Paralajmërimi gjerman: Destabilizim nga varfëria
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble e sheh si tejet të rrezikshem hendekun e thellë mes të pasurve e të varfërve nëpër botë.
“Nëse ai nuk mbyllet, – paralajmëron kreu i Financave gjermane, – globi rrezikohet nga një destabilizim me rritje”.
Gjatë konferencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington, Schäuble kërkoi që kritikat ndaj globalizimit të merren seriozisht, sepse numri i njerëzve të pushtuar nga ndjenja e padrejtësisë sociale është gjithmonë e më i madh.
“Ky grup njerëzish nuk i sheh avantazhet e globalizimit, por vetëm thellimin e hendekut mes të pasurve e të varfërve. Nëse nuk ndërmarrim asgjë kundër këtij fenomeni, do të kemi një rritje të partive populiste dhe demagogëve”, tha Wolfgang Schäuble, ministër i Financave gjermane.
Vendet anëtare të FMN-së e pranuan se periudha e gjatë e një rritjeje anemike i ka bërë më evidente shqetësimet e atyre që “janë lënë pas”. Ata i mëshuan idesë se, nga integrimi ekonomik global duhet të përfitojnë të gjithë.
Në deklaratën e lëshuar në fund të takimit sqarohet angazhimi i plotë, që për këtë qëllim të përdorin të gjitha mjetet dhe politikat monetare e fiskale, si në planin individual, ashtu dhe në atë kolektiv.
FMN dhe Banka Botërore në konferencën e pranverës e theksuan disa herë qëndrimin mbrojtës ndaj tregtisë së lirë, por në deklaratën përfundimtare nuk u shënua fjalia refuzim “i çdo lloj proteksionizmi”, e cila gjendej në dokumentin e vitit të kaluar në tetor.