☀️
Tiranë 32°C · Kthjellët 07 July 2026
S&P 500 7,537 ▲0.72%
DOW 53,056 ▲0.29%
NASDAQ 26,121 ▲1.12%
NAFTA 69.04 ▲0.71%
ARI 4,157 ▼0.25%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1433 EUR/GBP 0.8549 EUR/CHF 0.9208 EUR/ALL 93.8821 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3541 EUR/TRY 53.5582 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6249 EUR/USD 1.1433 EUR/GBP 0.8549 EUR/CHF 0.9208 EUR/ALL 93.8821 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3541 EUR/TRY 53.5582 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6249
₿ CRYPTO
BTC $63,332 ▲ +0.58% ETH $1,782 ▲ +0.5% XRP $1.1247 ▼ -1.57% SOL $81.2300 ▲ +0.35%
S&P 500 7,537 ▲0.72 % DOW 53,056 ▲0.29 % NASDAQ 26,121 ▲1.12 % NAFTA 69.04 ▲0.71 % ARI 4,157 ▼0.25 % S&P 500 7,537 ▲0.72 % DOW 53,056 ▲0.29 % NASDAQ 26,121 ▲1.12 % NAFTA 69.04 ▲0.71 % ARI 4,157 ▼0.25 %
EUR/USD 1.1433 EUR/GBP 0.8549 EUR/CHF 0.9208 EUR/ALL 93.8821 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3541 EUR/TRY 53.5582 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6249 EUR/USD 1.1433 EUR/GBP 0.8549 EUR/CHF 0.9208 EUR/ALL 93.8821 EUR/MKD 61.6697 EUR/RSD 117.3541 EUR/TRY 53.5582 EUR/JPY 185.37 EUR/CAD 1.6249
07 Jul 2026
Breaking
Ekonomia

Shqipëria, një nga vendet e Europës me sezonalitetin më të lartë në turizëm

Turizmi në Shqipëri vijon të jetë i përqendruar kryesisht në muajt e verës, duke e renditur vendin mes destinacioneve europiane me sezonalitetin më të lartë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, 42.4% e të gjitha netqëndrimeve turistike në Shqipëri u regjistruan vetëm në korrik dhe gusht.

Eurostat e përfshin Shqipërinë, së bashku me Kroacinë, Greqinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, në grupin e vendeve ku sezonaliteti i sektorit të akomodimit turistik ishte më i fortë gjatë vitit 2025. Të dhënat përfshijnë vendet e Bashkimit Europian, vendet kandidate dhe ato të Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë.

Në vitin 2025, strukturat akomoduese në Shqipëri regjistruan gjithsej rreth 9.7 milionë netqëndrime. Gushti ishte muaji më i ngarkuar, me 23.4% të totalit vjetor, ndërsa korriku përfaqësoi 19%. Edhe qershori dhe shtatori kishin një peshë të konsiderueshme, përkatësisht me 12.4% dhe 12.3% të netqëndrimeve vjetore. Në të kundërt, aktiviteti turistik ishte shumë më i kufizuar gjatë dimrit. Shkurti përfaqësoi vetëm 2.3% të netqëndrimeve vjetore, ndërsa janari 2.4%. Dy muajt më të dobët së bashku përbënin vetëm 4.7% të totalit vjetor, rreth nëntë herë më pak se pesha e korrikut dhe gushtit. Në gusht, strukturat turistike shqiptare regjistruan rreth 2.26 milionë netqëndrime, krahasuar me rreth 226 mijë në shkurt. Numri i netqëndrimeve në muajin më të ngarkuar ishte kështu 10 herë më i lartë se në muajin më të dobët.

Edhe koeficienti Gini, të cilin Eurostat e përdor për të matur pabarazinë e shpërndarjes së netqëndrimeve gjatë 12 muajve, konfirmon përqendrimin e lartë sezonal. Shqipëria kishte një koeficient prej 0.42, dukshëm mbi mesataren e BE-së prej 0.25. Vetëm Kroacia, me 0.59, Greqia, me 0.49, dhe Mali i Zi, me 0.45, kishin një shpërndarje më të pabarabartë të aktivitetit turistik gjatë vitit. Sipas një treguesi tjetër, që mat devijimin mesatar të të dhënave mujore nga mesatarja vjetore, Shqipëria regjistroi 5.63 pikë, ndër nivelet më të larta të vendeve të analizuara. Vlera më të larta u shënuan në Kroaci, me 8.14 pikë, Greqi, me 6.64, dhe Mal të Zi, me 5.97 pikë.

Hotelet shqiptare varen në masë të madhe nga vera

Përqendrimi sezonal është i dukshëm edhe në aktivitetin e hoteleve. Eurostat vëren se në Shqipëri, Mal të Zi, Bullgari, Kroaci dhe Greqi, më shumë se gjysma e netqëndrimeve vjetore në hotele u realizuan gjatë tremujorit të tretë, që përfshin korrikun, gushtin dhe shtatorin.

Varësia e lartë nga sezoni veror nënkupton se një pjesë e konsiderueshme e kapaciteteve akomoduese, fuqisë punëtore dhe investimeve turistike përdoren intensivisht për pak muaj, ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit aktiviteti bie ndjeshëm.

Eurostat e lidh sezonalitetin me faktorë mjedisorë, si klima dhe pozicioni gjeografik, por edhe me faktorë shoqërorë dhe kulturorë, përfshirë periudhën e pushimeve shkollore. Gjatë sezonit të pikut, destinacionet mund të përballen me mbipopullim dhe presion mbi burimet, ndërsa jashtë sezonit strukturat mund të mbeten të pashfrytëzuara dhe punësimi të bëhet më i paqëndrueshëm.

Kroacia ka sezonalitetin më të lartë në Europë

Në nivel europian, Kroacia kishte përqendrimin më të lartë të turizmit në sezonin veror. Rreth 55% e netqëndrimeve vjetore u regjistruan në korrik dhe gusht, krahasuar me 43% në Bullgari dhe 42% në Greqi. Në Kroaci, numri i netqëndrimeve në muajin e pikut ishte 41.1 herë më i lartë se në muajin më të dobët, ndërsa në Greqi raporti ishte 20.5 herë.

Mali i Zi kishte gjithashtu një sezonalitet të fortë. Korriku dhe gushti përbënin 40.5% të netqëndrimeve vjetore, ndërsa muaji i pikut kishte 14.4 herë më shumë netqëndrime se muaji më i dobët. Në skajin tjetër ishin Malta, ku vetëm 22% e netqëndrimeve u regjistruan në dy muajt kryesorë, si dhe Gjermania e Finlanda, me nga 24%. Në këto vende, aktiviteti turistik është më i shpërndarë gjatë vitit.

Austria dhe Finlanda përfitojnë edhe nga turizmi dimëror, i cili krijon një sezon të dytë dhe redukton varësinë nga muajt e verës.

Në të gjithë Bashkimin Europian, korriku dhe gushti përfaqësuan së bashku 31% të netqëndrimeve turistike të vitit 2025. Gushti ishte muaji më i ngarkuar, me 501 milionë netqëndrime, ose 16% të totalit, ndërsa korriku regjistroi 460 milionë, ose 15%.

Fluksi në gusht ishte 3.6 herë më i lartë se në janar, muaji më i dobët në nivel europian.

Zgjatja e sezonit turistik dhe shpërndarja më e njëtrajtshme e aktivitetit përgjatë vitit konsiderohen të rëndësishme për konkurrueshmërinë e destinacioneve. Përdorimi më i mirë i infrastrukturës dhe i stafit gjatë muajve me aktivitet të ulët mund të përmirësojë produktivitetin e bizneseve dhe të krijojë punësim më të qëndrueshëm.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.