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, tha se pjesa më e madhe e të punësuarve në ndërmarrjet publike është mbi moshën 50 vjeçare dhe se shqetësim kryesor i këtyre ndërmarrjeve, mbetet problemi me gjetjen e kuadrove të reja të përgatitura për punë profesionale.
“Siç dihet zyrtarisht papunësia është diku rreth 30 për qind. Por tek moshat e reja, është mbi 55 për qind. Madje, unë mendoj që kjo papunësi është shumë më e madhe se 55 për qind. Nëse do të llogariteshin studentet. E unë mendoj se mbi 70 për qind e studenteve më përpara do të gjenin një vend pune sa do t’i vazhdonin studimet, papunësia tek grup moshat e reja do të ishte më e madhe se 55 për qind apo mbi 65 për qind, sepse diku 60 mijë student nuk llogariten si njerëz të papunë“, tha Demi.