☀️
Tiranë 30°C · Kthjellët 09 July 2026
S&P 500 7,483 ▼0.28%
DOW 52,348 ▼1.09%
NASDAQ 25,871 ▲0.2%
NAFTA 72.46 ▼1.44%
ARI 4,124 ▲1.02%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
₿ CRYPTO
BTC $63,069 ▲ +1.78% ETH $1,757 ▲ +1.71% XRP $1.0975 ▲ +1.89% SOL $78.2600 ▲ +1.66%
S&P 500 7,483 ▼0.28 % DOW 52,348 ▼1.09 % NASDAQ 25,871 ▲0.2 % NAFTA 72.46 ▼1.44 % ARI 4,124 ▲1.02 % S&P 500 7,483 ▼0.28 % DOW 52,348 ▼1.09 % NASDAQ 25,871 ▲0.2 % NAFTA 72.46 ▼1.44 % ARI 4,124 ▲1.02 %
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
09 Jul 2026
Breaking
Ekonomia

Paradoksi i ekonomisë shqiptare: Euro bie, inflacioni rritet dhe prodhimi vendas humbet terren

Opinion nga Florian Zekja, përfaqësues i Manifakturës

Nëse nuk ndërmerren politika të koordinuara nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria për të mbështetur sektorët prodhues dhe eksportues, rreziku është që vendi të hyjë në një cikël ku rritja mbështetet gjithnjë e më pak te prodhimi dhe gjithnjë e më shumë te importet, konsumi dhe sektorët joprodhues.

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se inflacioni në Shqipëri është rritur nga 2.4% në 3.2%, ndërkohë që euro vijon të qëndrojë në nivelet më të ulëta historike kundrejt lekut. Në teori ekonomike, një monedhë vendase më e fortë duhet të ulë koston e importeve, të zbusë presionet inflacioniste dhe të përmirësojë fuqinë blerëse të qytetarëve. Megjithatë, realiteti shqiptar po dëshmon të kundërtën.

Sot, ekonomia shqiptare po përballet me një paradoks: leku forcohet, por kostoja e jetesës nuk ulet. Përkundrazi, çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa sektorët që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende pune po humbasin konkurrueshmërinë.

Struktura e inflacionit tregon qartë se presionet kryesore nuk burojnë më nga mallrat e importuara, por nga kostot e brendshme të ekonomisë. Rritja e pagave, mungesa kronike e fuqisë punëtore, kostot e transportit, shtrenjtimi i shërbimeve dhe eficienca e ulët e tregut kanë neutralizuar përfitimet që teorikisht duhet të sillte një lek i fortë.

Nga ana tjetër, mbiçmimi i lekut ka goditur drejtpërdrejt eksportuesit shqiptarë. Industria e manifakturës, agropërpunimi dhe prodhimi vendas po përballen me një tkurrje të të ardhurave në lekë, ndërsa kostot e prodhimit vazhdojnë të rriten. Fitimet janë ngushtuar, investimet janë frenuar dhe shumë ndërmarrje po detyrohen të reduktojnë aktivitetin ose të humbasin kontrata në tregjet ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, importuesit kanë përfituar nga kursi i favorshëm i këmbimit, duke zgjeruar pjesën e tyre në treg.

Produktet e importuara janë bërë relativisht më konkurruese, ndërsa prodhuesit vendas po humbasin terren edhe në tregun shqiptar. Kjo krijon një çekuilibër që, nëse vazhdon, rrezikon të dobësojë bazën prodhuese të ekonomisë.

Në këtë situatë lind pyetja: a është kursi i këmbimit thjesht rezultat i forcave të tregut, apo kërkon një reagim më aktiv nga institucionet ekonomike?

Roli i Bankës së Shqipërisë nuk kufizohet vetëm në mbajtjen e inflacionit pranë objektivit. Ajo ka gjithashtu përgjegjësinë të monitorojë efektet që kursi i këmbimit po prodhon mbi stabilitetin financiar, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe sektorët strategjikë të prodhimit. Edhe kur kursi përcaktohet nga tregu, ndikimi i tij mbi ekonominë reale duhet të jetë pjesë e analizës dhe komunikimit institucional.

Po aq i rëndësishëm është edhe roli i Qeverisë, e cila duhet të ndërtojë politika që mbështesin prodhimin vendas dhe eksportet. Lehtësitë fiskale për sektorët prodhues, investimet në teknologji dhe inovacion, ulja e kostove administrative, rritja e produktivitetit dhe mbështetja për bizneset eksportuese janë masa që mund të zbusin efektet e një leku të fortë. Në mungesë të tyre, ekonomia rrezikon të mbështetet gjithnjë e më shumë te konsumi dhe importet, në vend që të krijojë vlerë përmes prodhimit.

Shqetësues është fakti se përfitimet nga forcimi i lekut nuk po shpërndahen në mënyrë të barabartë. Konsumatori nuk po përfiton një ulje domethënëse të çmimeve, ndërsa prodhuesit dhe eksportuesit po mbajnë një pjesë disproporcionale të kostos së këtij zhvillimi. Kjo tregon se problemi nuk qëndron vetëm te kursi i këmbimit, por edhe te struktura e tregut, niveli i konkurrencës dhe aftësia e ekonomisë për të transmetuar përfitimet monetare te qytetarët.

Në një kohë kur vendet e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara po zbatojnë politika për të rikthyer prodhimin, për të forcuar industrinë kombëtare dhe për të ulur varësinë nga importet, Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te një monedhë e fortë si tregues suksesi. Një ekonomi nuk bëhet më konkurruese vetëm sepse monedha e saj forcohet; ajo bëhet më e fortë kur prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vlerë të shtuar.

Nëse nuk ndërmerren politika të koordinuara nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria për të mbështetur sektorët prodhues dhe eksportues, rreziku është që vendi të hyjë në një cikël ku rritja mbështetet gjithnjë e më pak te prodhimi dhe gjithnjë e më shumë te importet, konsumi dhe sektorët joprodhues. Një model i tillë mund të japë rezultate afatshkurtra, por në planin afatgjatë cenon konkurrueshmërinë, punësimin, investimet dhe potencialin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.