Paratë nuk ju bëjnë lumturinë!
Sipas një studimi të fundit, të kesh shumë para nuk sjell qetësi; përkundrazi, rrit proporcionalisht numrin e zhgënjimeve. Paratë nuk e bëjnë lumturinë
A ju bëjnë paratë të lumtur? Në fakt, në kohë krizash, padyshim që pak do të vinin në ndihmë. Por, në qoftë se mungesa e parave për të mbajtur një familje mund të bëhet një problem serioz, edhe pasja e shumtë e tyre nuk do të na bëjnë të ndihemi më mirë. Ky është “gjykimi” i cili vjen nga Eugenio Proto, një ekonomist nga Universiteti i Warwick në Mbretërinë e Bashkuar. Studimi ka shqyrtuar Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për person. Natyrisht nuk është një matës i vërtetë i të ardhurave për frymë, por ai sigurisht është një tregues i nivelit të jetës që çdo vend ka. Nga të dhënat e botuara në “PLoS One”, është zbuluar një fakt i çuditshëm: njerëzit që jetojnë në vendet e pasura, duket të ndihen mirë vetëm atëherë kur kombi i tyre arrin një PBB prej 36 mijë dollarësh (rreth 26.000 euro). Nëse shuma e parave rritet, kënaqësia personale bie në mënyrë dramatike. Ndoshta kjo vjen prej faktit se sa më shumë para të kesh aq më shumë rriten ambiciet. Janë pikërisht këto të fundit që mesa duket çojnë në zhgënjim. “Derisa njerëzit do të shohin pasuri dhe mundësi rreth tyre ata do të aspirojnë të ketë gjithnjë e më shumë. Por kjo aspiratë për të kapërcyer hendekun (diferenca ndërmjet të ardhurave aktuale dhe të ardhurave që ne do të dëshironim) ul nivelet e kënaqësisë së jetës. Me fjalë të tjera, ajo që ne synojmë bëhet një objektiv që lëviz dhe shkon më shpejt në vendet e pasura, duke shkaktuar një rënie të lumturisë, që ne shohim në analizën tonë”, shpjegon Eugenio Proto. Krahasuar me personat rezidentë në vendet me një PBB prej rreth 18.000 $ për person, ata që jetojnë në vendet me një PBB më poshtë 6.700 $, kishin 12% më pak gjasa të ndiheshin të kënaqur. Pra rezultatet e studimit tregojnë se kënaqësia e jetës së njerëzve rritet në vendet më të varfra. Ndërkohë një tjetër studim suedez konfirmon se paratë nuk sjellin lumturi. Në fakt lumturia e vërtetë ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore dhe jo me të mirat materiale. Kërkuesit shkencorë të Akademisë Sahlgrenska dhe Universitetit të Lundit kanë dalë në përfundimin se rrethi i ngushtë i miqve dhe familja janë faktorët kryesorë të një jete të lumtur. Studiuesit nordikë analizuan artikujt e gazetave suedeze që nga viti 2010 dhe veçuan fjalët që shoqëronin më shpesh fjalën “lumturi” në këto artikuj. Nga rezultatet doli që fjalë si “iPhone” apo “miliona” nuk përkonin pothuajse kurrë në të njëjtin artikull ku gjendej edhe fjala “lumturi”. Nga ana tjetër, fjala “gjyshe” apo “shok” gjendej shpesh në të njëjtin artikull me fjalën “lumturi”.
Çelësi i lumturisë
Njerëzit të cilët ndihen të admiruar dhe të respektuar nga personat rreth tyre kanë një ndjenjë të mirëqenies më të fortë se ata të cilët kanë të ardhura ekonomike të mëdha. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga hulumtuesit në psikologji sociale nga Universiteti i Berkeley, në Kaliforni. Studiuesit kryen katër eksperimente, dy prej të cilëve shumë domethënëse. I pari konsistonte në analizimin e marrëdhënies ndërmjet statusit subjektiv të mirëqenies dhe statusit shoqëror, që do të thotë, imazhi që mund të ketë një individ nga një grup shoqëror. E dyta ishte të krahasonin shkallën e lumturisë personale ndaj statusit socio-ekonomik. Megjithatë, të pasurit një status të mirë social, të respektohesh nga miqtë e tu, nga kolegët apo fqinjët, të jep një ndjenjë të qëndrueshme të lumturisë dhe mirëqenies. Rezultati: njerëzit të cilët kishin rezultate më të larta në statusin social rezultonin të ishin më të lumtur se ata që kishin të ardhura të larta. Pra statusi socio-ekonomik i një personi nuk është një faktor që ndikon në kënaqësinë e jetës.