Pasuritë e patundshme, Hong-Kongu më i shtrenjtë se Monako
Për një kohë të gjatë, Principata e famshme buzë rivierës franceze në brigjet e Mesdheut, është parë si vendi me tregun imobiliar më të shtrenjtë në botë. Mirëpo së fundmi, minishteti duhej të spostohej për t’ia lënë vendin një tjetër vendi “të magjishëm” nga Azia. E kjo ka të bëjë diçka edhe me krizën greke e jo vetëm
Kush dëshiron të jetojë në Monako, nuk e vret shumë mendjen për para. Një metër katror banesë në principatën e famshme kushton dhjetëra mijëra euro. Investitorët dhe shitësit privatë në mbarë botën hidhen me turravrap mbi çdo metër sipërfaqe të lirë në vendin e dytë më të vogël të botës.
Dhe që atje një pronë imobiliare të arrijë në treg, nuk është se ndodh dhe aq shpesh. Vitin e shkuar ishin 555 objekte, për të cilat u pagua një shumë totale prej dy miliardë eurosh. Këto të marra mesatarisht kushtuan 3,6 milionë euro për çdo banesë.
Siç rezulton edhe nga analiza e njërës ndër agjencive më të mëdha e më të vjetra të tregut ndërkombëtar të pasurive të patundshme, “Savills”, themeluar qysh në vitin 1855, me këtë nivel, Monako po e kalon tashmë rekordin e deritanishëm të arritur në vitin 2007. Edhe në ndërtimet e reja është shënuar një rritje investimesh prej 13 përqindësh, duke kapur kësisoj një rekord të ri.
“Çmimet gjenden le të themi, në nivelin e tyre më të lartë, dhe kështu do vijojnë të mbeten edhe në të ardhmen e afërt”, prognotizon Paul Tostevin nga “Savills”.
300 milionë euro për një apartament në çati
Njëra ndër ndërtesat më luksoze të Monakos u përfundua para pak kohësh: “Tour Odéon” ndodhet direkt pranë pistës legjendare të Formulës 1, dhe është 170 metra e lartë. Përmban 70 apartamente. Ndër ta edhe një apartament në çati, më i shtrenjti në botë.
Në pesë katet më të larta të gjigandit ndodhen në qindra metër katrorë luks, një pishinë dhe shatërvanë e rrjedha uji, si dhe një qendër bukurie e përkujdesjeje trupore. Vlerësuar në 300 milionë euro thuhet se është shuma që është derdhur për të. Për të bërë tënden një metër katror, duhen afërsisht 90.000 euro, e kjo sigurisht për të shijuar një panoramë të paharrueshme mbi Côte d’Azur.
Blerja kushton dhjetëfish të qirasë
Mirëpo, ka edhe më shtrenjtë. Sipas “Savills”, Monako gjatë vitit të shkuar zbriti për herë të parë nga vendi i parë në renditje globale me banesat më të shtrenjta në botë. Kështu, vendin e tij tashmë e ka zënë Hong-Kongu.
Ish-kolonia britanike ka përfituar shumë nga vërshimi i kapitalit nga Kina Popullore, si dhe nga rritja e vlerave në bursat e saj, të cilat po ashtu tërheqin si magnet investitorë të rinj. Jo më kot tashmë Hong-Kongu për shumë kinezë është mundësia e vetme për të investuar në tregun e hapur të kapitaleve në pasuritë e patundshme.
Shumë të parapëlqyera tek investitorët janë lagjet e qytetit “Victoria Peak” dhe “Kowloon Town”. Ato janë kaq të shtrenjta saqë për blerjen e tyre kërkohet mijëra-fishi i çmimit të qirasë. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë se: në një qira prej 85 eurosh për metër katror, duhet të mos habitesh nëse merr si çmim për blerje pastaj rreth 83.000 euro për metër katror.
Me këtë, tregu në Hong-Kong konkurron dhëmbë për dhëmbë tashmë apartamentet në çatinë e ndërtesës më luksoze të Monakos.
“Savills” rendit edhe një arsye tjetër për rënien e Monakos në vend të dytë të listës luksoze, pavarësisht se asgjë nga këto nuk ia zbeh principatës sharmin apo nivelin e kripur të çmimeve imobiliare e më gjerë. Euroja e dobët dhe transaksionet në dollarë, e kanë bërë Principatën në përballje me Hong-Kongun të humbasë paksa vlerën.
Dhe kjo, përballë politikës së Bankës Qendrore Europiane, nuk ka gjasa të ndryshojë në terma afatshkurtër.