Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë dënon dhunën në protesta, bën thirrje për dialog dhe mbrojtje të të miturve
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë u ka bërë thirrje publike të rinjve, nxënësve dhe studentëve që të distancohen nga çdo akt violent, duke këmbëngulur në ruajtjen e karakterit paqësor të protestave dhe nxitjen e dialogut konstruktiv për adresimin e kërkesave të tyre.
Përmes një deklarate zyrtare, organi kombëtar përfaqësues i nxënësve nënvizoi se “Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë nuk bie dakord me asnjë akt dhune, kërcënimi apo provokimi, pavarësisht se nga kush ushtrohet”.
Ndër të tjera, në mesazh i mëshohet ruajtjes së sigurisë fizike dhe të pronës publike e private, duke u bërë thirrje të rinjve “të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë e tyre apo të personave të tjerë, si dhe të shmangin ushtrimin e dhunës apo dëmtimin e institucioneve dhe pronës publike e private”.
Një vëmendje e veçantë në këtë reagim i është kushtuar rolit të familjes dhe mbrojtjes së të miturve nga përfshirja në përplasje rruge. Përfaqësuesit e nxënësve u kërkojnë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë rritjen e kujdesit dhe komunikimit të përditshëm, duke deklaruar se “u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të tregojnë vëmendje, të mos i lejojnë të miturit të bëhen pjesë e përplasjeve fizike dhe të komunikojnë me fëmijët e tyre lidhur me sigurinë personale dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së përgjegjshme në jetën qytetare”.
Në përmbyllje të apelit të tij, organi përfaqësues rikujtoi se “në këtë moment, nevojitet më shumë dialog dhe më pak përplasje”, duke konfirmuar mbështetjen për proceset e bashkëbisedimit institucional si rrugëzgjidhje për adresimin e problematikave arsimore dhe shoqërore.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë përbëhet nga 140 përfaqësues të zgjedhur nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në nivel kombëtar, me synim forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje dhe rritjen e cilësisë së arsimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.