Opinion

Parlamenti sipas jo-politikës

NDUE DEDAJ 

Ndue DedajMeqenëse 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë në dorën e 2 – 3 individëve, thënë ndryshe liderëve politikë, ia lejuam vetes dhe ne të ndërtojmë Parlamentin shqiptar, se si ai duhet të jetë, pak a shumë sipas perceptimit të publikut, i cili dëshiron një Parlament ndryshe nga ky i sotmi, paçka se kjo punë me ligj është kalkuluar në atë mënyrë që asgjë nuk mund të bëhet, pasi “konkurron” proporcionali e jo mazhoritari, çka do të thotë se fatin kuvendor e vendosin kryetarët e dy partive kryesore, Edi Rama e Lulzim Basha, po edhe Ilir Meta. Pa fyer kryetarët e tjerë, që, përgjithësisht, mbetet të kënaqen me “thërrimet” parlamentare të të mëdhenjve. E di që lexuesi është kureshtar që t’ia nisim nga emrat, pasi ka kërshëri, emrat në këtë vend janë “thembra e Akilit” për çdo gjë. Por durim derisa t’u vijë radha emrave. E para, na duhet një Parlament më i vogël se ky që është, jo më shumë se 90-100 parlamentarë, kështu që dhe emra do të kishim më pak, shpenzime parlamentare më pak dhe sidomos sherre dhe bejte parlamentare më pak. Mirëpo kush do ta votojë një ndryshim të tillë kushtetues, si mund të shkurtojnë deputetët karriget e tyre? Megjithatë, po ta kërkojë fort publiku, ka “urdhra” andej nga Brukseli që dhe këtë gjë mund ta zgjidhin, natyrisht me kartonët tanë. E dyta do të na duheshin disa kritere, pasi deri më sot deputet mund të bëhet cilido person, me damkë në ballë ose jo. Ishte njëherë e një kohë Parlamenti me profesorë, në fillimet e demokracisë. Në këto kushte ne do të propozojmë normat tona, që sot për sot nuk pinë ujë.

Deputeti detyrimisht të ketë bibliotekë në shtëpi dhe kartelë lexuesi në bibliotekën publike. B. Deputeti të ketë kryer shkollën e lartë dhe masterin, të dyja këto prej së vërteti. C. Deputeti ta ketë banimin në zonën e tij elektorale, në Has apo në Ersekë. Por ajo që është më kryesorja… prit ta shkoqisim pak këtë… 19 vjet më parë në gazetën “Poli i Qendrës” patëm botuar artikullin “Drejt Parlamentit vrapojnë peshat e lehta”, që nuk pati kaluar pa u vënë re. Kuptimi ishte i thjeshtë, që në vend që në Kuvend të venin akademikët, profesorët, dijetarët, juristët e njohur, shtetarët, ata që kishin se çfarë të jepnin, për çudi po turreshin ata që kishin vetëm se çfarë të merrnin! Ndërsa emërmëdhenjtë rrinin të tërhequr (apo partitë i mbanin larg), listat ishin mbushur me emra të zakonshëm, që, në mos njëri, tjetri do të zinin vend në Parlament, duke nisur kështu maratona e të paaftëve. Ky ishte shqetësimi ynë asokohe. Por ku të “lehtit” dhe mediokrit e atëhershëm, me të fortët që do ta zaptonin Parlamentin më vonë. Partitë ishin elektorale dhe këta të fundit përherë e më shumë po bëheshin mjeshtër të fushatave, këta ia dinin se nga i vihej votës, derisa ajo të binte në kuti-kurthin e tyre. Përkundrazi, profesorët nuk ishin njerëz elektoralë, në njëfarë mënyrë sezonalë, ata i kishte bërë të peshuar ndenjja në biblioteka e auditorë. Ata premtonin vetëm gjëra që mund të bëheshin, por si duket koha e tyre ose kishte “kaluar”, ose sipas disave, donte kohë të vinte. Pa teorizuar më gjatë, le të shënojmë kriterin që në Parlament nuk lejohet të hyjnë as peshat e lehta dhe as peshat e rënda, këto të fundit mund të quhen dhe të “fortit”. Ky është një eufemizëm që e kemi shti në përdorim jo nga qejfi për të shpikur simbolika, por se nuk dëshirojmë të përmendim emra, se ky është vend i vogël dhe ku i dihet, të gjen… tritoli. Por ka të fortë e të fortë. Jo me të gjithë jemi kundër. Në shkrimin e para 19 vjetëve patëm përmendur një nga të famshmit e Parlamentit të parë shqiptar, atij të 1921-it, Ambroz Marlaskajn, i cili qe quajtur “Gozhda e Parlamentit”, se logjikës së tij askush nuk mund t’i bënte dredhë, as vetë Kryeministri i kohës, paçka karizmës së tij në ngjizje mbretërore. Atë Ambrozi ishte asokohe i pakapërcyeshëm, nuk bënte lak dhe nuk ishte i vetmi. E po qe fjala për të fortë të tillë, ku ta gjesh të na popullohet Kuvendi dhe sot. Mirëpo ne, për të mos i shkuar një avazi, që sa herë nuk na e mbush mendjen e sotmja, modelin e kërkojmë para njëqind vjetësh, për Parlamentin që do të donim të sendërtonim pas dy vitesh nuk do të thërrasim në ndihmë Marlaskajn, Fishtën e Gurakuqin, por do të shohim rreth e rrotull vetes, rreth e rrotull partive, që të gjejmë ca njerëz që t’u “lutemi” të kandidojnë për deputetë. (Shpresoj se deri atëherë do të jetë rregulluar refendumërisht kjo puna e mazhoritarit, që të mos ketë ekskluzivitet lista e Ramës, Bashës e Metës.) Të mësuar me këtë modelim parlamentar “biznesmenësh”, është e vështirë të pranohet propozimi ynë për deputetë të nesërm idealistë, që kanë me shumicë libra e projekte dhe jo fuoristrada të rënda të blinduara, telefona super të shtrenjtë, unaza super të shtrenjta, kostume super të shtrenjta, që ua kalojnë dhe sheikëve sauditë. Askush nuk thotë se deputetët të ndërrohen domosdoshmërisht me të “varfër”, jo varfëria është gjëja më e rëndë e njerëzimit, por dhe “sheikë” që financojnë partitë, duke vetëfinancuar nesër ekonominë e tyre të paligjshme nuk i duhen këtij vendi e nuk i janë dashur kurrë.

Sigurisht, deputetët nuk do të jenë të ardhur nga Marsi, do të jenë prej nesh, nga ata që kemi pasur në çdo Parlament që nga ’91-i, por që kanë qenë pakicë dhe nuk janë dëgjuar. Përfshi dhe disa zëra majtas e djathtas që ishin në Parlamentin e kaluar dhe nuk u përfshinë në këtë të riun, pasi ishin zëra kritikë. Ne shpesh themi se Parlamenti i monizmit ishte kukull, se kishte minatorë e njerëz të tjerë të thjeshtë, se ata i komandonte partia etj. Pse jo, më mirë minatorë që të vetmin privilegj kishin vendin e parë në autobusin e linjës, kur udhëtonin për në seancat e Kuvendit Popullor, se “minatorë” të sotëm të thellësive të korrupsionit e krimit. Më kot nuk kërkohet nga ndërkombëtarët që ta dekriminalizojmë Parlamentin. Nuk besoj se institucionet euroatlantike shohin ëndrra me “kaubojsa” këndej nga ne. Jo, beteja sapo ka nisur, ajo është e vështirë, por është shansi ynë për t’ia dalë mbanë e për të ndërtuar një Parlament normal. Me deputetë që flasin më pak për politikën e më shumë për popullin. Bie fjala, për fëmijët që mbetën përditë jetimë nga baballarët e tyre, që u vrasin nënat për xhelozi, pastaj dhe veten, tre në Orikum, tre në Laprakë, tre në Bajzë. Ç’na duhet një Parlament që nuk ka fuqi as sa Kanuni, që nuk i vriste gratë? E vërteta e hidhur kjo është, që liria vraka. Kuptohet, shpërdorimi i lirisë, kapërcimi i saj. Ndryshe do të ishte një Parlament që ka publiken në rend të parë dhe politikën në rend të dytë. Të gjithë e dinë se Parlamentin e prodhon politika, por jo për ta mbajtur lidhur pas “stelit” të saj. Deri tani ka ndodhur kështu se të gjithë në plan të parë kanë pasur politikën fatsjellëse, si bukën që hanë, si ajrin që thithin: pozita, opozita, qeveria, ministrat, deputetët, kryebashkiakët, prefektët, drejtorët. Ndaj na duhet një Parlament sipas jo-politikës. Por a do të jetë utopi një i tillë në Shqipëri, derisa në fuqi të kemi këta politikanë? Diçka e mirë mund të ndodhë pas dy vitesh, për disa me “kobure” do të mbyllen dyert e Parlamentit e për disa të tjerë me akribi shkencore, intelektuale do të hapen. Veçse jo prej nesh, por prej dirigjimit të ndërkombëtarëve, të cilët më në fund i kanë thënë “mjaft!” kësaj histerie ordinere. Ama, nëse një përfaqësi e re politike parlamentare pritet të vijë pas dy vitesh, të mos presim deri atëherë, por ta nisim pas dy muajsh, me zgjedhjet vendore për kryetarë e këshilltarë bashkish. Prej këndej të zërë fill rinovimi i trupës udhëheqësore të vendit. Se si është lejuar deri tani të ketë bastione apo “çifligje” kryetarësh me 3, 4 e deri në 5 mandate, vetëm një parapolitikë mund ta shpjegojë. Siç dekriminalizimi nuk është një proces që do kryer vetëm në Parlament, por në të gjitha strukturat qeverisëse të shoqërisë, organet vendore, ato të drejtësisë, të doganave etj. Politika dhe krimi nuk mund të ecin më në dy shina paralele, njëra e dukshme e tjetra e padukshme. Ky do të ishte këndvështrimi i jo-politikës për Parlamentin, bashkitë etj. Institucionet, kuptohet, sërish do t’i prodhojë politika, por të shpresojmë, më në fund, ajo e votës së patjetërsueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button