Bota

Pas perçes – dhe para saj

Pozicioni i femrave në shtetet islamike duket në vështrim të parë kudo i njëjtë. Por nga pikëpamja teologjike qëndrimi ndaj gruas nuk ka një argumentim të njëjtë. Për këtë kujdesen vetë gratë.

Muhammad Salih al-Munajidd nuk është aq i madh në moshë. Por ekspertizat fetare të studiuesit të fesë, të lindur në 1960-ën në Siri si bir i refugjatëve palestinezë, dhe i cili që prej rinisë jeton në Arabinë Saudite, kur i lexon të duken si dokumente të një kohe të shkuar. Ato ai i publikon në “islamqa.info”, në njërën prej faqeve të internetit më popullore salafiste në botën arabe. Atje, për shembull, atë e pyet një i ri për një përgjigje për një pyetje, që i duket e vështirë: Si është puna me “skllavet”, që qendrojnë në atdheun e tij, në Arabinë Saudite? A lejohet kontakti seksual me to? Atë që kupton me fjalën “skllave”, pyetësi nuk e sqaron – e merr si të ditur. Në Arabinë Saudite me këtë fjalë kihen parasysh vajzat e punësuara në shtëpi nga Azia Juglindore.

“Konsensi i dijetarëve”

Eksperti i fesë e di përgjigjen: “Feja islame i lejon një burri që të ketë kontakt seksual me një grua, pavarësisht nëse ai është i martuar me një ose me disa gra apo nëse është beqar.” Si argumentim, eksperti sjell paragrafë të Kuranit, biografinë e Muhametit si dhe mendimet e sheikëve të rëndësishëm. “Dijetarët”, e përmbledh ai diskutimin “janë të gjithë të të njëjtit mendim, se askujt nuk i lejohet që ta quajë këtë të ndaluar ose ta ndalojë. Kushdo që e bën këtë është mëkatar, i cili ngrihet kundër konsensit të dijetarëve.”

Fatva (ekspertiza juridike islame) për qënien në dispozicion seksual të aziatikeve të ardhura vetëm për punë shtëpie në Arabinë Saudite është vetëm njëra në universin e fatvave, të cilat publikojnë ditë për ditë studiuesit sauditë të fesë për gratë. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, vlerëson etnologia që jep mësim në London School of Economics, Madawi al-Rasheed, studiuesit sauditë të fesë kanë nxjerrë mbi 30.000 fatva. Martesa, pastërtia e trupit, çështjet mjekësore – nuk ka asnjë fushë, në të cilën nuk depërtojnë studiuesit me ekspertizat e tyre.

Kurani ka interpretime të ndryshme
Kurani ka interpretime të ndryshme

Perçja si simbol

Skena fetare e dominuar nga ultrakonservatorët vahabitë përfaqëson njërin pol të diskutimit tepër të gjerë për pozicionin e gruas në fenë islame. Në polin tjetër të diskutimit janë vetë gratë – shpesh gra laike ose islamiste, përgjigjet e të cilave ndryshojnë në mënyrë diametrale nga ato të vahabitëve.

Të të njëjtit mendim të dyja grupet janë vetëm në një pikë: mënyra e trajtimit të grave ka rëndësi qendrore në fenë islame. Më fort se kurrë, shkruan feministja tuniziane dhe historiania Sophie Bessis, teologët islamikë kërkojnë që t’i imponojnë një identitet fetar Lindjes së Afërme. Ky identitet është i varur nga shenjat dhe simbolet, të cilat pasqyrohen në gra të veshura në mënyrë tradicionale. “Identitet = fe = grua të mbuluar me perçe, ky është triptiku që u propozojnë lëvizjet islamiste arabëve, dhe të cilin ata e kanë përvetësuar pa vështirësi të mëdha”, shkruan Bessis në librin e saj “Les arabes, les femmes, la liberte” (“Arabët, femrat, liria”). Prej vitesh, perçja është një nga simbolet që si myslimanët, ashtu edhe jo myslimanët lidhin me fenë islame. Por çfarë përfaqëson perçja? Në vitet e shkuara, disa feministe perëndimore kanë parë në të një simbol të emancipimit femëror.

“Gratë e mbuluara me burka të paktën nuk gjykohen në bazë të pamjes së tyre”, shkruan eseistja australiane, Helen Razer. Studiuesja e kulturës Ibtissam Bouachrine, me origjinë marokene dhe e cila jep mësim në Smith-College në Massachusetts e kundërshton. Mbulimi me perçe e çarçaf ka një funksion krejt tjetër, shkruan ajo në librin e saj “Women in Islam.Myths, Apologies, and the limits of Feminist Critique”. “Si “shtëpi portative” perçja e çarçafi kujtojnë pa ndërprerje se vendi i natyrshëm për gruan është shtëpia.”

Prof. Amina Wadud
Prof. Amina Wadud

Interpretime feministe të Kuranit

Ndryshe nga veprimtaret sekulare të grave, feministet islame argumentojnë mbi bazën e Kuranit. Specialistja e fesë islame që jeton në SHBA, Amina Wadud thotë se Kuranin sot nuk mund ta interpretosh në të njëjtën mënyrë si në kohën kur është shkruar. Në kohën kur lindi Kurani, shkruan Wadud në librin e saj “Quran and Woman”, gratë e fiseve të pasura ishin pa dyshim të mbuluara me perçe e çarçaf. Po këtë fakt ajo e interpreton në mënyrë të pazakontë: si shenjë të modestisë. Prandaj ajo arrin në përfundimin: “Kurani e sheh modestinë si virtyt. Për të ka rëndësi modestia – dhe jo perçja dhe veçimi i gruas. Këto janë vetëm kushtet specifike të kohës së atëhershme.”

Feja islame nuk njeh një hierarki të përgjithshme teologjike. Shumë interpretime janë pranë njëra-tjetrës, ndryshojnë nga rajoni në rajon, nga një variant i fesë në tjetrin, nga një grup social në tjetrin. Kjo i ndërlikon çështjet fetare, por i mban ato edhe në lëvizje. Kjo vlen edhe për çështjet që kanë lidhje me gratë, megjithë situatën e qartë në vështrim të parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button