PARIS – Nis protesta e sindikatave, studentëve dhe “Jelekëve të Verdhë” kundër kostos së jetesës
– Ka nisur në Paris, nga zona Porte de Bagnolet, në lindje të kryeqytetit francez, marshimi i protestës së njohur si akti III i mobilizimit të sindikatave, studentëve dhe “Jelekëve të Verdhë”, në mbrojtje të arsimit dhe kundër rritjes së kostos së jetesës.
Pjesëmarrësit në protestë pranuan vendimin e prefekturës, të konfirmuar edhe nga Këshilli i Shtetit, për ndryshimin e itinerarit të demonstratës. Në vend të aksit qendror Bastille-Nation, marshimi u zhvendos drejt një itinerari periferik, me qëllim parandalimin e akteve të vandalizmit dhe grabitjeve të bizneseve.
Ndërkohë, sheshi Bastille, që fillimisht ishte parashikuar si pikënisja e protestës, mbetet nën masa të forta sigurie, me dhjetëra automjete të blinduara dhe forca policore. Autoritetet kanë ndaluar çdo grumbullim në këtë zonë, duke u kërkuar qytetarëve të largohen.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, në protestë pritet të marrin pjesë nga 100 000 deri në 150 000 persona.
Në një njoftim të Drejtorisë së Rendit Publik, të publikuar nga “BFM TV”, paralajmërohet gjithashtu për praninë e mundshme të 300 deri në 600 aktivistëve të ekstremit të majtë, të cilët cilësohen si “protestues të dhunshëm”, si dhe të disa qindra të rinjve nga zonat periferike të Parisit.
Autoritetet shprehin shqetësimin për mundësinë e bllokimit të unazës periferike të kryeqytetit dhe të rrugëve që lidhen me të.
Ndërkohë, institucionet kryesore shtetërore, përfshirë Pallatin Élysée, Asamblenë Kombëtare dhe Senatin, janë vendosur nën masa të shtuara sigurie, me praninë e forcave policore dhe automjeteve të blinduara.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.