“Paraburgimi krijon terren për korrupsion”, Shabani: Po përdoret edhe aty ku nuk ka arsye
Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka ngritur shqetësimin për përdorimin e tepruar të paraburgimit në Shqipëri, duke theksuar se shumë qytetarë mbahen në burg ende pa u dënuar me vendim gjykate, edhe në raste kur ligji parashikon masa më të lehta sigurie.
Duke folur në një intervistë për TemA në lidhje me problematikat e sistemit penal, Shabani tha se Shqipëria duhet të rishikojë mënyrën se si trajton disa vepra penale, duke dekriminalizuar ato që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që mund të ndëshkohen me forma të tjera.
“Ne do të duhet të dekriminalizojmë shumë vepra që sot janë kriminalizuar. Pra, ne dënojmë me burg vepra të cilat shumë mirë mund të korrektohen me masa të tjera”, u shpreh Shabani.
Sipas tij, në rastet kur motivi i kryerjes së një vepre penale është përfitimi ekonomik, si në rastet e korrupsionit, konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme mund të jetë më efektiv se burgosja.
“Në qoftë se incentiva për të kryer një vepër penale është fitimi ekonomik, është më efektive konfiskimi i pasurisë së vjedhur sesa mbajtja në burg”, tha Avokati i Popullit, duke shtuar se kjo do t’i kthente shoqërisë pasurinë e vjedhur.
Shabani përmendi edhe raste të tjera, si lidhja e energjisë elektrike në mënyrë të parregullt apo evazioni fiskal nga biznesi i vogël, për të cilat, sipas tij, burgu nuk duhet të jetë automatikisht zgjidhja kryesore.
Por shqetësimi më i madh, sipas tij, lidhet me paraburgimin, pra me mbajtjen në qeli të personave që ende nuk janë shpallur fajtorë.
“Problematika këtu është që ata mbahen edhe kur nuk janë dënuar. Pra edhe gjatë kohës së hetimit mbahen në paraburgim”, u shpreh Shabani.
Ai shpjegoi se paraburgimi duhet të përdoret vetëm në raste përjashtimore, kur ekziston rreziku që personi të arratiset, të prishë provat ose të paraqesë rrezik për shoqërinë.
“Po nuk është vërtetuar një nga këto të treja, nuk ka arsye që personi të mbahet në burg”, tha ai.
Shabani solli si shembull rastet e personave që mbahen në paraburgim pasi janë ndaluar duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, edhe pse u është sekuestruar makina dhe u është hequr patenta.
“Çfarë rrezikshmërie ka ky person që ta mbash në paraburgim derisa të mbarojë hetimi?” pyeti Shabani.
Sipas Avokatit të Popullit, përdorimi i tepruar i paraburgimit nuk prodhon vetëm mbipopullim dhe padrejtësi, por edhe presion mbi qytetarët dhe terren për korrupsion në sistemin e drejtësisë.
“Këtu rritet rrezikshmëria që kemi korrupsion, sepse presioni mbi prokurorinë pastaj është më i lartë që këta persona të paguajnë që të ndiqen në gjendje të lirë”, tha Shabani.
Ai e përmblodhi problemin duke thënë se në përpjekje për të zgjidhur një çështje, sistemi shpesh përfundon duke krijuar probleme të tjera.
“Nisemi për të zgjidhur një problem dhe prodhojmë problematika të tjera”, u shpreh Avokati i Popullit.
Ndiq intervistën e plotë: Endri Shabani: Si mbrohet një popull prej elitës që e sundon?




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.