Garland: Rreziku më i madh për Ballkanin në të ardhmen është Rusia
Njëri nga ekspertët më të mëdhenj të sigurisë dhe analizës strategjike të së ardhmes, Eric Garland punon si këshilltar i korporatave më të mëdha botërore, përfshirë IBM, Johnson & Johnson, Kellogg’s, Siemens, ndërsa ka botuar edhe libra të lexuar në temën e zhvillimeve strategjike në të ardhmen.
Në një intervistë GazetaMetro, Garland porosit shqiptarët se “kërcënimi rus është rreziku më i madh për sigurinë globale me të cilët ballafaqohemi sot”.
Ai po ashtu porosit se “shtetet e Ballkanit duhet të gravitojnë në mënyrë strategjike drejt aleatëve të NATO-s në Perëndim”.
Në javët e fundit ka pasur artikuj të ndryshëm në mediat evropiane, në të cilat përshkruhej rreziku që vjen nga lufta hibride nga ana e Rusisë, e cila ngulmon të shkaktojë përçarje midis aleatëve evropianë, veçanërisht në rajonet më pjesën më të ndjeshme të Evropës – në Ballkanin Perëndimor. Sipas jush, çfarë rreziku real përbën Rusia? A mund të ndodhë që rusët ta rrënojnë përgjithmonë arkitekturën e sigurisë të pas Luftës së Dytë Botërore, në Bashkimin Evropian dhe në NATO?
Garland: Kërcënimi i luftës hibride ruse është rreziku më i madh për sigurinë globale me të cilët ballafaqohemi sot, madje më i madh se ekstremizmi global islamik. Që nga 11 shtatori 2001, organet shtetërore të sigurisë anekënd botës kanë mësuar shumë për rrjetet e fshehta dhe të turbullta që po çojnë në sulme të papritura nga terroristët islamikë. Megjithëse terroristët kanë suksese të kohëpaskohshme, inteligjenca dhe organet ligjzbatuese kanë prioretizuar mbrojtjen kundër terroristëve islamikë. Rusia ka demonstruar se lufta e saj shkatërruese politike tejkalon çdo kërcënim tjetër për sigurinë globale. Rusia përfitoi dhe madje e ekzagjeroi kërcënimin që terrorizmi global islamik përbën, në mënyrë që ta zhvillonte luftën e saj hibride, ndërsa kundërshtarët e saj ishin të hutuar. Tani që Rusia po e sulmon Perëndimin nëpërmjet operacioneve të tilla si Brexit dhe ndërhyrjeve në procese zgjedhore, ne shohim se ata janë përfundimisht të gatshëm për t’i futur këto armë të reja në përdorim. Dëmi i shkaktuar nga rusët është tashmë i rëndë. Se a do t’i dëmtojë përgjithmonë lufta shkatërrimtare e Rusisë, BE-në dhe NATO-n, do të varet nga vigjilenca e demokracive evropiane dhe nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta marrin veten.
Rusia është akuzuar të ketë luajtur një rol në grusht-shtetin dhe tentim-vrasjen në Mal të Zi. A mendoni se evropianët dhe amerikanët kanë ngecur kur bëhet fjalë për sigurinë e përbashkët dhe se i kanë lënë terren rusëve për ofensivën e tyre? Çfarë mund të bëjnë shtetet e Ballkanit në këto kohëra të forcave shumë-polare.
Garland: Amerika dhe aleatët e saj në NATO qartësisht e kanë nënvlerësuar agresionin dhe vendosmërinë e Rusisë, duke i dhënë asaj përparësi kyçe dhe një mungesë të kundërshtimit, ndërsa ajo po depërtonte në vendet e Ballkanit. Por, kërcënimi tani është i dukshëm për të gjithë, përveç bashkëfajtorëve, dhe tani kërkohet vendosmëri. Besoj se shtetet e Ballkanit duhet të gravitojnë në mënyrë strategjike drejt aleatëve të NATO-s në Perëndim, edhe pse kjo aleancë duket të ketë pësuar lëkundje në ditët e fundit. Duhet të mbajmë në mend se kjo përshtypje se NATO-ja është e parëndësishme ose e pafuqishme është edhe e gabuar, edhe krejtësisht qëllim i luftës politike ruse. Rusia nuk ka mundur dhe nuk mund ta luftojë NATO-n drejtpërdrejtë, marrë parasysh kapacitetin e tyre të sotëm për fuqi kibernetike. Kështu, shpresa e saj vetme ishte që të përdorte luftëra politike për të bërë që aleanca të dyshonte në vetveten dhe ta shkatërronte veten. Këto veprime të Rusisë tani janë ekspozuar, dhe kur Amerika ta rikthejë fuqinë e saj të plotë, Rusia do të dështojë tërësisht. I gjithë ky episod ka dëshmuar se aleancat e lira dhe demokratike evropiano-amerikane janë çelësi i paqes dhe mirëqenies globale. Unë besoj se rëndësinë e kësaj aleance do ta ndjekin liderët e sotëm dhe të ardhshëm.
A prisni që NATO do të jetë e aftë të ruajë unitetin e brendshëm dhe të mos përjetojë thyerje të tilla si ato që i kemi parë në rastin e Brexit-it, në mesin e familjes se kombeve euroatlantike?
Garland: Mendoj se tani që lufta hibride e Rusisë ka dalë në sipërfaqe, misioni dhe angazhimi i NATO-s tani është më i nevojshëm se kurrë më parë. Franca ka zmbrapsur sulmet e Rusisë në demokracinë e saj, siç ka bërë edhe Holanda. Besoj se Gjermania do të mbrohet nga sulmet ruse në procesin zgjedhor këtë vit. E gjithë NATO-ja po merr një qëndrim aktiv kundër kërcënimit strategjik të Rusisë. Duhet të jemi shumë më agresivë në kuptim të mbështetjes së fuqishme për aleatët e saj në NATO, ndërsa po përballemi me një kërcënim të madh dhe me një vendosmëri të unifikuar.