Bota

Pas 9 orësh “luftë”, zjarrfikësit vënë nën kontroll flakët, Macron: Do ta rindërtojmë Notre Dame

Pas më shumë se 9 orësh betejë me flakët, zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll zjarrin që përfshiu një pjesë të madhe të katedrales Notre Dame de Paris.

Autoritetet franceze thanë se arritën të shpëtojnë nga djegia dy nga kullat e katedrales dhe strukturën shkëmbore të godinës Gotike, 850-vjeçare.Shkaqet e zjarrit nuk bëhen të ditura ende, por hetuesit thanë se po hetojnë zjarrvënien aksidentale, që lidhet me faktin se ajo pjesë e katedrales ishte duke iu nënshtruar një rinovimi.

Ndërkohë, raportohet se gjatë betejës 9-orëshe me flakët, një prej zjarrfikësve ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Duke folur nga katedralja nēn flakë, në orët e para të së martës, presidenti Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen tragjike, por evidentoi si shumë të rëndësishëm faktin që u shpëtua struktura e saj.

“Ne do ta rindërtojmë katedralen të gjithë së bashku dhe ajo padyshim do të mbetet një nga destinacionet kryesore të Parisit”, tha Macron duke njoftuar se shumë shpejt do të hapë një skemë ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve, për t’i rikthyer kryeqytetit Notre Dame-n e famshme.

Ndërkohë, miliarderi francez François-Henry Pinault, pronar dhe CEO i Kering group, që përfshin linjat e famshme të modës, Gucci dhe Yves Saint Laurent, ka premtuar një donacion prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e Notre Dame de Paris.

Edhe Fondi Francez i Trashëgimisë ka nisur një fushatë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e katedrales, që është edhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Zjarri në Katedralen e Parisit ra rreth orës 18:30 të pasdites së të martës dhe shumë shpejt përfshiu dritaret dhe të gjithë pjesën e drunjtë brenda saj, dukë bërë që të binte kupola e saj.

Në operacion u përfshinë rreth 500 zjarrfikës, të cilët treguan njē kurajë të jashtëzakonshme në betejën me flakët, duke bërë të mundur shpētimin e strukturës së katedrales.

Liderë nga e gjithë bota, përfshirë presidentin e SHBA-ve Donald Trump, Vatikanin zyrtar e shumë të tjerë, reaguan duke iu bashkuar dëshpërimit francez gjatë djegies së një pjese të rëndësishme të historisë së Parisit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button