Opinion

“Patriotët”

Bedri Islami

Çështja e “Detit” është përsëri kryefjala e përplasjeve politike. Është pritur se do të ndodhte një gjë e tillë dhe se opozita do e bënte e ribënte çështje të saj.

Askush nuk është kundër idesë dhe trajtesës së sinqertë të një çështjeje kaq madhore, nëse do të nisej gjithçka nga një dëshirë e sinqertë për të mbrojtur dhe sanksionuar deri në cepin e fundit kufirin shqiptar me fqinjët, qoftë kufirin tokësor, qoftë atë detar.

Marrëveshja e re që po ravijëzohet në horizontin politik të shtetit shqiptar, tashmë nën drejtimin e Ramës, ende nuk ka përcaktimet e saj përfundimtare. Ajo është ende një çështje e diskutueshme dhe nëse do të ndodhin rishtas gabime e faje politike e kombëtare, do të ishte e domosdoshme shfuqizimi i saj. Ripërsëritja e të njëjtit faj do të ishte dy herë e dënueshme dhe dy herë duhet hedhur poshtë.

Por, çfarë po ndodh? Në horizontin politik dhe në diskurset më të ashpra janë renditur me forcë, duke i vënë edhe bërrylin njëri-tjetrit se kush të dalë më parë, liderë, politikanë dhe zëdhënës të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Do të thotë, opozita e sotme, e cila, në vitin 2009, pa asnjë ngurrim dhe me një megalomani politike të pashoqe, nënshkroi aktin e shitjes së detit, e cila kaloi përmes një puthjeje bakojanis. Një puthje e rrezikshme, në praninë e shefave qeveritarë, në fillimin e vitit elektoral 2009, ku Berisha dhe soji i tij politik priste me ankth fitoren përsëritëse të zgjedhjeve dhe të cilën,  një vit më pas e vodhën.

Shitja e detit, marrëveshjet e tjera me fqinjin jugor, me lëshime të mëdha dhe dëmtime serioze në vlerat kombëtare, u bënë pikërisht nga të njëjtët të cilët sot duan të rrëmbejnë flamurin e patriotizmit dhe të atdheut, sikur askush nuk i njeh dhe askush nuk e di se nga cili “planet” politik kanë ardhur.

Tashmë dihet se cila histori vazhdoi pas miratimit forcërisht dhe pa pyetur askënd shitja e detit. Dy liderët e kohës të opozitës së sotme, para se ligji të kalonte në Gjykatën Kushtetuese, Ilir Meta dhe Sali Berisha, publikisht, njëri pas tjetrit, e mbrojtën me forcë ligjin, duke saktësuar bindjen dhe vendimin e tyre se ky ishte e vetmja rrugë dhe ligji ishte më i sakti i mundshëm.

Berisha shkoi edhe më tej në fazën e tij shokuese. Edhe para gjykimit në Gjykatën Kushtuese ai e mbrojti ligjin forcërisht, duke ushtruar presion politik ndaj trupës më të lartë gjykuese në këtë vend, dhe, kur nuk arriti asgjë nga ajo çka donte, atëherë iu vërsul gjykatësve në mënyrën që vetëm ai e di.

Kur kjo nuk ishte e mjaftueshme, ai, Berisha, zgjodhi rrugën tjetër, duke thënë haptas se Gjykata Kushtetuese ishte blerë nga një fuqi e huaj, jashtë Shqipërisë, e cila kishte blerë në këtë rast edhe opozitën shqiptare. Edhe më pas, kur mendohej se gjërat do të ishin bërë më të qarta, deri para pak muajve, ai, Berisha, ngriti përsëri bindjen e tij, që në fakt ishte njëra nga shashkat e tij politike, se hedhja poshtë e ligjit të “Detit” të jugut, ishte subvencionuar nga fuqi jashtë shtetit shqiptar, duke bërë aluzion të hapur se pas kësaj çështje ishte shteti dhe qeveria turke.

Nëse deri në “rebelimin” e tij të fundit do të kishte dalë çështja “Soros”, ai, me siguri do e kishte gjetur fajtorin tek paratë e këtij të fundit, si një lëvizje anti Trump.

Pak kush në Shqipëri mund të pajtohet qetësisht me vendimet e fundit të qeverisë “Rama” ndaj zgjidhjes së papritur  të problemeve me shtetin grek. Kushdo do e kishte dashur shuarjen e mosmarrëveshjeve, por dyzimi, mjegulla dhe heshtja, së bashku me shfaqjen e gërmuesve grekë për të gjetur të rënët e një ushtrie që, duke luftuar fuqitë fashiste u soll me popullin shqiptar edhe më keq se sa vetë pushtuesit. Pra, “patriotët” e sotëm, nuk janë asgjë tjetër, veçse shitësit e turpshëm të së djeshmes.

Megjithatë, tani ata kërkojnë të marrin në duar flamurin e atdhedashurisë, sikur askush të mos e dinte se 9 vite më parë, përmes një marrëveshjeje të turpshme, pavarësisht kundërshtimeve të dobëta të opozitës së asaj kohe dhe qëndrimeve të fuqishme të zotit Myslim Pashaj, ata kishin bërë hapin e turpshëm të një ligji që cenonte tërësinë territoriale të vendit tonë.

Të paktën, të heshtin.

Nëse ligji i sotëm, sipas idesë ende të pashpallur e pa asnjë konfirmim zyrtar, është i njëjti me atë që ata vetë kanë dekretuar e mbrojtur deri në marrëzi, heshtja do të ishte shpërblimi i tyre.

Nuk mund të heshtin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button