Kosova

Partia Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin

Partia Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh politik kosovar, nisi sot para mesditës Konventën e VII-të të Jashtëzakonshme Zgjedhore, ndërsa nesër pasdite në përmbyllje kryetari i ri i zgjedhur nga delegatët, do t’u drejtohet të pranishmëve dhe qytetarëve.

Konventa zgjedhore e PDK-së u hap me Himnin Shtetëror të Kosovës dhe Himnin Kombëtar Shqiptar, e më pas me fjalën hyrëse të nënkryetarit Hajredin Kuçi i cili theksoi sukseset historike të Kosovës e të partisë, lirinë, pavarësinë dhe ecjen në integrimin euroatlantik.

Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami në fjalën e tij gjatë konventës zgjedhore të partisë, tha se PDK e themeluar para 17 vitesh mori përsipër ndërtimin e shtetit dhe implementimin e pavarësisë duke u prirë nga lideri historik Hashim Thaçi.

“Ne jemi krenar që PDK ka qenë protagoniste e ndërtimit të historisë së Kosovës dhe arritjes që një ëndërr shekullore ta bëjë realitet”, tha Bajrami.

Ai gjithashtu tha se kjo ngjarje sot po promovon standarde të reja pluraliste dhe do të jetë model i të gjitha partive demokratike.

“PDK ka dhënë shembullin më të mirë se si duhet të sillemi dhe se si duhet të mbrojmë shtetin”, ka thënë Bajrami duke shtuar se secili nga anëtarët e partisë duhet të ndjehen të lumtur që si kandidat për prijës të partisë është Kadri Veseli.

“Jemi të lumtur që ne kemi kandidatë Kadri Veselin, një personalitet i shquar i pavarësisë dhe i shtet-ndërtimit të Kosovës dhe një lider që ka shumëçka për t’i dhënë Kosovës”, ka përfunduar nënkryetari i deritashëm i PDK-së, Arsim Bajrami.

Kandidati i vetëm për kryetar, kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli, ka paralajmëruar angazhimet për mobilizimin dhe forcimin e strukturave të PDK-së, ndërsa ka theksuar se oferta e tij i ka rrënjët në sukseset e njëpasnjëshme historike të partisë dhe se do të ndjek rrugën e trasuar prej ish-kryetarit, por që ofron edhe një vizion të tij për një parti bashkëkohore evropiane të qendrës së djathtë.

Duke shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të PDK-së, Veseli ka thënë se ka ndërmarrë një vendim shumë të rëndësishëm dhe ka shprehur besimin se në këtë detyrë të re mund ta përmbushë më së miri vokacionin e tij politik dhe mund t’i shërbejë më së miri Republikës së Kosovës.

PDK-ja, që nga themelimi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 e deri në shkurt 2016 udhëheqej nga Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje pasi Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në një konferencë shtypi pas zgjedhjes kryetar në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovë, Veseli ka vlerësuar se kjo parti është një organizatë shumë e çmuar e jetës politike të Kosovës, e cila ka luajtur rol protagonist në shpalljen e pavarësisë dhe në konsolidimin e shtetit të ri.

I kandiduar për kryetar të PDK-së, Veseli ka theksuar se mbështetjen e anëtarëve dhe votuesve për të marrë përsipër detyrën e drejtimit të kësaj organizate politike nuk e shikon vetëm si privilegj, por edhe si detyrim për të punuar më shumë për konsolidimin e partisë.

Para Konventës zgjedhore që po zhvillohet, në përgatitje të saj, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, ka aprovuar axhendën e punimeve dyditore dhe ka marrë vendim për themelimin e komisionit statutar, i cili do të merret me propozimet për ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të partisë, të ardhura nga strukturat e degëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button