Ekzekutoi Eglant Koçin/ Armand Shakaj ende në arrati, dyshohet se mjekohet në spital privat
Autori i dyshuar i vrasjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi, Armand Shakaj, vijon të jetë në arrati, ndërsa Policia e Shtetit ka intensifikuar operacionin për kapjen e tij.
Gazetari i vizion Plus, Esido Barkaj bëri me dije në “Live në Mëngjes” se hetuesit kanë siguruar disa të dhëna operative mbi lëvizjet e 41-vjeçarit, por deri më tani nuk është bërë e mundur lokalizimi i tij. Sipas informacioneve, kërkimet janë përqendruar kryesisht në zonën mes Tiranës dhe Vlorës, ndërsa janë kryer kontrolle edhe në Fier.
Policia po gjurmon numrat e telefonit që Shakaj ka përdorur, pasi dyshohet se ai ka ndërruar disa karta SIM për të humbur gjurmët. Një tjetër pistë hetimi lidhet me gjendjen e tij shëndetësore. Grupi hetimor dyshon se ai mund të ketë kërkuar ndihmë mjekësore në spitale private, pasi vuan nga një sëmundje serioze e veshkave. Nëse provohet se është trajtuar pa u njoftuar autoritetet, personat përgjegjës mund të përballen me pasoja penale.
Hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që Shakaj të ketë ndryshuar pamjen e jashtme për t’u kamufluar.
Ndërkohë, policia ka zhvilluar disa tentativa komunikimi me familjarët e tij për ta bindur të vetëdorëzohet, por ata kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij. Megjithatë, hetuesit besojnë se ai mund të tentojë t’i kontaktojë për shkak të nevojës për mbështetje financiare.
Sipas dosjes hetimore, Shakaj akuzohet se ka vrarë Eglant Koçin dhe e ka mbajtur trupin e pajetë brenda automjetit për më shumë se 24 orë, përpara se ta braktiste në një zonë të pyllëzuar mes Tiranës dhe Elbasanit.
Në lidhje me ngjarjen, në burg ndodhet edhe kamarieri 25-vjeçar i lokalit në pronësi të Shakajt. Ai dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e krimit dhe po hetohet si bashkëpunëtor, si edhe për moskallëzim krimi. Sipas hetimeve, i riu kishte dërguar automjetin tip “Porsche Cayenne” në lavazh për të pastruar gjurmët e gjakut dhe u kishte thënë punonjësve se njollat ishin krijuar pasi kishin therur bagëti.
Provat e mbledhura nga grupi hetimor, përfshirë edhe fashetat e gjetura në vendngjarje, kanë ngritur dyshime se Armand Shakaj nuk ka vepruar i vetëm. Për këtë arsye, hetimet vijojnë edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund ta kenë ndihmuar si gjatë krimit, ashtu edhe gjatë arratisjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.